Muaji i stërvitjeve ushtarake – nga Maqedonia e Veriut në Finlandë

Dhjetëra mijëra trupa nga vendet anëtare të NATO-s, por edhe nga vende të tjera, në javët e ardhshme do të marrin pjesë në disa stërvitje ushtarake – nga Finlanda në Maqedoninë e Veriut, transmeton DW.

“Me përdorimin e avionëve, tankeve, artilerive dhe mjeteve luftarake të blinduara, stërvitjet do të mbahen përgjatë kufirit estono-letonez në Finlandë, Poloni dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan AP.

Në stërvitje do të marrin pjesë  ushtarë të NATO-s, si dhe Forcat e përbashkëta ekspeditare të Aleancës, të cilat përfshijnë Finlandën dhe Suedinë. Përgatitjet për stërvitjet kanë nisur prej muajsh, kurse agresioni rus në Ukrainë ka përshpejtuar synimin për të testuar aftësitë ndërvepruese të aleatëve, dhe kjo konsiderohet si dislokimi më i madh stërvitës që nga Lufta e Ftohtë.

“Përgjigje e shpejtë”

Maqedonia e Veriut po përgatitej në mënyrë aktive për “Swift Response 22”, e cila është pjesë e stërvitjes “Defender Europe 22” dhe do të kryhet njëkohësisht në 5 lokacione nëpër Evropë. Procesi i planifikimit për stërvitjen filloi vitin e kaluar, me qëllim trajnimin e ndërveprimit të ushtrive aleate. Në të njëjtën kohë, “Swift Response – 22” do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake e organizuar deri më tani në Maqedoninë e Veriut. Në të do të marrin pjesë më shumë se 4,000 anëtarë të forcave të armatosura nga tetë vende anëtare të NATO-s: nga vendi nikoqir, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Shqipëria, Greqia dhe Mali i Zi. Gjatë stërvitjes do të kryhen operacione ajrore duke përfshirë 45 avionë: do të ketë mbifluturime nga helikopterët, por edhe nga avionët e transportit C-130 dhe C-27 dhe avionët luftarakë A-10. Do të kryhen operacionet e uljes dhe do të realizohen mbi 700 hedhje me parashutë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, poligoni ushtarak Krivolak ofron kushte jashtëzakonisht të mira për stërvitje dhe zhvillim të ndërveprimit ndërmjet aleatëve.

Qeveria e Maqedonisë qysh në muajin mars vendosi të miratojë hyrjen dhe qëndrimin e forcave të armatosura të huaja në territorin e RMV-së për pjesëmarrje në këtë stërvitje dhe i obligoi institucionet kompetente që të marrin masa për hyrjen e papenguar të më shumë se 850 automjeteve ushtarake dhe civile, si dhe një numër avionësh, helikopterësh, dronësh, armatimesh, municionesh, pajisjesh dhe mjetesh materiale e teknike.

Pjesëmarrësit në stërvitje do të pajisen me të ashtuquajturat MILES – sisteme që mundësojnë simulimin e veprimeve reale luftarake pa përdorimin e municioneve të drejtpërdrejta, ndërsa nga Ministria e Mbrojtjes njoftuan se do të merren të gjitha masat për të siguruar zhvillimin e sigurt të stërvitjes, pa efekte të dëmshme në mjedisin jetësor.

Nga Balltiku në Egje

Mediat britanike u kushtuan vëmendje të madhe stërvitjeve në Evropën kontinentale gjatë muajit maj, pasi në to do të marrin pjesë rreth 8 mijë trupa britanike. Disa nga trupat britanike do të përfshihen në brigadën e blinduar të Finlandës, e cila ndan një kufi tokësor prej 1336 kilometrash me Rusinë. Trupat britanike do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake “Ezh” në kufirin estonezo-letonez së bashku me trupat franceze dhe daneze, si dhe do të marrin pjesë në stërvitjet në Poloni dhe Maqedoninë e Veriut.

Londra konsideron se ky është dislokim më i madh i trupave britanike jashtë vendit që nga Lufta e Ftohtë. Sipas Guardian, Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha se “siguria e Evropës nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm”.

Komandanti i forcave tokësore, gjeneral kolonel Ralph Woodis, konsideron se Mbretëria e Bashkuar po jep një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e Evropës dhe në parandalimin e agresionit rus.

“Seria e stërvitjeve të ushtrisë britanike është thelbësore si për njërën palë ashtu edhe për tjetrën. Ne vazhdojmë të vendosemi në të gjithë Evropën, nga Balltiku në Egje,” tha Woodis.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button