Shpërbërja e këshillit komunal të Tetovës, flasin këshilltarët komunal

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji. Kjo pikë pas afatit ligjor nga kryesuesi i këshillit është vendosur për diskutim në rend dite në këshill. Këshilltarët e Këshillit të Komunës së Tetovës për Portalb.mk komentojnë këtë çështje.

Çfarë thotë Kryetari i Komunës për shkuarjen në zgjedhje për këshillin Komunal?

“Qëndrimi im është se qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet e parakohshme, veçanërisht tetovarët. Ka institucione të cilat duhet ta konstatojnë këtë (shkuarjen në zgjedhje). Ne jemi të gatshëm për punë, kush është i gatshëm për zgjedhje le të tregojë. Nëse na imponohen sigurisht që do të paraqitemi konform asaj të cilën e kemi obligim”, tha Bilall Kasami.

Cili është qëndrimi i këshilltarëve?

Elmedina Abdullai, këshilltare nga “Më mire për Tetovën” thotë se për shkak të gabimit të kryetarit duhet ai të ndëshkohet dhe jo te ketë zgjedhje të reja për këshill.

“Qëndrimi i MMPT dhe i shumë këshilltarevë në RMV më shumë ka të bëjë me nevojat urgjente të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Rasti konkret tregon që për jokompetencën dhe gabimet e kryetarit te komunës ndëshkohet këshilli ne vend qe te votohet mosbesim i kryetarit të komunës. Nëse raporti përfundimtar ka mangësi duhet të ndëshkohet përpiluesi e jo miratuesi”, tha Abdullai.

Angell Karapetrov, këshilltar i VMRODPMNE-së shprehet se duhet të shkohet në zgjedhje që të krijohet shumicë më stabile.

“Mendoj se duhet të shkohet në zgjedhje, në të cilat shumica do të marrë mjaft këshilltarë për të shmangur bllokadat dhe shantazhet që kemi pasur për çdo seancë të planifikuar të Këshillit dhe do të jenë mbështetja e kryetarit në realizimin e projekteve që ne u premtuam qytetarëve të Tetovës me programet tona”, tha Karapetrov.

Këshilli i Komunës së Tetovës, foto nga Facebook-u i Komunës

Nga këshilltarët e BDI-së nuk ka qëndrim në lidhje me rastin në fjalë. Siç thonë janë duke e analizuar situatën, dhe kur do kenë qëndrim konkret do informojnë.

Sipas Ilija Dimitrievskit, këshilltar nga LSDM-ja kryetarit duhet t’i hiqet mandati, jo këshilli të shkojë në zgjedhje. Siç thotë ai paaftësinë e plotë për të menaxhuar Komunën e Tetovës, Kasami dëshiron ta mbulojë me zgjedhje për Këshill, në mënyrë që faji për mosfunksionimin e komunës t’i bartet dikujt tjetër.

“Këshilli nuk ka pasur as mundësinë dhe as mundësinë që në afatin e paraparë me ligj të vendos për Llogarinë Vjetore të Komunës së Tetovës për vitin 2021, sepse këtë pikë kryetari nuk e ka dorëzuar në Këshill deri më 31.03.2022.Për shkak të mosrespektimit të ligjit në këtë drejtim, Kryetari i Komunës duhet të mbajë përgjegjësinë e duhur.  E vërteta është se fatura vjetore është vetëm një justifikim i kryetarit dhe nuk është arsyeja pse ai kërkon të shpërndajë këshillin. Arsyeja e vërtetë e kërkesës së kryetarit për shpërndarjen e këshillit është prishja e shumicës. Me përgjegjësi pohoj se këshilltarët në këtë këshill, si opozita ashtu edhe pozita, shumë shpesh kanë rënë dakord dhe shpesh së bashku kanë mbështetur propozime që janë në interes të qytetarëve. Legjitimiteti i 31.000 votave të këshilltarëve nuk mund të krahasohet me 12.000 votat e kryetarit të komunës dhe t’i lejohet që të shpërndajë Këshillin”, tha Dimitrievski.

Ai shtoi se kryetari i komunës manipulon kur thotë se janë plotësuar kushtet për shpërndarjen e këshillit

“Sipas nenit 75 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Këshilli shpërndahet nëse nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri në 31 mars të vitit vijues. Që kjo dispozitë ligjore të hyjë në fuqi, duhet të plotësohen të dy kushtet kumulative, buxheti është miratuar nga këshilli në dhjetor 2021. Synimi me këtë nen është që të parandalojë bllokimin e punës së komunës nga Këshilli duke mos miratuar buxhetin dhe llogarinë Vjetore. Në rastin tonë nuk kemi bllokadë nga Këshilli, por bllokadë nga kryetari i komunës! Është e palogjikshme të lejohen qytetarët të paguajnë mbi gjysmë milioni euro për zgjedhjet e reja për Këshillin vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të fundit, sepse kryetari është kokëfortë, ose ia del pa sukses, kështu që nuk ka dorëzuar llogarinë vjetore në Këshill”, shtoi Dimitrievski.

Muzafer Etemi, këshilltar nga ASH-ja, u shpreh se zgjedhjet e reja do të sjellin risi në formacionin e ri të këshillit.

“Zhvillimet e fundit në Këshillin e Komunës së Tetovës edhe për ne si këshilltarë të Aleancës për Shqiptarët kanë qenë paksa të papritura. Megjithatë besojmë se zgjedhjet e reja do të sjellin risi në formacionin e ri të këshillit. Duhet theksuar gjithashtu se është më se i nevojshëm serioziteti në punë, sepse krijohen hendeqe që vështirë rikuperohen. Kemi pasur një periudhë mjaft të rëndë për qytetin tonë gjatë mandateve të kaluara, ndërkaq tani e kemi shumë të vështirë të mëkëmbemi”, tha Etemi.

Nga PDSH, Visar Palloshi nënvizon se janë të gatshëm për zgjedhje.

“Erdhëm në këtë situatë pasi që në seancën e kaluar me  datë 07.04.2021 vetëm partitë në opozitë te Këshilli i Komunës së Tetovës e votuam llogarinë përfundimtare dhe e njëjta nuk kaloi, kurse tani i njëjti dokument dhe e njëjta pikë përsëri u vendos në rend të ditës. Sikur shumica e këshillit të kishte votuat me kohë nuk do të vinim në këtë situatë. Kurse sa i përket zgjedhjeve për këshillin komunal të Tetovës jemi të gatshëm kur do që do të mbahen”, tha Palloshi.

Sipas këshilltarit nga Alternativa, Faton Selami janë dy skenarë për këtë rast dhe se ata janë të gatshëm për zgjedhje.

“Ne mendojmë se këtu ose ka pasur naivitet institucional, duke mos e ditur mënyrën e funksionimit të Komunës, ose është një situatë që është prodhuar qëllimisht për qëllime që mund t’i dijë kryetari i komunës dhe shpura e tij. Cilado qoftë e vërteta, është lajm i keq për menaxhimin e qytetit tonë. Sidoqoftë, pas problemeve që u shfaqën ne Komunën e Tetovës, me ç’rast ka shumë gjasa të shkohet në zgjedhje të reja për Këshillin Komunal të Tetovës, mund t’ju them se Alternativa – Dega e Tetovës është jo vetëm e gatshme të hyjë në ato zgjedhje, kurdo që të mbahen, por edhe e bindur se rezultati i saj do të ishte dukshëm më i mirë”, tha Selami.

Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë ka ndodhur?

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji.

Edhe pse diskutimi për llogarinë përfundimtare u fut me vonesë në rend dite në seancën e nëntë të komunës, pra më më 7 prill, një javë pas skadimit të afatit ligjor, Kasami i cili u desh që këtë pikë ta fus në seancë më herët, fajin e hedh te këshilltarët.

Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, Kasami para dy ditëve tha se është njoftuar Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, por dje nga Qeveria njoftuan për Portalb.mk se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale deri më sot nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga kryetari i komunës së Tetovës për plotësimin e kushtit për shpërbërjen e Këshillit.

Ministri Goran Milevski para dy ditëve  tha se qëndrimi i ministrisë lidhur me Këshillin e Komunës së Tetovës është i qartë dhe është në përputhje me ligjin. Kjo ministri në afat prej shtatë ditëve nga dita kur do të pranojë njoftimin prej Kasamit, do duhet  t’i paraqesë propozimin Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore, të cilin e shpall në “Gazetën Zyrtare të RMV-së”. Ndërsa për periudhën e mbetur zgjedhore do të shpallen zgjedhje të reja për këshill në përputhje me Ligjin për zgjedhje lokale.

Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. Nëntë nga BDI (në fillim u ishin dhjetë, por më pas një kaloi në Lëvizjen Besa), nëntë nga Lëviza Besa (në fillim ishin tetë, por më pas një nga BDI kaloi në LB), katër VMRO-DPMNE, dy ASH, dy LSDM, dy Më mirë për Tetovën, dy PDSH dhe një Alternativa. Për momentin Këshilli ka 30 këshilltarë, pasi një nga Lëvizja Besa u tërhoq për të marrë funksionin e shefit të urbanizmit në komunë, ndërsa këshilltarit të ri në seancën e fundit me 27 prill nuk arriti t’i verifikohet mandati pasi seanca dështoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button