Andrei Zaharov, nga shërbimi rus i BBC-së: Tetë vjet propagandë përgatiti njerëzit të mbështesin luftën në Ukrainë

Andrei Zaharov është gazetar investigativ në shërbimin rus të BBC-së. Ai u shpërngul nga Rusia në nëntor të vitit të kaluar, kur edhe u shpall “agjent i huaj” në Rusi, siç ishte rasti me shumë gazetarë të tjerë. Aktualisht jeton në një shtet evropian. Në një intervistë për Vërtetmatësin, ai flet për propagandën ruse dhe mënyrën e përhapjes së saj, mënyrën se si funksionojnë mediat në Rusi dhe mbështetjen që presidenti Putin ka mes njerëzve. Sipas tij, Rusia e ka humbur luftën e informacionit në krahasim me pjesën tjetër të botës, megjithëse shumë qytetarë rusë e mbështesin.

Autor: Goran Lefkov

Ju jeni gazetari i parë që publikon historinë e fabrikës së trolleve në Shën Petersburg që përhap propagandën ruse në mbarë botën. Si funksionon sistemi me propagandën ruse tani, pas fillimit të luftës në Ukrainë?

Propaganda është një nga gjërat themelore në këtë luftë. Ne shohim disa nivele të propagandës – një nivel është propaganda shtetërore, dua të them disa kanale televizive, agjenci televizive të lajmeve që kanë monopolin në hapësirën televizive. Të gjitha kanalet televizive të pavarura u mbyllën dhe pothuajse të gjitha mediat e njohura të pavarura në internet (ka disa media të tjera të vogla rajonale) u bllokuan që nga fillimi i luftës, përfshirë BBC-në. Ne shikojmë shumë kanale televizive shtetërore dhe agjenci shtetërore të lajmeve, ky është një nivel propagande. Një nivel tjetër është fabrika e trolleve, me qendër në Shën Petersburg. Madje ata morën me qira një zyrë për të mbuluar luftën dhe një nga ish-kolegët e mi të medias në Shën Petersburg, i cili jeton ende atje, bëri një raport shumë të mirë për të ashtuquajturën fabrikë trollesh në Shën Petersburg, e cila ishte e përfshirë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA. Fabrika e Shën Petersburgut besohet se është në pronësi të Evgenij Prigozhin, një biznesmen i afërt me Putinin dhe Kremlinin.

Një nivel tjetër propagande është fabrika shtetërore e trolleve. Ekziston një agjenci shtetërore që ndihmon autoritetet rajonale dhe të Moskës të mbulojnë aktivitete të ndryshme, por ato janë të përfshira në mbulimin e luftës përmes propagandës. Ne e shohim këtë makinë të madhe propagandistike që punon jashtëzakonisht shumë. Për shembull, në dy kanale televizive shtetërore që nga fillimi i luftës, nuk ka programe argëtuese gjatë ditës. Nga mëngjesi deri në mbrëmje ka vetëm lajme dhe “talk show” politike që zgjasin disa orë dhe më pas fillon një tjetër emision, ku lufta pasqyrohet nga këndvështrimi qeveritar. Të gjitha programet argëtuese dhe filmat janë gjatë natës. Kështu funksionon rrota e madhe e propagandës.

Mendoni se propaganda funksionon me sukses?

Rusia e ka humbur plotësisht këtë luftë informacioni në krahasim me pjesën tjetër të botës. Rusia nuk ka asgjë për t’i ofruar audiencës perëndimore. Rusia, për mendimin tim, e ka humbur këtë luftë informative që në fillim me çdo krim lufte, dhe gjithashtu çdo ditë të luftës shohim Rusinë duke humbur. Në të njëjtën kohë, kjo makinë propagandistike në Rusi po funksionon me sukses dhe shumë njerëz mendojnë se kjo është një luftë e mirë. Njerëzit nuk dinë për viktimat dhe i quajnë të rreme sepse përsëritet vazhdimisht në televizion. Në Rusi, kjo makinë propagandistike është shumë e suksesshme. Në të njëjtën kohë, nuk është e suksesshëme kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të botës.

Çfarë ndikimi pati kur “Russia Today” dhe “Sputnik” u mbyllën në vendet perëndimore? Si po përhap propagandën në mbarë botën Rusia? Si e shihni këtë nga këndvështrimi i lirisë së medias?

Përgjigjen time do ta ndaj në dy pjesë. Pjesa e parë është se si mbyllja e “Russia Today” dhe “Sputnik” ndikoi në propagandën ruse. Në fakt, “Russia Today” nuk ishte aq popullor në shumicën e vendeve ku u transmetua. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, mendoj se më pak se 1% e njerëzve e shikonin këtë kanal, nuk kishte efikasitet. Por ata kanë kanale të njohura në YouTube, për shembull, në Gjermani, të cilat tani janë të bllokuara, kështu që mendoj se ata humbën një pjesë të audiencës së tyre, por në të njëjtën kohë, edhe sikur ta kishin këtë audiencë, nuk kishin asgjë për të ofruar. Në rast kur u helmua Navalny apo ndodhnin skandale të tjera me Rusinë, ky televizion kishte diçka për të ofruar. Kështu, edhe nëse nuk do të bllokoheshin tani, nuk do të kishin asgjë për të ofruar dhe shumë pak njerëz do t’u besonin shpjegimeve të tyre të dobëta – se gjithçka është e rreme, përveç gjërave që vijnë nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Pjesa e dytë e pyetjes, lidhur me lirinë e fjalës. Këtu ka dy diskurse. E para është që nuk duhet të mbyllim asnjë media dhe se audienca ka të drejtë të zgjedhë se çfarë të shikojë dhe të lexojë. Edhe pikëpamjet dhe lajmet radikale dhe ekstremiste duhet të ekzistojnë në luftën informative.

Një diskurs tjetër është se ka një kufi dhe se nuk mund të flasim për lirinë e fjalës nëse prodhohen lajme të rreme. Këto media duhet të bllokohen. Nëse do të ma kishit bërë këtë pyetje para luftës, do të kisha thënë se çdo medium duhet të ekzistojë dhe publiku do të zgjedhë kujt t’i besojë dhe do të vendosë nëse informacioni është i vërtetë apo jo. Por me fillimin e kësaj lufte, mendoj se të gjitha mediat që ende mendojnë se lufta është një gjë e mirë dhe kanë një diskurs të përgjakshëm duhet të mbyllen. Sipas meje, “Russia Today” dhe “Sputnik” duhet të ekzistonin para luftës, por me fillimin e luftës unë mbështes bllokimin e tyre.

Çfarë mendoni për propagandën e Kremlinit në territorin e Ukrainës dhe si prisni të zhvillohet kjo propagandë në të ardhmen?

Disa ukrainas e mbështetën Rusinë para luftës, jo aq sa në vitin 2014, por gjithsesi e mbështetën atë, edhe pse ishte më pak nga sa priste Kremlini. Pritshmëritë ishin që populli i Ukrainës t’i mirëpresë dhe të gëzohet me këtë pushtim dhe ky është gabimi kryesor. Unë njoh njerëz që kanë mbështetur Rusinë para luftës, por ata njerëz tani janë anti-rus. Ndoshta ka disa njerëz të çuditshëm që ende mendojnë se lufta është e mirë. Ne shohim që propaganda ruse nuk është aq efektive, duke pasur parasysh faktin se ukrainasit mund të shikojnë ende televizionin rus në internet.

Një nga mediat më të mëdha në këtë luftë është “Telegram”. Kanalet e telegramit janë shumë të njohura në Rusi dhe Ukrainë, këto janë mediat e reja. Kanali rus i medias së pavarur “Meduza” ka më shumë se 1 milion abonentë. Kanali ynë në Telegram i BBC-së në Rusi ka mbi 300,000 abonentë. Ju publikoni një lajm të shkurtër në kanalin tuaj Telegram dhe brenda pak orësh 100,000 njerëz e lexojnë lajmin. Kjo është një mundësi e madhe. Ka kanale në Telegram jashtëzakonisht të njohura në të dyja anët. Ukrainasit mund të shikojnë gjithashtu kanale ruse, por nuk u besojnë atyre sepse mendojnë se lufta duhet të ishte ndalur. Në disa qytete, si në Mariupol, rusët hapën kanalet televizive ruse dhe mbyllën kanalet televizive ukrainase, duke shpresuar se ukrainasit do t’i mbështesin rusët.

Shumica e njerëzve modernë, përveç të moshuarve, janë të informuar nga interneti, dhe edhe nëse aktivizoni kanalet televizive ruse, nuk mund të bllokoni kanalet Telegram në mënyrë që të gjithë të shohin se çfarë po ndodh në realitet. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se propaganda ruse nuk është efektive.

Ka shumë biznesmenë rusë që kanë investuar në vendet e Ballkanit. Si mendoni, si ata i trajtojnë këto probleme?

Nuk mendoj se propaganda ruse është e fortë tani në Ballkan. Është e fokusuar në rajone të tjera dhe miku kryesor i Rusisë në rajon është Serbia, dhe kjo i mjafton Rusisë në këtë situatë. Nuk shoh asnjë aktivitet në Bullgari dhe Maqedoni. Por nëse flasim për biznesmenë me origjinë ruse, tani është e vështirë për ta në të gjithë botën, sepse vetëm disa vende në botë mbështesin Rusinë. Ndoshta vetëm në Serbi, por nuk e di se sa njerëz e mbështesin vërtet Rusinë atje. Në Bullgari, populli tradicionalisht e përkrah Rusinë, por gjithsesi pamë një tubim të madh antirus në qendër të Sofjes, dhe nga ana tjetër, tubimi prorus ishte shumë i vogël. Biznesmenët rusë ose preferojnë të heshtin ose, nëse thonë se e kundërshtojnë luftën, do të përballen me sanksione ose do të maltretohen. Të jesh rus me para, të mos jetosh në Rusi dhe ta mbështetësh luftën, duhet të jesh i përgatitur për t’u dëbuar nga vendi ku jetoni aktualisht. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se biznesmenët rusë tani preferojnë të heshtin.

Si u larguat nga Rusia dhe çfarë ndodh me shërbimin rus të BBC-së në Moskë?

U largova nga Rusia para luftës, në nëntor të vitit të kaluar, sepse u emërova “agjent i huaj në Rusi”, ky është statusi zyrtar. Kjo do të thotë shumë probleme burokratike që mund të ju çojnë në burg nëse nuk e ndiqni këtë status, kështu që unë u largova nga Rusia ashtu si shumë gazetarë të pavarur investigativë para meje. Që nga fillimi i luftës, qindra gazetarë janë larguar nga Rusia, sepse ato media që nuk ishin bllokuar më parë tani u bllokuan.

Bëhet fjalë për media jashtëzakonisht të njohura, si “Meduza”, e cila ka disa milionë vizitorë të përditshëm, si TV “Dozhd”, dhe faqet e internetit të shërbimit rus të BBC-së janë bllokuar. Autoritetet ruse kanë bllokuar gjithashtu Facebook-un, Instagram-in, Twitter-in, vetëm YouTube është një medium perëndimor që nuk është i bllokuar tani në Rusi. Arsyeja pse YouTube nuk bllokohet është sepse është shumë popullor dhe nëse bllokohet, mund të shkaktojë probleme me shërbimet tjera të Google, si aplikacionin Google Play dhe shërbime të tjera. Megjithëse shërbimi rus i BBC-së është i bllokuar në Rusi, njerëzit ende mund ta shikojnë atë në VPN, dhe shërbimi VPN tani është shumë i popullarizuar. Muajin e kaluar, VPN ishte shërbimi më popullor i shkarkuar nga aplikacioni Google Play, kështu që njerëzit ende mund të arrijnë në burime të pavarur të lajmeve për luftën.

A e ka regjimi i Putinit mbështetjen e qytetarëve të thjeshtë?

Shumë njerëz me të vërtetë e mbështesin luftën, dhe nuk është vetëm propaganda ajo që e përgatiti popullin për këtë luftë për 8 vjet, nga aksioni në Krime. Edhe pse propaganda e përgatiti vërtet popullin, duke thënë se lufta është e mirë dhe se Ukraina është një vend i rremë, në të njëjtën kohë në vendet postimperialiste si Rusia, nëse propaganda juaj thotë se lufta është e mirë, ju shkaktoni ndjenja negative tek njerëzit. Nuk mund të themi se kjo është vetëm lufta e Putinit. Edhe pse jam i sigurt se po të kishim një president tjetër që nuk do të vepronte për të përgatitur popullin për këtë luftë, nuk do të kishim kaq shumë mbështetje. Njerëzit e mbështesin atë.

Ka situata kur të afërmit nga Ukraina u dërgojnë video dhe foto të afërmve të tyre në Rusi dhe të afërmit thonë: “është e rreme”. Në një moment ata injorojnë realitetin dhe nëse ju e injoroni realitetin, është sikur ai të mos ekzistonte. Disa njerëz po përpiqen të protestojnë, por siç thashë më parë, është shumë e rrezikshme në Rusi, kështu që shumë njerëz janë larguar nga Rusia dhe disa janë arrestuar. Disa burime thonë se 300,000 njerëz kanë ikur nga Rusia që nga fillimi i luftës, edhe atë jo vetëm gazetarë. Nuk e di nëse këto shifra janë reale, por e di që shumë njerëz janë shpërngulur. Ata thjesht nuk duan të jetojnë në një vend që ka filluar një luftë me fqinjin e tij.

Por njerëzit më vonë do të ndjejnë efektet e luftës. Për gjysmë viti apo një vit. Unë mendoj se njerëzit do të ndryshojnë mendje për këtë luftë, hap pas hapi, kur të jemi dëshmitarë të krizave ekonomike. Por ky proces nuk mund të ndodhë shpejt. Nëse njerëzit e kuptojnë dhe pranojnë se kjo luftë është një krim, do të shkatërrojë të gjithë pamjen në mendjen e tyre, nga pikëpamja psikologjike. Është një proces i gjatë dhe nuk mund të presim që të ndodhë nesër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button