Xhaferi: Vizita ime në Ukrainë nënkupton mbështetje personale dhe institucionale për kthimin e paqes atje

Prezenca fizike do të thotë mbështetje personale dhe institucionale për përpjekjet e institucioneve dhe shtetit të Ukrainës për të rikthyer paqen dhe për të rimarrë kontrollin në të gjithë territorin e saj, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi në lidhje me vizitën e tij në Ukrainë dhe shtoi se në kuadër të mundësive dhe përgjegjësive ndërshtetërore dhe detyrimeve, mbështetja është e shumë-anshme, por ajo gjithsesi varet edhe nga vendimet konkrete të institucioneve, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi të përfshirë në të gjitha masat e marra nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare dhe si i tillë obligim që buron prej atje ka edhe vendime të tjera të mëvonshme lidhur me nevojën që do të shprehet”, tha Xhaferi, duke shtuar se obligimet dalin nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe aspiratat për anëtarësim në BE.

Ai shtoi se është e padiskutueshme të flitet për ndihmë financiare dhe materiale dhe nga çdo aspekt tjetër nga ana jonë për Ukrainën.

“Sigurisht që mendoj se si Kuvend duhet të mendojmë në drejtim të definimit të situatës në Ukrainë në lidhje me krimet e kryera atje, patjetër në koordinim me palët e tjera të interesit në vend, me qëllim që të inicohet një Rezolutë dhe Deklaratë të tillë në Kuvend”, shtoi ai.

Lidhur me udhëtimin në Ukrainë dhe situatën aktuale atje, kryetari i Kuvendit theksoi se ndër të tjera synohet të vizitohen zona të caktuara që më parë ishin në veprime ushtarake për, siç tha ai, të shihen pasojat e atyre veprimeve.

Ai megjithatë shtoi se morali i qytetarëve dhe institucioneve në Ukrainë është në nivel të lartë.

“Sigurisht se ajo që mund ta thoja si përshtypje pozitive është se njerëzit e kuptojnë situatën dhe janë në kuadër të asaj që po ndodh me ta në vend. Ata që janë të aftë për punë janë në punë si në institucione ashtu edhe në aspekte të tjera të punës. Bujqësia, nga ajo që mund të shihej është se toka është e kultivuar, e mbjellë në këtë pjesë dhe përshtypja është se morali i qytetarëve dhe institucioneve është në nivel të lartë”, tha Xhaferi.

Në konferencën për media, Xhaferi tha se me kënaqësi e ka pranuar ftesën për të vizituar Ukrainën nga kryetari i Verkhovna Radës , Ruslan Stefançuk, dhe se zona nëpër të cilën ai po lëvizte në Ukrainë ishte jashtë aksionit ushtarak.

“Udhëtimi u zhvillua i kombinuar, me avion në Varshavë, nga Varshava në kufi me vetura dhe prej andej në Kiev me tren special dhe linjë speciale të ngritur për delegacionet e huaja që vizitojnë Ukrainën”, shtoi Xhaferi.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ishte vizitë zyrtare në Ukrainë me ftesë të homologut të tij ukrainas, kryetarit të Kuvendit Ruslan Stefançuk. Kjo vizitë e Xhaferit është e para e këtij lloji nga një përfaqësues i lartë nga rajoni dhe vizita e parë e një zyrtari të lartë nga Maqedonia e Veriut në Ukrainë.

Gjatë vizitës dhe takimeve me homologët e tij ukrainas, Xhaferi, ndër të tjera, theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i bashkohet synimeve për rindërtimin e Ukrainës, pas përfundimit të kësaj lufte, siç tha ai, të pakuptimtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button