Dita 66: U sulmua me raketa aeroporti i Odesës

Në hapësirat e shtetit të Ukrainës vazhdojnë të veprojnë forcat ushtarake ruse, duke shkatërruar hapësira urbane kryesisht në lindje të shtetit. Ndërkohë, në tavolinat e negociatave nuk ka shenja që do të ketë zgjidhje të problemit, armëpushim, transmeton Portalb.mk.

22:34 – U sulmua me raketa aeroporti i Odesës

Një sulm i forcave të Rusisë me raketa shkatërroi pistën e aeroportit të Odesës, qyteti i tretë më i madh i Ukrainës dhe një port kyç i këtij vendi në Detin e Zi, njoftoi ushtria ukrainase të shtunën.

Në një postim në Telegram, Komanda Operacionale në jug të Ukrainës tha se pista e aeroportit të Odesës është bërë e papërdorshme për shkak të goditjes me raketa.

Autoritetet lokale u kërkuan banorëve të zonës të strehohen pasi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN, duke cituar burime të ushtrisë, njoftoi se në Odesa ishin dëgjuar disa shpërthime.

Guvernatori rajonal i Odesës Maksym Marchenko tha se raketa që goditi pistën e aeroportit ishte lëshuar nga Krimea, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Zoti Marchenko tha se nuk kishte raportime për të lënduar.

Forcat ruse kanë nisur një operacion të madh ushtarak për të pushtuar pjesë të konsiderueshme të Ukrainës jugore dhe lindore, zemra industriale e vendit si dhe për të marrë kontrollin e vijës bregdetare në Detin e Zi dhe atë Azov.

17:17 – Përpjekje për të ndalur përparimin e Rusisë në juglindje të Ukrainës

Të shtunën forcat ukrainase luftuan për të penguar përparimin e trupave ushtarake të Rusisë në juglindje të vendit. Kremlini po bën përpjekje të pushtojë rajonin industrial të Donbasit. Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se ofensiva e Moskës po ecën shumë më ngadalë sesa ishte parashikuar.

Nga ana tjetër Kombet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar evakuimin e civilëve nga qyteti i shkatërruar i Mariupolit, një qytet-port në jug të Ukrainës, të cilin Rusia është përpjekur ta marrë nën kontroll, që prej fillimit të sulmit ndaj këtij vendi, më shumë se nëntë javë më parë.

Banorët që ndodhen në një fabrikë çeliku në Mariupol po luten të shpëtojnë tha të premten kryebashkiaku Vadym Boichenko. Fabrika është shndëruar në bastionin e fundit të mbrojtjes së qytetit dhe në të ndodhen rreth 2 mijë luftëtarë, si dhe rreth 1 mijë civilë.

Në një intervistë për agjencisë shtetërore kineze të lajmeve “Xinhua” ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se negociatorët rusë dhe ukrainas flasin pothuajse çdo ditë. Por përparimi shtoi ai nuk ka qenë i lehtë.

Sulmet ajrore dhe breshëritë e artilerisë e kanë bërë jashtëzakonisht të rrezikshme lëvizjen e gazetarëve dhe kjo e ka bërë të vështirë sigurimin e një tabloje të plotë të luftimeve në lindje. Si Ukraina ashtu edhe rebelët e mbështetur nga Moska që luftojnë në lindje, po zbatojnë kufizime të rrepta mbi njoftimet nga zonat e luftimeve.

Nga pikëpamja numerike, fuqia ushtarake e Rusisë e tejkalon shumë atë të Ukrainës. Në ditët para fillimit të luftës, sipas zbulimit perëndimor, Moska kishte pozicionuar pranë kufirit 190 mijë trupa ndërkohë ushtria e përhershme e Ukrainës llogaritet në rreth 200 mijë trupa.

Forcat ruse dhe ato separatiste duket se kanë bërë përparime të vogla në Donbas prej momentit që Moska njoftoi se do të përqendronte forcën e saj ushtarake në Ukrainën lindore.

Ky zhvillim vjen pjesërisht për shkak të rezistencës së fortë ukrainase. Sipas një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti, Uashingtoni beson se rusët janë të paktën disa ditë prapa me objektivat e tyre ndërsa përpiqen të rrethojnë trupat ukrainase në lindje.

Ministria britanike e Mbrojtjes ofroi një vlerësim të ngjashëm duke thënë se beson se forcat ruse në Ukrainë ka të ngjarë se po përballen me një dobësim të moralit në radhët e tyre si dhe nga një mbështetje e paqëndrueshme ajrore. Por zyrtarët britanikë nuk dhanë detaje se ku i kishin bazuar këto vlerësime.

10:59 – U zbehën shpresat për vazhdimin e bisedimeve Ukrainë – Rusi

Vazhdimi i negociatave për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës është vënë në pikëpyetje, teksa presidenti ukrainas tha se është e vështirë të bisedohet për paqe pas pretendimeve për mizori të kryera nga forcat ruse, ndërkaq ministri i Jashtëm rus tha se heqja e sanksioneve perëndimore kundër Moskës është kyçe për bisedimet.

Këto zhvillime vijnë teksa shpresat u zbehën për një evakuim të civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, teksa Rusia po vazhdon ofensivën në lindje të Ukrainës. Më 30 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase po bënin përparime taktike në rajon.

Zyra e Zelenskyt më herët ka thënë se ishte planifikuar një operacion për të evakuuar civilët nga fabrika e çelikut Azovstal, ku 2,000 forca ukrainase dhe afër 1,000 civilë kanë mbetur të bllokuar.

Ndërkaq, në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv, më 30 prill ka pasur raportime për sulme me mortaja dhe artileri. Gjatë një adresimi televiziv një natë më parë, Zelensky tha se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e një fshati strategjik afër qytetit dhe ka arritur të evakuojë qindra civilë.

Zelensky tha më 29 prill se bombardimet e vazhdueshme dhe “brutale” mbi infrastrukturën dhe zonat e banuara “tregojnë se Rusia dëshiron që ta zbrazë rajonin e Donbasit dhe të largojë të gjithë banorët”, duke shtuar se “mbrojtja e tokës sonë, e njerëzve tanë, po lufton për jetë”.

Ai shtoi Mariupoli tani është shndërruar në “kamp përqendrimi në mes të rrënojave”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavorov, ka hedhur poshtë kërkesën e Kombeve të Bashkuara për nevojën e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet ukrainase, duke i bërë thirrje Perëndimit që të mos i ofrojë armë Ukrainës, pasi sipas tij, kjo gjë po bën të “vështirë” që negociatat me Kievin të vazhdojnë.

Më 29 prill, ai deklaroi për një televizion saudit se i vlerëson propozimet e shefit të OKB-së, Antonio Guterres, për të ndihmuar në evakuimin e civilëve, por tha se “nuk ka asnjë nevojë që dikush të ofrojë ndihmë për hapjen e korridoreve humanitare”.

Ndërkaq, më 30 prill, ai deklaroi për agjencinë kineze Xinhuan, se bisedimet me Kievin po vazhdojnë në baza ditore, teksa Moska insiston “në njohjen e realiteteve të reja gjeopolitike, në heqjen e sanksioneve perëndimore dhe në statusin e gjuhës ruse.

Negociatorët ukrainas dhe rusë nuk janë takuar sy më sy që prej fundit të majit, teksa trupat ruse janë akuzuar se kanë kryer krime lufte, ndërkaq shtetet perëndimore kanë ashpërsuar sanksionet kundër Moskës dhe kanë shtuar ndihmën ushtarake për Kievin.

Lavrov tha se nëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë të interesuar “për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, pikë së pari, ata duhet të ndalojnë së furnizuari regjimin e Kievit me armë dhe municione”.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë po ashtu ka konfirmuar se ka kryer një sulm ajror në Kiev më 28 prill, gjatë vizitës së Guterrres në kryeqytetin ukrainas. Në këtë sulm, që goditi ndërtesa banimi, u vra gazetarja Vira Hyrych, e cila ka punuar për Shërbimin Ukrainas t Radios Evropa e Lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button