Një roman mbi fatalitetin dhe dashurinë

Pasi Mimoza Veliu u zhvendos në Gjermani u duk sikur e braktisi pasionin e saj – letërsinë, por ishte letërsia që s’kishte ndërmend ta braktiste. Se kush e provoi lidhjen fatale me letërsinë më nuk mundi të shkëputej prej kthetrave të mistershme të saj. Madje, as në çaste ankthi a ligështimi kur krijuesi ndjen se e kanë braktisur muzat apo demonët e krijimit që rikthehen mistershëm, ashtu si sulmet e pashpjegueshme të ankthit.

Mimoza Veliu, këtë herë, ka botuar një libër në prozë. Romani Dallga e dytë është botuar nga shtëpia botuese prestigjioze “Koha” e Prishtinës.

Titulli i librit e përmbledh esencën e rrëfimit ku s’ka personazhe që shprehin urrejtje; s’ka ndonjë antagonist shpirtzi e mizor që për shkakun e tekave, pasioneve, obsesioneve, xhelozisë, smirës, urrejtjes apo ndonjë force tjetër të errët, që ia ka pushtuar mendimet dhe qenien, u shkakton të tjerëve vuajtje; s’ka ndonjë personazh dinamik që e pastron ligësinë e zemrës së vet; s’ka personazh që dashurinë fatale e kthen në urrejtje patologjike, si Medea tek Euripidi; s’ka as konflikte e tensione ndërmjet personazheve; s’ka Deus ex machina që ndërhyn kur autorit i mungojnë zgjidhjet.

Në këtë rrëfim ka vetëm personazhe që rrezatojnë dhimbje, trishtim, dashuri dhe mirësi. Ka personazhe që e pranojnë zgjedhjen e tjetrit edhe kur u shkakton dhembje. Khalil Gibran-i thotë se atë që e dashurojmë duhet ta lejojmë të na braktisë. Nëse kthehet përherë ka qenë pranë nesh. Nëse nuk kthehet asnjëherë nuk ka qenë aty.

“Dallga e dytë”, gjithashtu, nuk është rrëfim i gatuar me mëlmesa ofshamash, pasthirrmash e sentimentalizmash, por një rrëfim i trishtë, i shkurtër, i qartë, i kapshëm dhe me disa nënshtresa kuptimore.

Autorja me instrumentet e letërsisë ka krijuar një realitet simbolik që na shpalos mesazhin: dashuria është forca e mistershme, e pashpjegueshme dhe e papërkufizuar që jetës së fshikulluar prej kamxhikëve të fatalitetit ia rikthen kuptimin…

Kur fillojmë ta lexojmë librin e kemi përshtypjen se fokusi kryesor është ankthi urban; ikja nga realiteti i rënduar prej stresit, rutinës dhe banalitetit që jetën e bëjnë të padurueshme, monotone, të lodhshme dhe gërryese. Më pas krijojmë bindjen se rrëfimi do të fokusohet te gjendja e njeriut në kohë vetëveçimi (karantine) kur bota duket si e ngrirë; kur nëpër rrugë, autostrada, çerdhe, kopshte, shkolla e institucione banon vetëm heshtja; kur brenda shtëpive sundon frika prej armikut të padukshëm që i dashuron qelizat tona; kur lindin dyshime e teori komplotesh për pandeminë e çuditshme që godet tinëzisht e pamëshirshëm. Ndërkohë ndërthuren edhe motive tjera. Për shembull: flitet për raportet prindër – fëmijë. Për prindërit që fëmijëve mëtojnë t’ua imponojnë kodet e tyre të jetesës dhe për fëmijët që bëjnë kinse jetojnë e mendojnë sipas kallëpeve të prindërve. Ky është “rreth paradoksal, që i bën të dyja palët të palumtura”. Kjo ndodh kur “sistemin e prapambetur e ndihmojmë duke mos e kundërshtuar”

Rrëfimi, i shkruar në veten e parë (ich-forma), shkon përtej përshkrimit të gjendjeve të mësipërme. Ai bëhet më i trishtë, kurse kthimet në kohë janë pjesët më intime dhe më trazuese në libër. Rrëfimi fokusohet tek shtresëzimi shumëvjeçar i dhembjes, e cila, sipas protagonistes, “nuk shkon bashkë me forcën”. Dhembja e shter forcën.

Protagonistja Julia, Juli apo Juliana, një afariste e suksesshme, e lodhur nga punët e përditshme, të cilës jeta i duket si humbëtirë e pafundme, merr ftesë për pushim njëjavor në Maldive nga mikja e saj Aurora, me të cilën ishte miqësuar pas një keqkuptimi.

Julia rikthehet në këtë ishull pas 16 vitesh. Aty ka ndryshuar shumëçka, por kanë mbetur të pandryshuara dhembja dhe kujtimet e trishta. Në plazh, prej vitesh, jeton dhimbja e saj. Gjithçka që sheh aty e ndërlidh me të kaluarën. Në këtë ishull ajo dëshiron të përballet me frikën. Nëpërmjet frikës dëshiron të çlirohet nga frika. Në ishull dëshiron të përballet me të kaluarën. Nëpërmjet përballjes me të kaluarën synon të çlirohet nga e kaluara e hidhur. Ka këtu një qasje psikanalitike.

Përse ky vend i bukur, i ëndërruar prej mijëra njerëzve, është kaq i trishtë për protagonisten? Sepse po aty e ka humbur djalin, Ronin, pas cunamit të tmerrshëm.

Dallga e parë ia ka përmbysur jetën, që tani i ngjan shkëmbit të dërmuar e të rrahur pareshtur prej dallgëve të trishtimit e të dhembjes.

“Dallga e parë ishte ajo fatalja, që e rrëmbeu avenirin e jetës sime si nënë e re, si grua që mbeti pa partner, që humbi energjinë për të jetuar bukur të tashmen, që ndaloi së planifikuari të ardhmen me fëmijën e saj.” 

Këtu fillon të shpaloset përmasa më tragjike e veprës. E kemi të qartë se përse protagonistja, ngado ku shkon, e mbart dhembjen në shpirt, ashtu si Sizifi e mbartte gurin. Ajo punon shumë për ta harruar dhimbjen që e gërryen përbrenda. Se s’ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e fëmijës. Atëherë “çdo çast i jetës shndërrohet në vuajtje të papërshkrueshme […] E ardhmja ndalon së ekzistuari”.

Në jetën njerëzore ndodh një shkreptimë fataliteti të përmbys gjithçka. Dhe gjërat që deri atëherë kanë qenë të rëndësishme, të synuara e të ëndërruara e humbin rëndësinë.

Kjo dhembje njerëzore pas fatalitetit shprehet me detaje. Shprehet me një pyetje të thjeshtë drejtuar së ëmës: “Si thua, moj nënë, si ta shtyj jetën, që të jetë më pak e dhimbshme?” Ose nëpërmjet bashkëbisedimit me një dhelpër, që në fakt është monolog: “Ti e ke të lehtë, − mendova. − Strukesh diku në errësirë dhe fshihesh nga sytë e njerëzve […] Po unë, ku të fshihem? Unë nuk kam zgjedhje. Duhet të përshtatem, të rri mes njerëzve, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Të tregoj forcë, edhe pse nuk kam. Të buzëqesh me zor, ose të sforcohem të mendoj pozitivisht.”

Kjo grua, që ka përjetuar drama jetësore, jeton edhe me ndjenjën e fajit pa bërë faj. Vuan se kur dallga i mori të birin bënte zhytje nën ujë.

Tragjikja shtrihet më tej. Julia dhe burri i saj, Beni, tani ndjejnë sikur janë dy statuja që jetojnë në ftohtësinë dhe errësirën e tyre. Beni arratiset nga dhembja. Zhvendoset në Argjentinë, pastaj Nju Jork. Mes Julias dhe Benit nuk shuhet dashuria, por jeta e përbashkët duket e pamundur.

Beni, i cili para tragjedisë ishte njeriu praktik, tani merret me pikturim. Materialja del në plan të dytë. Ai ka një djalë me të dashurën e re që quhet Aaron, i ngjashëm me Ron. Një tjetër dramë. Një tjetër prerje. Një tjetër rrënim…

Brenda botës së errët të Julias befas shfaqet drita shpëtimtare. Është drita e dashurisë. Se nuk e thanë kot psikanalistët që brenda nesh veprojnë dy forca: e Erosit dhe Tanatosit. E dashurisë dhe e vdekjes. Kur triumfon forca e vdekjes shkojmë drejt shkatërrimit. Kur triumfon forca e dashurisë e gjejmë shpëtimin…

Është takimi me mjekun gjerman që Julias ia rikthen ndjenjën për jetën. E nxjerr nga terri nga i cili s’ka dëshiruar të dalë. Se dhembja në fillim na pushton, pastaj, kur biem në kthetrat e saj, e ushqejmë vetë.

Rrëfimi sërish rrezaton ndjenja të thella humanizmi dhe mirësie. Autorja, nëpërmjet protagonistes, bën me dije se vetëm mirësia dhe dashuria mund ta shpëtojnë njeriun dhe botën.

Për mjekun, me të cilin dashurohet Julia, “mjekësia është e drejtë njerëzore dhe jo biznes”. Nuk është profesion, por pasion e mision. Është përmbushje shpirtërore.

“Unë e ndiej se puna ime më shpërblen vetvetiu”, thotë ai…

Dallga e dytë është rrëfim ku ndodh triumfi ndaj frikës, ndaj të kaluarës së errët; asaj të kaluare që duam ta harrojmë, por nuk mundemi; që duam ta flakim nga qenia, por nuk kemi asfare gjase. E kaluara është brenda nesh. Me të gjitha dhembjet, trishtimet, ndarjet, lotët, por edhe me forcën e padukshme që ripërtërin motivin për jetën. Me të kaluarën duhet të mësohemi të bashkëjetojmë.

“Para syve m’u shfaq fytyra e buzëqeshur e Ronit si një re e bardhë, e cila po largohej gjithnjë e më shumë, drejt një tuneli me një dritë të pafundme. Roni, engjëlli im mbrojtës, sikur më kishte shoqëruar gjatë gjithë asaj kohe sa unë po ngulfatesha në “mungesën” e tij. Më në fund ai sikur po “shkëputej” nga unë dhe merrte rrugën e tij pas kaq shumë vitesh, i sigurt dhe i qetësuar që nuk po më linte vetëm. I ktheva buzëqeshjen, po ashtu e sigurt dhe e qetësuar që një ditë do takoheshim aty ku ai po ngjitej”…

Nëse dallga e parë ishte goditja fatale kundër një jete njerëzore, dallga e dytë është dashuria që njeriut ia kthen motivin për jetën. Dashuria bëhet dritë në hon, bëhet shpresë në boshësinë e pafundme.

Libri na thotë me gjuhën e letërsisë se jeta, përkundër vështirësive dhe fataliteteve, vlen të jetohet me të gjitha rëndesat e saj; se dashuria është njohje dhe vlera më e madhe e njeriut; se ajo gjithçka e kthen në harmoni; se ajo na zbulon rrugën e vërtetë; se duhet të na prijë në udhëtimin jetësor…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button