Dhjetëra viktima nga shpërthimi në xhaminë në Kabul

Të paktën dhjetë vetë u vranë dhe 20 u plagosën në një shpërthim të fuqishëm që tronditi kryeqytetin afgan, Kabul, të premten, më 29 prill, njoftojnë agjencitë, duke cituar zyrtarë që thanë se cak i sulmit ishte xhamia, transmeton REL.

Besmullah Habib, zëvendës i zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme afgane, tha të premten se bëhet fjalë për xhaminë Khalifa Aga Gul Jan, në perëndim të kryeqytetit afgan dhe se sulmi ndodhi në orën 14:00, sipas kohës lokale.

Qindra besimtarë erdhën për t’u lutur të premten e fundit të muajit mysliman të Ramazanit dhe xhamia ishte plot, thanë vendasit për Reutersin, duke rritur frikën se numri i të vdekurve mund të rritet më tej.

Forcat talibane kanë bllokuar atë pjesë të Kabulit, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme i emëruar nga talibanët, Mohammed Nafi Takor tha se nuk dihet se kush qëndron pas sulmit dhe se çfarë ishte lloji i eksplozivit.

Një burrë, i cili ishte në xhami, i tha Reutersit se shpërthimi i fuqishëm ndodhi gjatë lutjes dhe se ai mori djegie në krahë dhe këmbë.

Një infermiere nga një spital aty pranë, e cila nuk pranoi të identifikohej me emër, tha se ishin pranuar disa njerëz në gjendje kritike.

Një numër i madh civilësh janë vrarë në shpërthimet e javëve të fundit, disa prej të cilave janë marrë përsipër nga grupi i armatosur ISIL.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button