Banka Botërore, rritja ekonomike në Maqedoni pritet të ngadalësohet në 2.7 për qind

Rritja ekonomike e Maqedonisë së Veriut këtë vit pritet të ngadalësohet në 2,7 për qind dhe PBB-ja reale nga mesi i vitit do të arrijë nivelin e para pandemisë, vlerëson Banka Botërore (BB) në Raportin e rregullt gjysmë-vjetor  ekonomik për Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Skenari bazë i Bankës Botërore bazohet në supozimin se faza akute e krizës do të lehtësohet në tremujorin e dytë të këtij viti, edhe nëse efektet e sanksioneve mbi luftën në Ukrainë vazhdojnë në 2022, por edhe në vitin 2023.

“Sektori i energjisë, bujqësisë dhe industrisë së automobilave do të jenë më të prekur se sektorët e tjerë. Nëse lufta në Ukrainë zgjatet, kërkesa e jashtme do të reduktohet në mënyrë shtesë, do të rriten çmimet për mallrat kryesore dhe energjinë, lëvizshmëria do të pengohet dhe investimet do të shtyhen”, vlerëson Banka Botërore në një raport paraprak dhe thekson se ky skenar do të çonte në rritje akoma më të ulët dhe të ardhura fiskale, si dhe rritje të kërkesave për mbështetje fiskale dhe rritje të kostove të financimit.

Deficiti fiskal në vend, sipas Bankës Botërore, pritet të mbetet i lartë në vitin 2022 në përputhje me mbështetjen e vazhdueshme të kompanive dhe amvisërive për të zbutur ndikimin e krizës energjetike dhe krizës së lidhur me konfliktin ushtarak në Ukrainë.

Ata theksojnë se deficiti fiskal do të ulet gradualisht deri në vitin 2024, duke e lënë borxhin publik mbi 64 për qind të PBB-së. Megjithatë, shtojnë se, perspektiva afatmesme mbetet pozitive, por rreziqet janë kryesisht në rënie dhe të theksuara.

Si pika që vazhdojnë të peshojnë në perspektivat e Maqedonisë së Veriut, Banka Botërore ndër të tjera përmend situatën politike, situatën e paralizuar në Parlament, presionet e rritura të pagës minimale që rrisin presionet e tjera inflacioniste, krizën aktuale energjetike, pandeminë afatgjatë, lufta në Ukrainë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit.

“Rritja e pasigurisë politike dhe vonesa e bisedimeve të pranimit në BE, në mes të një krize energjie dhe shëndetësore, mund të çojë në një oreks më të dobët për reformat e nevojshme për të nxitur rritjen e mundshme dhe për të konsoliduar financat publike. Shtrëngimi i kushteve financiare globale mund të ndikojë në opsionet e financimit dhe kostot e Maqedonisë së Veriut në të ardhmen e afërt. Në anën pozitive është zbatimi i Planit të Përshpejtimit të Rritjes, i cili synon zhvillimin e kapitalit njerëzor, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin, që mund të stimulojë rritjen potenciale”, vlerësojnë nga Banka.

Në raport, Banka Botërore rekomandon që në afat të mesëm vendi duhet të forcojë qëndrueshmërinë e financave publike dhe të fokusohet në adresimin e sfidave strukturore, duke përfshirë kapitalin njerëzor të ulët dhe në rënie, kuadër të dobët rregullator, politikën e konkurrencës dhe gjyqësorin, produktivitetin e ulët dhe shtimi i migrimit.

“Në mënyrë shtesë, qeveria do të duhet të rishikojë dhe të racionalzojë ndihmën shtetërore për të adresuar çështjet e qëndrueshmërisë fiskale dhe për të ofruar mbështetje më të synuar për ekonominë vendase”, thonë nga BB, duke shtuar se përpjekjet e reformës strukturore duhet të përputhen me agjendën e gjelbër dhe të mundësojnë një tranzicion ndaj emetimeve të ulëta të karbonit dhe emetimeve të reduktuara të gazeve serrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button