Senatori amerikan Murphy tregoi për mesazhet që dhanë te liderët në Kosovë dhe Serbi

Sapo jam kthyer nga një udhëtim katër-ditor në Ballkan dhe, siç e kam zakon pas udhëtimit tim diplomatik, e kam shkruar një raport të sinqertë, të prapaskenave të udhëtimit tim. Pra, në vijim mund ta lexoni raportin e shkurtër të vizitës sime në Serbi, Kosovë, Bosnje – Hercegovinë dhe Belgjikë.

Konektikati (Connecticut) është shtëpia e një komuniteti të madh dhe aktiv shqiptar. Është ky komunitet dhe shqetësimet që ata m’i kanë ngritur mbi gjendjen e brishtë të paqes në atdheun e tyre, që fillimisht ngjalli interesin tim për ta vizituar Evropën Juglindore. Por, ndërkohë që kam udhëtuar përsëri në Ballkan gjatë dekadës së fundit në rolin tim si anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, kam fituar një vlerësim për mënyrën sesi rajoni – një vend ku shpesh nisin konfliktet globale – është një rajon kyç për Shtetet e Bashkuara dhe gjithnjë e më shumë një fushëbetejë midis interesave të SHBA-së dhe Rusisë.

Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, senatori i New Hampshire Jeanne Shaheen – udhëheqësja tjetër e Senatit për Ballkanin – dhe unë filluam ta diskutonim rëndësinë e një udhëtimi të Kongresit në Ballkan. Teksa shikonim kolegët tanë të tjerë të fokusuar në Ukrainë duke bërë pelegrinazhe në Poloni dhe në Baltik, e dinim se objektivi i ardhshëm i Rusisë mund të mos ishte një shtet i NATO-s, por në vend të kësaj një grup i konflikteve të mundshme të vendeve të vogla në cepin juglindor të Evropës. Ballkani tani ka më shumë se njëzet vjet pas luftërave civile në vitet 1990, por paqja atje mbahet bashkarisht përmes fijeve të brishta dhe, ndërkohë që suksesi i Ukrainës në luftë po e bën Putinin gjithnjë e më të dëshpëruar, ai ka të ngjarë t’i kthehet Ballkanit – ku ai ka ndikim dhe përfaqësues – të përpiqet të krijojë probleme për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Ne e ftuam gjithashtu senatorin republikan Thom Tillis nga Karolina e Veriut për të na u bashkuar. Të hënën në mbrëmje pas Pashkëve, Shaheen, Tillis dhe unë e nisëm udhëtimin tonë.

Beograd

Ky udhëtim ndodhi me ritme marramendëse. Katër qytete në katër ditë. Me nga një natë në katër hotele. Katërmbëdhjetë orë ditë nga e hëna në të premte.

Ndalesa jonë e parë ishte Beogradi, Serbi. Me kalimin e viteve, unë kam zhvilluar një marrëdhënie me presidentin e fuqishëm të vendit, Aleksandar Vuçiq – ne shpesh drekojmë kur ai viziton Uashingtonin. Kur arritëm në zyrat presidenciale, ai e përshëndeti ngrohtësisht delegacionin tonë. As Shaheen dhe as Tillis nuk e kishin takuar më parë Vuçiqin, kështu që unë e nisa takimin tonë me një set tipik, të gjatë të vërejtjeve diplomatike për miqësinë e gjatë midis dy kombeve tona. Dy minuta pas monologut tim prezantues, Vuçiq ma ndërpreu fjalën.

“Kris, Kris, Kris, ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Ndaloje këtë formalitet. Çfarë doni të dini? Do t’ua them.”

“Ok, Aleksandër,” iu përgjigja paksa konfuz. “Ne duam ta dimë këtë – do të qëndroni pranë me kombet demokratike dhe do ta sanksiononi Rusinë, apo do të vazhdoni të luani me të dyja palët?”

Kjo na futi në një bisedë të gjatë dhe të sinqertë për dëshirën historike të Serbisë për t’u ulur, siç thonë në Ballkan, në dy karrige. Një në Evropë dhe një në Rusi. Vuçiq e kishte menaxhuar me shkathtësi këtë ekuilibër për vite me radhë, por tani pushtimi i Ukrainës e ka vënë atë të marrë një vendim. Bashkimi Evropian – anëtar i të cilit Serbia dëshiron të bëhet – nuk do ta lejojë Vuçiqin të ulet në të dyja karriget edhe më tutje. Ai do të duhet të zgjedhë njërën anë dhe me kalimin e orës, ne e shtymë Vuçiqin në disa hapa afatshkurtra që ai mund t’i bënte drejt marrjes së një zgjedhjeje të duhur.

“Më telefononi pas gjashtëdhjetë ditësh,” na tha ai ndërkohë që takimi u ndërpre. “Kontrolloni nëse kam bërë atë që po ju them se do ta bëj.”

“Pra, kemi një datë”, i thashë atij.

Sarajevë

Gjatë udhëtimeve të mia të shumta në rajon, disi nuk kisha qenë kurrë në një nga qytetet më magjike të Ballkanit – Sarajevë. E vendosur në një luginë të vogël në Alpet Dinarike, Sarajeva është një përzierje magjepsëse e arkitekturës austro-hungareze dhe osmane, që përfaqëson dy kulturat që vazhdojnë t’i japin një pamje tërheqëse këtij qyteti ndërkombëtar. Duke lëvizur nëpër qytet, mund të shihni dëshmitë e së kaluarës së tij të dhunshme dhe të afërt. Vrimat e plumbave mbulojnë rrugën kryesore të qytetit, me nofkën “Rruga e Snajperëve”, sepse ajo ishte e rrethur me snajperë serbë, të cilët qëllonin mbi boshnjakët që banonin në qytet teksa kalonin përmes qytetit të rrethuar.

Shtresa e ulët e reve e vonoi udhëtimin tonë me avion për në Sarajevë nga Beogradi të mërkurën në mëngjes, kështu që në kohën kur arritëm atje na u desh t’i anashkalonim takimet tona të mëngjesit dhe të vazhdonim drejt në angazhimin më të rëndësishëm të ditës – takimin tonë me tre presidentët e Bosnje-Hercegovinës. Ambasadori ynë i shkëlqyer, Majkëll Murfi, na dha disa infomacione nxitimthi teksa po udhëtonim me furgon nga aeroporti dhe ne e hartuam strategjinë me të se si t’i qasemi takimit.

Qysh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit mbi njëzet vjet më parë, paqja më e vështirë për t’u mbajtur në rajon ka qenë në Bosnje. Ndërkohë që shumica e shteteve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të viteve 1990 kishin një grup etnik dominues, kufijtë e Bosnjës përfshinin një popullsi të madhe të serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë. Kështu, Marrëveshja e Dejtonit bëri thirrje për një marrëveshje formale për ndarjen e pushtetit, ku dega ekzekutive do të përfshinte tre presidentë – një që e përfaqësonte secilin grup. Për pak kohë, tre presidentët gjetën me padurim kompromisin e nevojshëm për ta mbajtur shtetin e ri funksional. Por së fundmi, kryesisht për shkak të kokëfortësisë dhe retorikës separatiste të presidentit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, presidenca trepalëshe është futur në krizë, e paaftë për të marrë ndonjë vendim. Si rezultat, Dodik, i mbështetur nga Rusia, ka filluar të bëjë plane për t’i ngritur institucionet e tij qeveritare vetëm serbe. Kjo mund të çojë në luftë civile dhe katastrofë për rajonin – pikërisht llojin e kaosit që Putini do të përkrahte dhe do ta nxiste.

Përgatitja jonë për takimin kishte pak rëndësi. Dodik dhe udhëheqësit kroatë dhe boshnjakë ishin më të interesuar të debatonin me njëri-tjetrin sesa ta bënin një dialog aktual me ne. Ne po rrinim ulur dhe gojëhapur teksa ata fyenin dhe ankoheshin mes vete, të interesuar qartësisht vetëm për përkeqësimin e krizës ekzistuese. U përpoqëm t’u shpjegonim atyre se si Amerika ka luftuar prej kohësh me të njëjtat çështje me të cilat përballet Bosnja – të dyja kombet tona janë multikulturore me ndarjen e pushtetit midis një qeverie të fortë kombëtare dhe qeverive të forta shtetërore. Por ata mezi po na dëgjonin dhe ne u larguam nga ai takim shumë të shqetësuar për stabilitetin afatshkurtër të këtij vendi të rëndësishëm.

Ndërkohë që po përgatiteshim për një konferencë për media pas takimit, një zyrtare për media e ambasadës së SHBA-së na tha se kishte dy tema të ndjeshme për të ngritur në pritje të pyetjeve nga mediat boshnjake. Së pari, ajo tregoi se audioja e prezantimeve të takimit kishte kapur njërin prej nesh duke i thënë Dodikut, i cili është subjekt i sanksioneve të SHBA-së, “Më vjen mirë të ju shoh, President Dodik”.  Ajo ishte e shqetësuar për konotacionin e sugjerimit nëse është “mirë” ta shohësh dikë që është në listën e sanksioneve të SHBA. Ne qeshëm dhe i thamë se nuk ishte diçka për t’u shqetësuar. Së dyti, ajo na tha se mund ta kemi një pyetje në lidhje me një pretendim që Dodik e ka bërë kohët e fundit – se SHBA dhe Britania po planifikojnë ta rrëmbejnë atë dhe ta mbyllin në një bodrum pa dritare. Qeshëm përsëri – por më pas kuptuam se ajo e kishte vërtet seriozisht.

“Si thoni që të pajtohemi për një përgjigje me vetëm një fjalë për këtë pyetje nëse veç parashtrohet”, tha Tillis. “Absurde.”

Ndërkohë që ishim në Serbi, qëllimi ynë ishte të arrinim progres diplomatik për qëllimet e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, këtu, në Sarajevë pra, ishte e qartë se misioni ynë do të ishte kryesisht një faktmbledhës. Senatori Shaheen, senatori Tillis dhe unë kaluam pjesën tjetër të udhëtimit tonë duke i diskutuar implikimet e takimit tonë me presidentët dhe angazhimet tona të tjera në Sarajevë dhe filluam së hartuari një strategji se si Kongresi mund ta trajtojë krizën në rritje të stabilitetit në Bosnje.

Prishtinë

Prishtina është një nga qytetet e mia të preferuara në botë. Kosova është një vend i ri në dy mënyra: së pari, vetë shteti është vetëm trembëdhjetë vjeç i ri, pasi është themeluar si i fundit nga shtetet e reja post-Jugosllave; së dyti, popullsia është gjithashtu shumë e re, ku mbi 65% e kosovarëve janë nën moshën tridhjetë vjeç. Ky fakt i jep kryeqytetit të vogël një atmosferë të gjallë dhe energjike që kam arritur ta admiroj thellësisht.

Në Prishtinë kishim dy detyra kryesore. E para ishte rishikimi i programit të përpunimit të refugjatëve afganë që funksionon jashtë Kampit Bondsteel, një bazë e ushtrisë amerikane në jug të Prishtinës, dhe për t’i shprehur falënderimet tona për të gjithë anëtarët e shërbimit amerikan dhe civilët që jetojnë dhe punojnë në kushte të vështira. Shtetet e Bashkuara dhanë mbështetje të rëndësishme morale dhe politike për Kosovën në krijimin e pavarësisë së saj dhe miqësia mes dy kombeve tona është e thellë. Pra, kur i kërkuam Kosovës që t’i presë refugjatët afganë derisa ata ta presin verifikimin dhe ekzaminimin përpara se të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, Kosova e pranoi menjëherë kërkesën tonë.

Shumica e refugjatëve tashmë janë larguar nga kampi Bondsteel. Kanë mbetur vetëm rreth 75 sosh – individë që u identifikuan në kontrollin fillestar dhe për ta kërkohet ekzaminime të mëtejshme. Por për këta 75, këto janë kohëra të vështira. Ata kanë parë qindra refugjatë teksa largohen nga kampi Bondsteel për një jetë të re në Amerikë, dhe sa herë që niset një autobus, emrat e tyre nuk janë në listë për largim. Për disa, e kaluara e tyre mund të nënkuptojë se ata nuk do të pranohen asnjëherë në SHBA. Fola me një burrë që po priste në radhë për t’i prerë flokët, i cili kishte qenë në Kampin Bondsteel për muaj me radhë me djemtë e tij 13 dhe 14-vjeçarë. Ai kishte punuar afër me forcat amerikane në Afganistan, fliste rrjedhshëm anglisht dhe më shpjegoi se sa e vështirë është ta kesh gjithë jetën e tij në harresë.

“Fëmijët e mi po vuajnë, pa e ditur nëse mund të largohemi ndonjëherë”, më tha ai. “Po sikur të mos arrijmë në Amerikë? Nuk është e sigurt për ne të kthehemi në Afganistan. Çfarë të bëjmë ne?”

Ishte kjo një pyetje e tij të cilës nuk mund t’i përgjigjesha.

Detyra jonë e dytë ishte t’i jepnim një mesazh të fortë qeverisë së re të Kosovës në takimet tona me Presidenten e re, Vjosa Osmani, dhe aktivistin e shndërruar në kryeministër, Albin Kurti. Dëshira e Kosovës është antarësimi në NATO si dhe në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, Serbia dhe Kosova duhet ta arrijnë një marrëveshje në të cilën të dyja duhet ta pranojnë ekzistencën legale shtetërore të njëri-tjetrit. Një dialog drejt këtij qëllimi është në proces, por sikurse qeveria serbe ashtu edhe ajo e Kosovës nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm dhe së fundmi, qeveria e Kurtit ka qenë veçanërisht kokëfortë në vazhdimin e bisedimeve.

Brenda të dyja takimeve, Shaheen, Tillis dhe unë ishim në mënyrë rigoroze konsistent në mesazhin tonë mbi nevojën për t’u rikthyer në bisedime serioze me Serbinë. Për shumë çështje të brendshme, ne mund ta shohim veten lehtësisht në kundërthënie. Unë jam një demokrat progresiv, senatori Shaheen është një demokrat më i moderuar dhe senatori Tillis është një republikan konservator. Unë kam udhëtuar shumë herë më parë me Shaheen, por kjo ishte hera e parë që ne të tre punonim së bashku jashtë shtetit. Kimia jonë ishte e natyrshme dhe në takimet tona me Kurtin dhe Osmanin, mendoj se që të dy u impresionuan nga mesazhi ynë i koordinuar dypartiak.

Bruksel

Në udhëtimin tonë për në Shtetet e Bashkuara, ne bëmë një ndalesë të shpejtë në Bruksel për ta marrë një përditësim mbi luftën në Ukrainë në selinë e NATO-s dhe për t’u takuar me liderë të lartë të Bashkimit Evropian për politikën e Ballkanit. Senatori Shaheen u largua me një fluturim pasdite të së premtes, senatori Tillis u nis për në hotel herët për të fjetur për fluturimin e tij të hershëm në mëngjesin e së shtunës për në Charlotte, dhe unë u nisa për të darkuar me ambasadorin tonë në Bashkimin Evropian, Mark Gitenstein.

Ambasadori Gitenstein më ofroi në xhiro në rezidencën e ambasadorit, e cila është arranzhuar në mënyrë të përsosur. Sinqerisht, Gitensteini modest, një nga këshilltarët dhe miqtë më të vjetër dhe më afatgjatë të Joe Biden, ishte pak i turpëruar nga madhështia e dizajnit. Ai më shpjegoi se gjatë një viti që ambasadori i Trump, Gordon Sondland (ai që e udhëhiqte skemën e ryshfetit të ndihmës për zgjedhjet e Trump në Ukrainë) jetoi në këtë shtëpi, e ndërmori një rinovim prej 3 milionë dollarësh, të gjitha me shpenzimet e tij.

“Epo, jam i kënaqur që ai bëri një gjë të mirë sa ishte këtu,” bëra shaka.

Të shtunën në mëngjes, u nisa për në aeroport drejt shtëpisë, thellësisht i shqetësuar për të ardhmen e Bosnjës. Siç na tha ambasadori ynë ndërsa ishim në Sarajevë, “nëse dhuna fillon në Bosnje, i gjithë rajoni do të përfshihet”. Më vjen mirë që senatori Shaheen, senatori Tillis dhe unë kemi rënë dakord ta formojmë një ekip dypartiak për të punuar në këtë krizë të mundshme. Pavarësisht nga shenjat parandjenjëse në Bosnje-Hercegovinë, unë u largova nga rajoni me shpresë se – me ndihmën e angazhimit të vazhdueshëm të Kongresit – ndoshta ky është momenti që Serbia mund të fillojë të bashkohet me Evropën në një politikë më të ashpër ndaj Rusisë. Ky do të ishte një zhvillim i madh për Shtetet e Bashkuara.

Përfundimisht, pasi u ula në ulësen time në fluturimin e United Airlines për në shtëpi, u ndjeva optimist se udhëtimi ynë vorbullues katër-ditor në katër qytete do ta ketë bërë një ndryshim.

Senator Chris Murphy

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button