Dita 68: Draft-dokumenti zbulon planet ruse për rajonet e pushtuara ukrainase

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj, tha ministri i Jashtëm i këtij vendi, Sergei Lavrov. Rreth 100 civilë ukrainas, të evakuuar nga Mariupoli, pritet të arrijnë gjatë ditës në qytetin juglindor të Zaporizhjas, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. , njofton Portalb.

19:00 – Ukraina: 23.800 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës theksoi se rreth 23.800 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i sulmit në vendin e tyre, dhe se 194 avionë, 155 helikopterë janë rrëzuar dhe 1.048 tanke janë shkatërruar.

Në njoftim, i cili përfshin të dhëna nga 24 shkurti deri më 2 maj të këtij viti, theksohet se pala ruse ka humbur 300 ushtarë në 24 orët e fundit.

Përveç humbjeve të përmendura, sipas palës ukrainase, Rusia ka humbur 2.519 automjete të blinduara, 459 topa, 152 sisteme raketore dhe 80 sisteme të mbrojtjes ajrore.

18:00 Draft-dokumenti zbulon planet ruse për rajonet e pushtuara ukrainase

Një draft-dokument i përgatitur nga zyrtarë të lartë të partisë në pushtet në Rusi kërkon që të krijohet një shtet i ri, i quajtur “Rusia e Jugut”. Ky shtet, sipas këtij dokumenti, do të përbëhej nga disa rajone të Ukrainës, që janë të pushtuara nga forcat ruse.

Njoftimi për këtë draft-dokument, që është siguruar nga Schemes, një projekt hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, vjen derisa luftimet në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës vazhdojnë. Forcat ruse atje po zhvillojnë ofensivën nga disa fronte, kundër rezistencës së fortë ukrainase.

Ky propozim, po ashtu, vjen në kohën kur zyrtarët rusë kanë dhënë sinjale se duan të organizojnë referendume në pjesë të rajoneve ukrainase: Donjeck dhe Luhansk. Pjesë të mëdha të këtyre dy rajoneve kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë për pothuajse tetë vjet. Por, Rusia dëshiron që të mbajë referendum edhe në rajonin tjetër ukrainas, Herson.

Votimi në këto referendume do të kishte për synim bashkimin e rajoneve të pushtuara me Rusinë, ngjashëm sikurse ka ndodhur në Krime, më 2014.

Vetëm disa ditë para nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se Rusia po njihte rajonet Donjeck dhe Luhansk si shtete të pavarura – një vendim që Kievi dhe shumica e shteteve të botës e kundërshtuan.

14:35 – Teatri i operas Bolshoi do të anulojë shfaqjet e dy kritikëve të luftës

Teatri i Operas Bolshoi në Moskë, njoftoi se do të anulojë shfaqjet e regjisorëve Kirill Serebrennikov dhe Timofey Kulyabin, që kanë folur kundër luftës në Ukrainë, sipas agjencisë AFP. Mbrëmë, teatri i njohur rus njoftoi se në vend të tre shfaqjeve të baletit “Nureev”, i drejtuar nga Serebrennikov, audienca mund të ndjekë baletin “Spartacus” të drejtuar nga Aram Khachaturian.

Teatri prestigjioz po ashrtu njoftoi se në vend të operas komike “Don Pasquale” të Donizettit, të drejtuar nga Timofey Kulyabin, audienca këtë javë mund të shohë “Berberin e Seviljes”, të Rossinit.

Bolshoi nuk dha arsye për anulimin e shfaqjeve dhe një zëdhënëse i tha sot agjencisë AFP se ajo nuk “kishte asnjë koment zyrtar”.

Kirill Serebrennikov, 52 vjç, u lejua të largohej nga Rusia, ku ishte shpallur fajtor në vitin 2020 për vjedhje fondesh nga Qendra Gogol e Moskës. Mbështetësit e tij thonë se dënimi ishte hakmarrje për kritikat që ai kishte bërë për autoritarizm dhe homofobi të Presidentit Vladimir Putin.

Muajin e kaluar ai tha në Berlin se ndiente “tmerr, zemërim, turp dhe dhimbje”, për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Kulyabin, 37 vjeç, i cili mendohet se jeton në Evropë, po ashtu ka folur kundër vendimit të presidentit Putin për të dërguar trupa në Ukrainë.

Disa balerinë të njohur janë larguar javët e fundit nga Bolshoi, pëfshirë prima-balerinën Olga Smirnova.

10:00 – Vazhdon evakuimi i civilëve nga Mariupoli

Rreth 100 civilë ukrainas, të evakuuar nga Mariupoli, pritet të arrijnë gjatë ditës në qytetin juglindor të Zaporizhjas, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Qindra të tjerë vazhdojnë të mbeten në bunkerë, nën fabrikën e çelikut, Azovstal, në qytetin e rrethuar, që është port në Detin Azov.

Zëdhënësi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Saviano Abreu, tha se përpjekjet për t’i nxjerrë njerëzit nga Azovstali po bëhen në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarët ukrainas dhe rusë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se numri i të evakuuarve është 80 dhe shtoi se “ata që kanë dashur të largohen në zonat e kontrolluara nga regjimi i Kievit, u janë dorëzuar përfaqësuesve të OKB-së dhe të Kryqit të Kuq”.

Zyrtari i Gardës Kombëtare të Ukrainës, Denys Shleha, tha se do të duhen së paku edhe dy përpjekje të tjera evakuimi, për t’i nxjerrë të gjithë civilët nga Azovstali.

“Disa dhjetëra fëmijë të vegjël janë ende në bunkerët poshtë uzinës”, tha ai.

8:50 – Lavrov: Rusia nuk synon të përfundojë luftën më 9 Maj

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj, tha ministri i Jashtëm i këtij vendi, Sergei Lavrov.

Duke folur për median italiane Mediaset, ai tha se Moska nuk do të nxitojë të përfundojë të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” deri në këtë datë.

Nëntë Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate – përfshirë Bashkimin e atëhershëm Sovjetik – më 1945.

“Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores”, tha Lavrov.

“Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus”, shtoi ai.

Rusia zakonisht shënon Ditën e Fitores me një paradë të madhe ushtarake në qendër të Moskës dhe me një fjalim të presidentit Vladimir Putin, që përshëndet rolin udhëheqës të vendit të tij në mposhtjen e fashizmit në Evropë.

Por, festimet e këtij viti vijnë nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Putin e ka justifikuar me pretendimet se fqinji i tij duhet të “denazifikohet” dhe “çmilitarizohet” për të shpëtuar popullatën rusishfolëse atje.

Mijëra civilë janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj më 24 shkurt.

Rusia ka thënë se mbi një mijë ushtarë të saj janë vrarë, por Ukraina pretendon se humbjet e Rusisë janë shumë më të mëdha.

Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin e Moskës dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërkohë që Kievin është duke e ndihmuar me armatim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button