Dita 69 – Perëndimi të ndalë furnizimin e Ukrainës me armë, kërkoi Putini

Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter thotë se Uashingtoni beson se Kremlini do të përpiqet të aneksojë rajonet e Luhanskut dhe Donetsk dhe të shpallë Kherson të pavarur, duke nënvizuar se SHBA ka raporte të inteligjencës “shumë të besueshme” për këtë. Ekzistojnë gjithashtu indikacione se Rusia mund të planifikojë të shpallë dhe aneksojë një “republikë popullore” në qytetin juglindor të Khersonit, tha ai. Ndërkohë kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet që sot të bëjë të ditur ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, gjatë një adresimi para Parlamentit në Kiev, transmeton Portalb.mk.

18:57 – Perëndimi të ndalë furnizimin e Ukrainës me armë, kërkoi Putini

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i tha homologut francez, Emmanuel Macron, se Perëndimi duhet të ndalojë furnizimin e Ukrainës me armë. Dy liderët biseduan të martën përmes telefonit.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera janë duke e ndihmuar Ukrainën me armatim për t’iu kundërvënë pushtimit rus.

Duke i akuzuar forcat e Ukrainës për “kryerje të krimeve të luftës”, Putin tha se “Perëndimi mund të ndihmojë në ndalimin e këtyre mizorive, duke ushtruar presion të duhur mbi autoritetet e Kievit, si dhe duke ndaluar furnizimin me armë të Ukrainës”.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Putin gjithashtu tha se Kievi nuk është i gatshëm për “bisedime serioze” për t’i dhënë fund konfliktit.

“Pala ruse është ende e hapur për dialog”, citohet t’i ketë thënë Putin Macronit.

Presidenca franceze tha se Macron ka përsëritur thirrjet për Rusinë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Putinit i ka kërkuar që të lejojë evakuimin e civilëve nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal, në qytetin e Mariupolit.

Në dy ditët e fundit, mbi 150 civilë janë evakuuar nga bunkerët nën Azovstal, pas më shumë se dy muajsh të bllokuar atje.

Së paku edhe dhjetëra të tjerë besohet se mbeten ende në bunkerë. I gjithë Mariupoli, përveç zonës rreth Azovstalit, është nën kontrollin e forcave ruse.

Macron është një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që bisedon me Putinin, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

Nga lufta në Ukrainë janë vrarë mijëra njerëz, ndërsa janë zhvendosur mbi 13 milionë.

13:05 – Tha se nuk do ta vizitojë Ukrainën: Ambasadori i Kievit në Berlin reagoi ndaj kancelarit gjerman Scholz

Ambasadori i Ukrainës në Berlin, Andriy Melnyk, ka reaguar ndaj deklaratës së kancelarit gjerman Olaf Scholz se nuk do të vizitojë Ukrainën.

Në një deklaratë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Melnyk deklaroi “Të luash rolin e viktimës së fyer nuk qëndron si burrëri shtetërore”.

“Pas pushtimit nazist po përjetohet lufta më shkatërruese. Aty nuk është strehë fëmijësh”, tha Melnyk duke shtuar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy do të jetë sërish i lumtur që të presë kancelarin Scholz në një takim në Kiev.

Në një deklaratë për kanalin ZDF, Olaf Scholz tha se refuzimi i kërkesës së presidentit Frank Walter Steinmeier për të vizituar Ukrainën është një “pengesë” për vizitën e tij.

“Për një vend që ofron kaq shumë ndihmë ushtarake dhe ndihmë financiare dhe një vend për të cilin ka nevojë kur bëhet fjalë për një situatë lidhur me garancitë e sigurisë që do të jenë të rëndësishme për të ardhmen e Ukrainës, nuk mund të thuhet ‘por presidenti nuk mund të vijë‘”, deklaroi Scholz duke theksuar se për këtë arsye nuk do të vizitojë Kievin.

13:00 – Hungaria rihapi ambasadën e saj në Kiev

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto njoftoi rihapjen e ambasadës së Hungarisë në Kiev e cila u mbyll për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Ministri Szijjarto tha se ambasada e cila më 3 mars u zhvendos përkohësisht në Lviv ka filluar sërish aktivitetet e saj në Kiev pas përmirësimit të situatës së sigurisë.

“Është e arsyeshme që ambasada të fillojë aktivitetet e saj në Kiev. Në këtë mënyrë do të qëndrojmë në komunikim me organet e qeverisë së Ukrainës dhe në rast të nevojës do të mund të sigurojmë ndihmë për qytetarët hungarezë dhe qytetarët e tjerë të Bashkimit Evropian”, deklaroi Szijjarto.

09:37 – Britania pritet të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të bëjë të ditur ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, gjatë një adresimi para Parlamentit në Kiev të martën, 3 maj.

Paraqitja e tij në këtë institucion do të jetë e para e një lideri të huaj, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Johnson pritet të lavdërojë forcat ukrainase për rezistencën e tyre, kur të deklarohet përmes video-linkut, si dhe të bëjë të ditur ndihmën prej 376 milionë dollarësh për Kievin, ka thënë zyra e tij.

Britania tashmë ka dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë raketa dhe lansuese raketash.

Ndihma e re do të përfshijë pajisje të reja luftarake, sisteme radari dhe mijëra pajisje që mundësojnë shikimin natën.

Në fjalimin e tij, Johnson do të përmendë edhe adresimin e vitit 1940 të liderit Winston Churchil, teksa Britania është përballur me agresionin e Gjermanisë naziste.

Johnson do të deklarojë se “populli britanik ka treguar atëherë një unitet dhe vendosmëri të tillë, që ne e kujtojmë si kohën tonë më të mirë. Kjo është koha më e mirë e Ukrainës, një kapitull epik i historisë kombëtare, që do të kujtohet nga gjeneratat e ardhshme”.

Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet të propozojë paketë të re masash, duke përfshirë embargo në naftën ruse, kanë thënë zyrtarët.

Sanksionet do të shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, e cila do të përjashtohet nga sistemi SWIFT, kanë thënë disa diplomatë pa u identifikuar.

Në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, përpjekjet për evakuim të civilëve janë penguar, pasi Rusia ka rinisur bombardimet në fabrikën e çelikut Azovstal, ku qindra njerëz kanë mbetur të bllokuar, një ditë pasi grupi i parë ka dalë nga bunkerët nëntokësorë.

Zëvendëskryetari i Mariupolit, Sergei Orlov, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC, se negociatat e nivelit të lartë janë duke vazhduar në mes të Ukrainës, Rusisë dhe organizatave ndërkombëtare për më shumë evakuime.

Përpjekjet e kaluara për të hapur korridore të sigurta në këtë qytet, kanë dështuar.

Lokacioni strategjik i Mariupolit – afër Gadishullit të Krimesë – e ka bërë këtë qytet shënjestër të bombardimeve të vazhdueshme ruse, duke e shkatërruar këtë vend që para luftës kishte rreth 400,000 banorë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Aktualisht besohet se rreth 100,000 njerëz janë ende në Mariupol, duke përfshirë rreth 2,000 ushtarë ukrainas që gjenden në kompleksin Azovstal, pjesën e vetme të qytetit që nuk është pushtuar nga rusët.

Për luftime është raportuar edhe në qytetin Odesa dhe në lindje të Ukrainës.

Këshilli i qytetit të Odesas, ka thënë se një djalosh 15-vjeçar është vrarë si pasojë e sulmeve ruse.

Prej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar më 24 shkurt, trupat e saj kanë dështuar të marrin kontrollin e ndonjë qyteti të madh ukrainas.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Moska është duke planifikuar që të marrë edhe zyrtarisht kontrollin e rajoneve në lindje të Ukrainës.

Michael Carpenter, ambasadori amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSCE), ka thënë se Rusia është duke synuar që të aneksojë territoret e Donjeckut dhe Luhanskut në rajonin Donbas përmes referendumeve, pasi nuk ka arritur të rrëzojë Qeverinë në Kiev.

Rusia është përballur me rezistencë të ashpër në rajonet rreth Kievit dhe Çernihivit, prandaj ka zhvendosur trupat në jug dhe lindje të shtetit, kur luftimet janë shtuar ditëve të fundit.

Juglindja e Ukrainës është zonë strategjike për Rusinë, pasi mundëson lidhjen me Krimenë.

Moska ka rritur shqetësimet se mund të zgjerohet edhe më shumë, përkatësisht në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transdniestër, e cili përkrahet nga Rusia dhe vendet në kufi me Ukrainën.

Moldavia ndan kufirin me Rumaninë, vend anëtar i NATO-s.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë më 2 maj që presidenti rus, Vladimir Putin, duhet t’i japë fund luftës dhe “vrasjeve të pakuptimta”.

Pasi ka takuar kryeministrin indian, Narendra Modi në Berlin, Scholz ka thënë se Putin nuk do të shohë heqje të sanksioneve pa arritur marrëveshje për paqe me Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button