BAJRAM: METAFIZIKË E SOCIABILITET

“Pa përpjekje për ta bërë parajsë këtë botë, s’mund të arrihet parajsa e botës tjetër.”

Një ramazan ndryshe nga dy pararendësit e periudhës së koronavirusit jemi kah përcjellim sonte. Një ramazan i natyrshëm, siç jemi mësuar. Pa kufizime tmerruese që zbehnin klimën shpirtërore. Pjesa e fundit e ditës së mbramë të metafizikës së zbritur në rrafshin social. Njëzet e pesë minuta para iftarit, të mbledhur para TV-së dhe tavolinës së iftarit. “Oh sa keq, iku i bekuari, sa bet do jenë ditët pa agjërim” – u shpreh drithërueshëm anëtari më i vjetër i familjes, nëna 73-vjeçare, që ka kaluar një sërë ramazanesh e agjërimesh nga më minimalistet e deri te këto të konsumerizmit, nga sofra me ushqim të njëtë çdo ditë, deri te iftaret e bollëkut nga të cilat s’na ndali as “Kriza globale 2022”.

Dhe ca pikla loti në fytyrën e saj të rudhur nga mallëngjimi për shkak të ndarjes nga misafiri qiellor. Është thënë se emocionet s’mund të fshehen. Ajo që është në zemër e mendje doemos shpërthen jashtë.
Vërtet përfundoi një periudhë e çasteve të shenjta, e freskisë hyjnore, e ditëve madhështore për besimtarin si qenie që ka periudha të caktuara kur fetaria e tij fuqizon intensitetin, kur kalon në një botë tjetër, në një modus jetese të katarsisit dhe të përndritjes e të lartësimit vetjak dhe kolektiv. Muaji që lamë pas ka refleksione psikologjike, sociologjike, antropologjike. Fryma apo shpirti i njeriut gjatë këtij muaji është shumë më pozitiv, i afrohet botës engjëllore. Raportet ndërnjerëzore kalojnë në një përmasë tjetër, të afrisë, të përbashkimit, të radhëve të drejta në lutje, të destratifikimit, të humbjes së shenjave dalluese pasurore e statusore gjatë orëve të abstenimit dhe përtej. Barazi absolute mes ndjekësve të porosisë për uri dhe etje me dëshirë. Dhuruesit anonimë si kulm i fetarisë më së tepërmi dalin në aksion gjatë këtij muaji. Blejnë furra buke për një muaj, përgatisin pako ushimore, shpërndajnë rroba e gjëra të tjera, pa dashur që të tregohen. Devocion i mirëfilltë.

Një muaj i dinamizmit dhe ritmit të veçantë: mobilizim gatimi, adhurimi, takimi të çdombrëmshëm në sofër, garë në dhurim, në solidarizim, në ndjesi dhe përfaqësime të përbashkëta. Çfarë ritmike e kulture sui generis, atmosferë e papërshkrueshme, që s’mund të ilustrohet me gjuhën dhe fjalët e kufizuara. Mundet vetëm të përjetohet. Xhamia, ky vendbashkim që si etimologji është e përbashkët me universitetin, për 30 ditë nëpërmjet diskursit teologjik gdhendi dhe qetësoi unin tonë, na transferoi, na shndërroi; tentoi të na ndryshojë, të na shmangë nga djallëzorja, nga e keqja, e shëmtuara; u mundua të na estetizojë, të na përmirësojë, të na afrojë me figurën ideale të synuar nga porosia kur’anore dhe profetike, të na perfeksionojë, të bëjë insan-i kamil (njeri i plotënisë); të na bëjë tok me vlerat dhe të na distancojë nga veset. Faltorja si institucion arsimor-edukativ tjetërfare, ku nuk jepen diploma letre por syresh abstrakte ishte epiqendra e miliona myslimanëve anekënd botës, mban kurse njerëzishmërie nga të cilat shumë njerëz dalin të ndryshëm, me dije dhe në veçanti me edukatë e terbije të cilën duhet ta bëjnë përditshmëri, ta vazhdojnë edhe në ditët e tjera të vitit. Dhe bereqeti i këtyre ditëve të numëruara afroi myslimanët edhe me të tjerët, edhe me pjesëtarët e feve të tjera. Shumë iftare u stolisën edhe me jomyslimanë që ndjenë atë çastin e ezanit dhe të darkës së jashtëzakonshme të ngjizur me bekim nga lartësitë. Ramazani është kthim i njeriut te vetja natyrale, te dashnia ndaj vetes dhe tjetrit.

Dhe sot, është ditë bajrami. Siç tregon origjinali në persishte bezrem/bezram, është ditë gëzimi, kremtimi. Besimtarët festojnë, përmbyllin një cikël specifik të jetës. Bëjnë bajram, lumturohen. Luten e falen në agim, në sabah, kthehen në shtëpitë e tyre të ngazëllyer, me dukje dhe brendësi të evoluuar, me bindje se kanë avancuar si njerëz, familje, bashkësi, shoqëri. Vizitojnë njëri-tjetrin, farefisin, shtëpi më shtëpi, takohen edhe me atë që s’janë parë, shkëmbejnë urime, shtojnë dashurinë, shijojnë ëmbëlsinë e ditës kur ka vetëm përnderim, urti, respekt dhe fjalë pozitive. Bajrami në fakt nuk është as sheqerka e as bakllava. Është shumë shumë më tepër. Çfarë reduktimi do të ishte një perceptim i tillë, që nyk i hyn në të esencës së kësaj feste. Bajrami është simbolikë melhemi në këtë botë të ultra-materializuar, të individualizmit skajësor kur njeriu është shkëputur nga tjetri, kur shikon vetëm punët dhe hallet e veta, kur egoizohet nganjëherë sa s’bën. 360 ditët tjera s’kanë forcë që të na ngjeshin kaq fuqishëm mes veti. Ramazani e bajrami janë armaturë sociale që mban ndërtesën e ummet-it (bashkësisë globale) dhe të kombit gjithashtu. “Feja është zinxhiri më i fuqishëm social” – ka thënë Hobbes-i. Pa fe, në komunizëm humbëm vlerat, ramë, u degraduam, u shfetarizuam, u deislamizuam, u dobësuam kombëtarisht, madje edhe u deshqiptarizuam.

Sot tridhjetë vite pas rënies së regjimit socialist po shënohet një rikthim i fetarisë, i sensit religjioz, dhe emocionet dhe atmosfera e bajramit ndjehet kudo, te besimtarët praktikantë, te jopraktikantët, madje edhe te ata që deklarohen se jofetarë, laikë apo agnostikë. Këtë e solli liria, kjo vlerë sublime që është si uji për njeriun, pa të s’ka jetë. Në bajram harrohen hidhërimet, jepet dora e pajtimit, rritet shkalla e kohezionit, bëhen lutje për paqë në vend dhe në botë, për mirëqenie gjithandej, për ndalim të lotëve, për lumturi për çdo frymor, për prehje universale. Sa mësim të bukur na japin ramazani dhe bajrami: koha kalon, shumë shpejt, jeta jonë harxhohet si ditët e ramazanit, ky është ligj i Zotit që s’ndryshon dot, kanun hyjnor. Andaj ta shfrytëzojmë çdo çast, çdo ditë për të lënë gjurmë, për t’u mbajtur mend me të mira, për t’u bërë të pavdekshëm me bëmat tona. Mësimi tjetër: në fund të çdo pune vjen shpërblimi, pjesa e festimit, e kënaqjes me rezultatet e investimit, e mundit të dhënë. Qoftë ky bajram një rast për të bërë vetëllogarinë, për t’iu kthyer thelbit tonë dhe për të tentuar që porosia e tij të na ndjekë deri në bajramin tjetër.

T’i mbajmë pastër shtëpitë dhe habitatin tonë siç na i gjeti bajrami, të mundohemi që edhe më tepër ta ruajmë higjienën e brendshme tonën, të ruajmë dashurinë, disponimin dhe mirësjelljen prore, të frymojmë gjithnjë në favor të së mirës. Të agjërojmë nga shëmtitë edhe pas ramazanit. Ta mendojmë e ta përkujtojmë Zotin edhe ditët e pasramaznit dhe të pasbajramit. Të jemi gjithnjë aktivë në kërkim të më të mirës. Duhet të dimë se pa u përpjekur për ta bërë parajsë këtë botë, s’mund ta arrijmë parajsën e botës tjetër.
Çdo ditë e juaja qoftë bajram, qoftë festë! Gëzofshi edhe shumë syresh me familjet e juaja në shëndet, paqe e lumturi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button