Kamçevi e ka pranuar fajin, do të dënohet me një vit burg dhe 5.1 milionë euro

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Gjykatës Themelore Penale në Shkup dhe të akuzuarve në rastin “Perandoria”, ku i akuzuari J.K. ka pranuar fajin, transmeton Portalb.mk.

Ai akuzohet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, derisa N.J. për shpëlarje të parave, ndërsa të dy e kanë pranuar fajin. Në lidhje me këtë, ata do të dënohen me nga një vit burg, duke llogaritur edhe kohën sa kanë qenë në paraburgim.

Ndërkohë, kompania e Kamçevit, Sh.A. “Kara” nga Shkupi do të duhet të paguajë mbi 300 milionë denarë në Buxhetin e shtetit përmes Drejtorisë për të Ardhura Publike.

Në rastin “Perandoria” të dyshuar janë Jordan Kamçev, Sasho Mijallkov, Nenad Josifoviq, Cvetan Pandeleski, Ratka Kunoska – Kamçeva, Hristina Kamçeva – Stojçeska, Zorica Arsovski, Liljana Gajdovska, Vlladisllav Stajkoviq, Todor Mirçevski, Dejan Janev, Vançe Mijallçec dhe Jovançe Taskovski.

Prona e ish-shefit të DSK-së Sasho Mijalkov mbetet e ngrirë. Gjykata Penale e Shkupit la në fuqi vendimin për ndalimin e tjetërsimit të banesave dhe hotel Marriott në vlerë miliona euro. Ky vendim sqaron se ekziston dyshim i bazuar se e njëjta pronë buron nga veprat penale, ndërsa iu ndalohet edhe personave juridikë që të disponojnë me aksionet e tyre.

Kamçev përveç në lëndën “Perandoria”, është i dyshuar edhe në lëndën “Parcelat në Vodno“, për të cilën më 14 mars u burgos. Besohet se Kamçevi planifikoi edhe arratisjen nga vendi dhe se kjo është një nga arsyet pse u kthye në burgun e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button