Filloi ndërtimi i terminalit të gazit natyror në Greqi, Serbia dëshiron lidhje gazi me Maqedoninë

Me një ceremoni solemne në qytetin grek të Aleksandroupolit nisi dje ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG). Në këtë aktivitet morën pjesë presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministrat grekë Kyriakos Mitsotakis, Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe ai i Bullgarisë Kiril Petkov, si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, transmeton Portalb.mk.

Terminali do të jetë një portë e re energjetike, i cili do të ndihmojë Ballkanin dhe Evropën të jenë më pak të varura nga gazi rus, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, raporton gazeta greke Kathimerini.

“Shantazhi i fundit i Moskës ndaj gazit natyror e bën bashkëpunimin jo vetëm të domosdoshëm, por, do të thosha, urgjent”, tha kryeministri grek Mitsotakis.

Kryeministri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut merr pjesë në këtë projekt me marrëveshje rezervë për një kapacitet të caktuar të gazit të lëngshëm nga terminali i Aleksandoupolit, duke përmendur ndërtimin e interkonjektorit të gazit me Greqinë që është në fazë realizimi.

“Korridori jugor po redukton varësinë nga kanali i vetëm i furnizimit me gaz nga Rusia. Më saktë, me këtë projekt, në vend që të kemi vetëm një burim gazi në vendin tonë, tani është mundësia për të hyrë dhe furnizuar nga shumë burime të ndryshme, si gazi nga Shtetet e Bashkuara, Lindja e Mesme dhe vende të tjera. Kjo do të thotë furnizim i sigurt me gaz natyror nga furnizues të ndryshëm dhe diversifikim i burimeve që do ta bëjnë vendin tonë të pavarur energjetikisht”, tha kryeministri maqedonas Kovaçevski.

Mesazhe nga ngjarja e djeshme në Aleksandropol ka dërguar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ai tha se terminali i gazit të lëngshëm natyror në Aleksandropol është një ngjarje e madhe dhe e rëndësishme për të gjithë rajonin e Ballkanit, shkruan e përditshmja serbe Politika.

Vuçiq pranoi se më parë ishte skeptik për realizimin e këtij projekti, por tani që e sheh se gjithçka është gati, është shumë i kënaqur për këtë. Presidenti serb tha se Serbia duhet të ndërtojë sisteme për lidhjen e gazit me Bullgarinë, por se duhet bërë diçka për lidhjen e gazit të Serbisë me Maqedoninë e Veriut. Ai bëri të ditur se projekti për ndërlidhjen e gazit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të financohet nga BE-ja.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se vetëm së bashku vendet e rajonit do të mund të kundërshtojnë shantazhin rus. Ai shtoi se ngjarja e djeshme do të mbahet mend në historinë politike të Bullgarisë dhe Greqisë si një aspiratë për liri ekonomike dhe pavarësi politike, njofton Radioja kombëtare bullgare.

Ndryshe, ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) pritet të përfundojë dhe të vihet në funksion në dhjetor 2023. Me këtë projekt kapital, Greqia do të bëhet qendër energjetike në Ballkan.

Sipas memorandumit të nënshkruar të mirëkuptimit me Gastrace S.A në mars të vitit 2021, Maqedonia e Veriut vendosi të marrë pjesë në investimin në terminalin e gazit në Aleksandropol me aksion prej 10 për qind në vlerë prej 370 milionë euro, i cili do të mbështetet nga BE-ja.

Në të njëjtën kohë, vendi ynë do të marrë pjesë me 25 për qind në investimin për një termocentral me gaz natyror në Aleksandropolis, dhe vlera e parashikuar e investimit është mbi 380 milionë euro. Qeveria në shkurt të këtij viti vendosi të nënshkruajë marrëveshje për realizimin e këtyre projekteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button