Politikat e dështuara ekonomike të Qeverisë së RMV-së

Kriza ekonomike botërore që u shkaktua nga agresioni rus në Ukrainë, por edhe ajo e pandemisë kanë ndikuar në punën e Qeverisë të Maqedonisë së Veriut sa i përket realizimit të programit të saj, por sikur të hartohej një strategji më e mirë, pasojat do të ishin më të vogla. Kështu thonë njohësit e çështjeve politike dhe të ekonomisë duke komentuar 100 ditët e para të punës së Qeverisë së kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ttransmeton REL.

Branimir Jovanoviq, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se në muajin e parë të punës, Qeveria u përball mirë me krizën ekonomike duke parandaluar pasojat më serioze nga kriza energjetike, por më pas ajo, sipas tij, dështoi me politikën e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të burimeve të energjisë.

“Ajo e filloi mirë me valën e parë të krizës energjetike, parandaloi një rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike, parandaloi mundësinë që vendi të mbetet edhe pa energji, apo të ketë reduktime, siç ndodhi në Kosovë. Por, e gjithë kjo u rrënua tani së fundi duke lejuar rritjen enorme të çmimit të produkteve ushqimore, por edhe të derivateve të naftës dhe burimeve tjera të energjisë. Ajo bëri gabim duke hequr vendimin për ngrirjen e çmimeve për ushqimet dhe duke ngrirë marzhën gjë që çoi në rritjen e madhe të çmimeve”, thotë Jovanoviq.

Ai si gabim të Qeverisë e vlerëson edhe lejimin e ngritjes së çmimeve të karburanteve duke mos hequr dorë nga tatimet që sillen deri në 50 për qind të çmimit të benzinës dhe naftës. Ai beson se këtë Qeveria mund ta ketë bërë për shkak të afërsisë me kompanitë e naftës, por që në anën tjetër e ka rënduar buxhetin e qytetarëve duke çuar në shtrenjtimin e transportit.

Gabim tjetër në punën e Qeverisë, njohësi i çështjeve ekonomike, Branimir Jovanoviq, sheh edhe në siç thotë “kokëfortësinë” e qeverisë për të mos rritur pagat e punonjësve të administratës, në veçanti të punonjësve të arsimit, të cilët për gati dy javë ishin në grevë, por edhe në dështimin e politikave për investimet kapitale.

“Sa i përket investimeve kapitale këtu nuk kemi asnjë zhvillim pozitiv, apo asnjë ndryshim nga ajo që është bërë në 15 vjetët e fundit. Në dy muajt e fundit investimet kapitale janë realizuar në masën e vetëm 8 për qind, gjë që është më keq se në vitet e kaluar. Ne kemi bërë edhe parashikime të reja mbi rritjen ekonomike dhe nëse deri tani ishin në rreth 3.5 për qind, sipas vlerësimeve të reja, rritja ekonomike nuk do të jetë më e lartë se 2.5 për qind, pra mund të jetë edhe më pak se kaq”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Jovanoviq.

Sa i përket premtimeve tjera të partive që përbëjnë Qeverinë aktuale, posaçërisht të Bashkimit Demokratik për Integrim, për zhvillimin e zonave të banuara me shqiptare, por edhe për reformat në gjyqësor, njohësi i çështjeve politike, Mersel Bilalli, thotë se shumë pak është bërë në realizimin e këtyre premtimeve.

“Unë mendoj se për vetting-un flitet vite me radhë, kështu që nuk jam i prirë që seriozisht ta marr parasysh atë ofertë, ndërsa sa i përket aspektit zhvillimor dhe ekonomik, nga BDI-ja në këto 20 vjet një fjali nuk e kemi dëgjuar përveç një sugjerimi disa vite më parë për mbjelljen e trangujve. Dhe, në këtë drejtim nuk pres ndonjë ofertë serioze në zhvillimin e vendit, sidomos në pjesën shqiptare”, thotë Bilalli.

Sipas tij, kriza ekonomike, mungesa e perspektivës, politizimi i institucioneve, bllokimi i procesit të integrimit evropian, por edhe probleme tjera kanë bërë që popullata, kryesisht të rinjtë, të ikin jashtë vendit për çka flet edhe regjistrimi i popullsisë, sipas të cilit numri i popullsisë është ulur për rreth 10 për qind, apo mbi 200 vendbanime kanë mbetur pa njerëz.

“Kryeministri i ri do të duhet të ofrojë një program serioz, kështu që njerëzit duhet të kenë ofertë serioze, mbase ne ndeshemi me një shpërngulje marramendëse, sidomos në Maqedoninë Perëndimore e deri në Strugë”, vlerëson Bilalli.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski punën e deritashme të Qeverisë e ka vlerësuar të suksesshme.

“Kishim njëqind ditë sfida të ndryshme, por në fund Maqedonia e Veriut do të dalë fitimtare”, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit, prioritet në punën e Qeverisë ishte “ruajtja e standardit jetësor të qytetarëve në kushtet e krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike dhe ushtarake”.

Por, partitë opozitare, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët, 100 ditët e para të punës së Qeverisë i kanë vlerësuar si të dështuara duke theksuar se ajo, sipas tyre, paraqet “vazhdimësi të qeverisjes së kaluar kriminale”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button