Grubi: BDI është për zgjedhje të parakohshme në prill 2024, bashkë me zgjedhjet presidenciale

Partneri i koalicionit qeveritar – BDI, mbështet zgjedhje të parakohshme parlamentare, por jo këtë vit, por në prill të vitit 2024, me qëllim që ata të mbahen bashkë me zgjedhjet e rregullta presidenciale.
Këtë sot e ka thënë në forumin qeveritar me rastin e 100 ditëshit të qeverisë së re, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, njofton Portalb.mk.

“Do të doja edhe disa porosi politike sepse ne jemi Qeveri politike dhe jo teknike në lidhje me ca çështje aktuale të cilat i ngrit opozita dhe ndoshta edhe ju keni dilema nga gazetarët dhe qytetarët. BDI si pjesëmarrës në këtë koalicion konsideron që zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen në prill të vitit 2024 bashkë me zgjedhjet Presidenciale. BDI si pjesë e këtij koalicioni e përkrah fuqishëm shumicën parlamentare, koalicionin qeverisës dhe jemi këtu për t’i realizuar këto projekte. Qytetarëve nuk ju duhet paparashikueshmëri, qytetarëve nuk ju duhen aventura të zgjedhjeve sepse ato ju duhen vetëm agjendave destabilizuese të rajonit të cilat i bën dikush tjetër siç fola edhe në fillim, por ju duhet një Qeveri e përgjegjshme sociale e cila dëgjon qytetarin dhe i realizon këto projekte”, tha Grubi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020 dhe qëndrimi i këtillë i BDI-së praktikisht nënkupton se ata mbështesin që zgjedhjet parlamentare të mbahen vetëm disa muaj para terminit të rregullt.

Edhe partia më e madhe në pushtet – LSDM, dje e ka hedhur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi që lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, në konferencë për shtyp kërkoi takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në të cilin do të diskutohej për datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe i dha afat deri më 10 maj të përgjigjet për takimin.

Kovaçevski, dje menjëherë iu përgjigj se nuk pranon shantazhe, e aq më pak kërcënime nga Mickoski.

“As janë të nevojshme takimet për zgjedhje, as janë të nevojshme zgjedhjet, por sjellja e përgjegjshme e të gjitha partive politike. Nevojitet Kuvend funksional për miratimin e ligjeve dhe harxhim racional të buxhetit në këto kohëra të krizës”, tha lideri i LSDM-së dhe kryeministri Kovaçevski.

LEXO: Mickoski kërkoi takim me Kovaçevskin për caktim të datës për zgjedhje të parakohshme

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button