Pastrimi i vatrave të nxehta kushton dhjetëra milionë euro, duhet gjetur model të qëndrueshëm ekonomikisht

Dhjetëra milionë euro do të duhet të gjenden për pastrimin dhe restaurimin në gjendje natyrore të vatrave të nxehta ekologjike në vend. Arseni në Llojan dhe Tabanoc, kromi gjashtëvalent në Jegunovc, zgjyra në shkritoren e Velesit, lindani në OHIS, deponia e gipsit në HIV-Veles, zgjyra në disa miniera janë vetëm disa nga vatrat e nxehta ekologjike, në rrethinën e të cilave do të duhet të bëhet rehabilitimi. Të gjitha lokacionet aktualisht i takojnë grupit të zonave të kontaminuara, shkruan Meta.mk.

Për ta shpjeguar sa më thjeshtë zonë e kontaminuar është lokacion ku ndotja e tokës, ujit dhe ajrit është aq e madhe sa që paraqet kërcënim serioz për shëndetin e njeriut dhe biodiversitetin në ato lokacione. Derisa të dekontaminohen zonat e tilla, duke i eliminuar shkaqet e ndotjes, shteti do të duhet t’i shpallë ato zona të kontaminuara.

Davor Pehçevski nga Qendra për hulumtime ekologjike dhe informim Eko-vetëdija, për Meta.mk, thotë se në Maqedoni deri tani nuk ka përvojë me shpalljen e lokacioneve si zona të kontaminuara, edhe pse teorikisht ekzistojnë rregulla dhe metodologji të përcaktuara saktë për atë se si një zonë e caktuar duhet të shpallet zonë e kontaminuar.

Pas më shumë se një viti zvarritje, deputetët e Kuvendit të RMV-së këtë pranverë i miratuan ndryshimet në Ligjin për Mjedisin Jetësor, me të cilat ndër të tjera u përfshinë dispozita të reja që e rregullojnë trajtimin e zonave të kontaminuara në vend. Qeveria i miratoi propozim-amendamentet qysh në dhjetor 2020, e pastaj ata duhej të gjenden para deputetëve.

Siç informuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me këtë Ligj tani përcaktohen kriteret e sakta në bazë të të cilave një zonë e caktuar mund të identifikohet si e kontaminuar, përkatësisht ekziston bazë ligjore për miratimin e Metodologjisë për identifikimin e një zone të caktuar si të kontaminuar. Pas përgatitjes së metodologjisë, Qeveria në të ardhmen do të mund t’i shpallë zonat si të tilla, që pastaj të bëhet miratimi i Planit për Menaxhim me Zona të Kontaminuara. Ndryshe, metodologjia dhe plani tashmë janë definuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

“Qëllimi i ndryshimeve të Ligjit është përshpejtimi i procedurës së përgjithshme. Nëse ka kritere dhe metodologji të përcaktuara qartë, mund të shmangim përsëritjen e situatës me OHIS-in ku prej dekadash e presim pastrimin e deponive me lindan. Megjithatë, shumë gjëra sërish do të varen nga përkushtimi i institucioneve, por edhe nga mjetet financiare në dispozicion për realizimin e tërë procedurës”, thotë Davor Pehçevski nga “Eko-vetëdija”.

Dhe derisa institucionet kompetente filluan të zgjohen, që u dëshmua me pastrimin e lindanit nga deponia e vogël në OHIS dhe me rastin e ndërprerjes së kontratës koncesionare për pastrimin e arsenit dhe mbetjeve minerale të tjera nga miniera në Llojan, shqetësimi kryesor që aktualisht “rri pezull” mbi pikat e nxehta ekologjike janë fondet e nevojshme për rehabilitim.

Në vitin 2005 kur nëpërmjet “Studimit të Posaçëm për Zonat e Ndotura Industriale”, u përcaktuan pikat e nxehta, përllogaritjet për rehabilitimin e të gjitha zonave në vend ishin afërsisht 77 milionë euro.

Megjithatë, nga këndvështrimi i sotëm kjo është shumë fantastik e vogël. Vetëm për pastrimin e lindanit në OHIS, zgjidhja e problemit është përllogaritur se do të kushtojë rreth 50 milionë euro, nga të cilat 9 milionë tashmë janë siguruar për pastrimin e deponisë së vogël të lindanit në këtë ish-industri kimike.

Për rehabilitimin e deponisë industriale në Jegunovc, të “pasuruar” me krom gjashtëvalent, në vitin 2007 është bërë studimi i fizibilitetit, me të cilin ishte përcaktuar se rehabilitimi i zonës do të kushtonte mbi 20 milionë euro. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk atëherë pranuan se nga këndvështrimi i sotëm, kostot e pastrimit të kromit gjashtëvalent nga deponia janë shumë më të larta.

Studimi i fizibilitetit, në vitin 2007, është bërë edhe për arsenin në Llojan dhe Tabanoc, kur është konstatuar se për atë do të nevojiteshin rreth 3,4 milionë dollarë. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor për Meta.mk edhe për këtë zonë të kontaminuar kanë sqaruar se studimi i fizibilitetit do të duhet të rishikohet dhe tashmë është e sigurt se vetëm për rehabilitim në terren do të nevojiten shumë më tepër mjete se sa ishte përcaktuar në vitin 2007. Përveç kësaj, këto fonde nuk do të përfshijnë financat e nevojshme për dislokimin e substancave të rrezikshme nga Tabanoci dhe Llojani.

Nëse përllogariten së bashku, pastrimi vetëm i këtyre tre pikave të nxehta ekologjike nga këndvështrimi i sotëm do të kushtonte pothuajse 77 milionë euro, sa kanë qenë të vlerësuara për pastrimin e 16 pikave të nxehta në vitin 2005, që vë në pah se sa më shumë kohë nuk punohet në terren, për trajtimin e këtyre zonave të kontaminuara, në mënyrë dramatike do të rritet edhe shuma e mjeteve të nevojshme për zgjidhjen e tyre.

Në raste të caktuara shteti, duke gjetur koncesionarë për shfrytëzimin e mbetjeve minerale, përpiqet të zgjidhë problemin e lëndëve të rrezikshme në këto lokacione. Në rastin e zgjyrës në shkritoren e Velesit, rezultoi se koncesionari kishte interes dhe filloi pastrimin e zgjyrës nga deponia e zezë e akumuluar mbi Veles. Por në rastin e arsenit në Llojan, kontrata me koncesionarin e përzgjedhur është ndërprerë nga Qeveria e RMV-së, pasi kompania turke, pothuajse tetë vjet pasi e mori kontratën për koncesion, hoqi dorë nga eksploatimi i zgjyrës në minierën e braktisur.

Krahas kontratave për përzgjedhje të koncesionarëve apo kërkimin e burimeve të financimit (grante, kredi) nga jashtë, Eko-vetëdija sqarojnë se do të duhet gjetur model të qëndrueshëm ekonomik për rehabilitim sa më të shpejtë të pikave të nxehta ekologjike.

“Një prej gjërave që mund të jetë e përshtatshme dhe mund të ketë përfitime të shumëfishta është kombinimi i rehabilitimit me transformimin energjetik. Shumë nga lokacionet që janë pak a shumë të kontaminuara, pas të kryhet rehabilitimi, janë të përshtatshme për shndërrimin e tokës në centrale fotovoltaike”, shpjegon Davor Pehçevski.

Ai shton se qasja e kombinuar, për rehabilitimin e zonave të kontaminuara, nuk do të jetë vetëm shpenzim për shtetin, përkundrazi do të sjellë edhe përfitime financiare në të ardhmen nga përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë. Kjo do të mund të përshpejtojë procedurat për pastrimin e zonave të kontaminuara.

Pehçevski përkujton se në të ardhmen do të mund të shpalleshin të kontaminuara jo vetëm vatrat e identifikuara ekologjike, por edhe deponitë jo standarde komunale në vend, të cilat janë të “shpërndara” pothuajse në çdo qytet të Maqedonisë. Në këtë rast, vetëm për pastrimin e deponive ilegale komunale dhe deponive të mbeturinave në rajonin e planifikimit Lindor dhe Verilindor janë ndarë rreth 10 milionë euro, kurse do të duhet të gjenden burime shtesë financimi për pastrimin dhe rikuperimin e vendeve të mbuluara me plehra në rajone të tjera të vendit.

Nga Eko-vetëdija shpjegojnë se aktivitetet e ardhshme, që do të lejohen apo ndalohen në zonat e kontaminuara nga Qeveria e RMV-së, do të varen nga shkalla dhe lloji i kontaminimit të tokës, ujit dhe ajrit, por edhe nga vendndodhja e tyre. Davor Pehçevski thotë se vatrat e krijuara ekologjike, si rregull ndodhen në lokacione ku ka pasur industri të mëdha ndotëse. Në të kaluarën, shumë nga të punësuarit në ato vendbanime i përkisnin një ose dy subjekteve të komplekseve të tilla industriale.

“Lokacionet e përmendura kanë problem pikërisht sepse nuk është mundësuar kalimi nga industria shumë ndotëse e cila i ka krijuar ato zona të kontaminuara në degë alternative ekonomike, që do të mundësonte vazhdimin e zhvillimit të vendbanimeve”, tha Pehçevski, duke shtuar se për popullsinë vendase nevojitet tranzicion i drejtë, i cili në mos tjetër, pas dekontaminimit të substancave të rrezikshme nga këto zona të paktën do të mundësojë bujqësi të larmishme me rendiment të lartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button