Për çfarë të ardhme flasin politikanët?

Po hymë në dekadën e katërt të demokratizimit pro forma të shteteve xhuxhe ballkanike, në pritje të realizimit të premtimeve se do të ndryshojë për të mirë jeta, se do të kemi të ardhme të ndritshme…, si gjithë popujt e qytetëruar të Evropës. Premtimet jepen prej kohësh nga mashtrues brenda dhe jashtë vendeve popujt e të cilëve presin kot realizimin e tyre në urën e tranzicionit të gjatë sa diktaturat moniste.

Ka prej atyre që thonë se janë bërë ndryshime pozitive, por matur me peshoren e njerëzve që kanë shijuar të dy sistemet (diktaturën moniste dhe diktaturën demokratike) dhe kanë bartur mbi supe pasojat e kalimit nga njëri sistem te tjetri, del se ndryshimet lënë shumë për të dëshiruar.

Gjatë monizmit shqiptarët qenë të shtypur gjithanshëm. Pati periudha kur mbi ta u ushtrua dhuna e hapur rankoviqiste, terori që shpërnguli mijëra familje në Turqi, ndjekja dhe persekutimi mesjetar nëpër burgje i njerëzve me akuza të sajuara, padrejtësitë në sferën e shkollimit, papunësia e madhe dhe shumë hile të tjera të rezervuara enkas për indianët.

Shqiptarofobia kaloi në dhunë të hapur edhe pas demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë. Ajo u shtri edhe në Maqedoninë Perëndimore, duke e bërë atë poligon ku u testua dhjetë vjet me radhë durimi ynë. Gjatë kësaj kohe, përmes paraleleve të përziera, u pamundësua shkollimi i mesëm në gjuhën shqipe; u ndalua pagëzimi i fëmijëve me emra të bukur shqip; u sllavizuan toponimet dhe mikrotoponimet shqipe nëpër tekstet shkollore. Shkollat, rrugët, institucionet nuk mund të bartnin emra personalitetesh shqiptare. Nën llupa të trasha hafijesh u vunë këngët dhe vallet shqipe, që, sipas logjikës shpellare, nxisnin separatizmin dhe rrezikonin floskulën e vëllazërim-bashkimit. Mijëra arsimtarë, profesorë dhe të punësuar të tjerë humbën vendet e punës pas proceseve idiote të diferencimeve si nacionalistë dhe iredentistë, kurse mijëra të tjerë u përndoqën, u torturuan psikikisht e fizikisht dhe u detyruan të braktisin përgjithmonë vendlindjet e tyre.

Mjerisht, demokratizimi pro forma i vendit të çudirave, në shumë aspekte reprizoi ngjarjet e trishta të së shkuarës. Gjithçka nisi me injorimin e kërkesave të drejta të deputetëve shqiptarë në Kuvendin dhe Qeverinë e Maqedonisë së pavarësuar në vitin 1991, që nuk gjenin mbështetje në Kushtetutën diskriminuese. Në vend se të tregoheshin të drejtë ndaj shqiptarëve, kryepushtetarët maqedonas iu futën udhës pa krye serbe të disiplinimit të dhunshëm të tyre. Këtë e bënë me shpikje aferash turlifare, si ajo e armëve, me fabrikime gënjeshtrash për akte terroriste, me të cilat u justifikuan pogromet egërshane kundër shqiptarëve, që përfunduan me dhunë, burgje të  përjetshme dhe vrasje njerëzish faji i të cilëve nuk është dëshmuar as pas kaq vitesh. Të pashembullta qenë dhe demonstratat e studentëve dhe të  rinjëve maqedonas kundër shkollave shqipe, në veçanti kundër hapjes së Universitetit të Tetovës, me  çrast u vra dëshmori i arsimit shqip Abdylselam Emini dhe u burgosën e maltretuan dhjetra nismëtarë të themelimit të këtij institucioni.

Edhe kaq besoj mjafton për të kuptuar ngjashmëritë e zonave të errëta të kohës së monizmit dhe kohës së gjoja demokracisë, por kjo nuk është e tëra, sepse, përkundër të dhënës se 30-vjetëshi i fundit solli dhe disa të mira të pashijuara gjatë komunizmit, pa asnjë dyshim solli dhe të keqen që s’e këmi njohur në asnjë kohë dhe në asnjë regjim tjetër – ekzodin masiv dhe të pakthyeshëm të të rinjëve, për  çka fajin më të madh e kanë politikanët e korruptuar, të hipotekuar dhe hajdutë shqiptarë (respekt përjashtimeve!), që me paturpësi vazhdojnë të flasin për të ardhmen tonë në këto hapësira.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button