Qeveria: Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga Kasami për shpërbërjen e këshillit

Qeveria e RMV-së për Portalb.mk konfirmoi se deri më sot Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për rastin e shpërbërjes së këshillit të Komunës së Tetovës, ndërkaq dje Kasami tha se e ka njoftuar Ministrinë e Pushtetit Lokal për rastin në fjalë.

“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale deri më sot nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga kryetari i komunës së Tetovës për plotësimin e kushtit për shpërbërjen e Këshillit. Me marrjen e njoftimit, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ministria në afat prej 7 ditësh e njofton Qeverinë me propozim për shpërbërje, pas së cilës Qeveria miraton vendim për shpërbërjen e Këshillit brenda një muaji”, thanë nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk.

Kasami dje tha se e ka njoftuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale për zhvillimet e fundit dhe se ata do vendosin se çka më tutje me fatin e këshillit të komunës.

“Pas zhvillimeve të fundit, pas situatës me llogarinë përfundimtare unë veç më e kam informuar Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe ata janë përgjegjës për procedimin e mëtutjeshëm dhe vendimet se çka me këshillin komunal të Tetovës”, tha dje Kasami.

Çfarë ka ndodhur?

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji.

Edhe pse diskutimi për llogarinë përfundimtare u fut me vonesë në rend dite në seancën e nëntë të komunës, pra më më 7 prill, një javë pas skadimit të afatit ligjor, Kasami  i cili u desh që këtë pikë ta fus në seancë më herët, fajin e hedh te këshilltarët.

Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, ministri Goran Milevski tha se qëndrimi i ministrisë lidhur me Këshillin e Komunës së Tetovës është i qartë dhe është në përputhje me ligjin. Kjo ministri në afat prej shtatë ditëve nga pranimi i njoftimit nga Kasami do duhet do t’i paraqesë propozimin Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore, të cilin e shpall në “Gazetën Zyrtare të RMV-së”. Ndërsa për periudhën e mbetur zgjedhore do të shpallen zgjedhje të reja për këshill në përputhje me Ligjin për zgjedhje lokale.

Të gjithë rastin në formë të detajuar mund ta lexoni duke klikuar në linkun më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button