SHBA: Nuk ka shenja se negociatat Rusi-Ukrainë do të japin rezultat

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë shenja se negociatat Rusi-Ukrainë po “rezultojnë të frytshme” ndërsa agresioni i Moskës hyn në muajin e tretë, thotë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, transmeton VoA.

“Rusët nuk duket të jenë të gatshëm të negociojnë me seriozitet,” i tha Zërit të Amerikës në një intervistë të enjten, këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres mbërriti në Ukrainë të enjten pas një ndalese të martën në Moskë, ku u takua për gati dy orë me Presidentin Vladimir Putin.

Zoti Chollet tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken bisedoi me zotin Guterres përpara udhëtimit të tij në Moskë dhe Kiev dhe se Shtetet e Bashkuara presin me padurim të dëgjojnë nga shefi i OKB-së nëse duket të ketë një rrugë përpara drejt paqes.

Në Kongres, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të mërkurën projekt-ligjin që shqyrton mbështetjen e Kinës për agresionin rus ndaj Ukrainës. Nëse miratohet, ligji do të parashikojë që Departamenti i Shtetit të paraqesë rregullisht raporte për qëndrimin e Pekinit.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë informacion që Kina t’i ketë dhënë armë dhe furnizime Rusisë por Uashingtoni po i ndjek nga afër veprimet e Kinës, thanë zyrtarët amerikanë.

“Kina do të paguajë një çmim nëse ndihmon Rusinë – qoftë ndihmë të drejtpërdrejtë, veçanërisht ndihmë ushtarake, apo duke ndihmuar Rusinë në shmangien e sanksioneve,” i tha zoti Chollet Zërit të Amerikës.

Ai paralajmëron se “hapësira e bashkëpunimit” midis SHBA-së dhe Kinës po “zvogëlohet”, ndërsa pritet që Sekretari Blinken të parashtrojë qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës “në ditët në vijim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button