5 muaj pas aksidentit të autobusit në Bullgari, askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale në RMV

Kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga aksidenti tragjik i autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 persona. Prokuroria e Bullgarisë ka mbaruar me hetimin për arsyet e aksidentit, por Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ende vijon kontrollin e punës së përgjithshme të ndërmarrjes-organizator “Besa Trans – Shkup” dhe institucioneve kompetente për kontrollin e ndërmarrjes, njofton Portalb.mk.

Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale, pavarësisht se autobusi i cili më pas u aksidentua në Bullgari, vetëm në vitin 2021, 113 herë e ka kaluar kufirin e Maqedonisë së Veriut pa licencë për qarkullim. Nga prokuroria thonë se janë duke punuar në konstatimin e fakteve dhe nëse konstatohet shkelje do të ketë përgjegjësi, qoftë penale apo kundërvajtëse.

“Prokuroria Themelore Publike Shkup ka formuar lëndë të veçantë me qëllim që të kryejë kontroll të punës së përgjithshme të ndërmarrjes-organizator të udhëtimit, por edhe veprimin e institucioneve kompetente për ta kontrolluar punën e ndërmarrjes. Kontrollet e tilla vijojnë. Është siguruar dokumentacion i gjerë material dhe janë dëgjuar më shumë persona me qëllim që të konstatohen faktet. Nëse konstatohet se në këtë pjesë është kryer vepër penale, Prokuroria do të veprojë në pajtueshmëri me kompetencat dhe do të ndërmarrë ndjekje penale. Nëse, konstatohet se ka përgjegjësi kundërvajtëse ose lloj tjetër të shkeljes së ligjeve, veprimet do ta marrin institucionet tjera”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Në fund të janarit, Doganat mbaruan me hetimin për “Besa Trans” dhe të gjitha sipas tyre të gjithë autobusët që kanë kaluar transit për në Stamboll kanë qenë pa leje qarkullimi. Sipas Doganave, në udhëtimin e aksidentit tragjik, autobusët nuk e kanë kaluar kufirin duke dhënë ryshfet. Si rezultat i hetimit janë pezulluar dy punonjës nga puna dhe shefi i tyre është gjobitur.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Bullgarisë e ka mbaruar hetimin për arsyet e aksidentit. Sipas shefit të shërbimit hetimor të prokurorisë bullgare, Borislav Sarafov, arsyeja për tragjedinë është se shoferi ka humbur kontrollin e autobusit i cili nuk ka lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar, por me shpejtësi të papërshtatshme të rrugës.

“Ajo është një tragjedi njerëzorë pa precedent sipas numrit të viktimave, por edhe pa precedent, si intensitet i punës që kemi përfunduar. Në të vërtetë hetimit ka përfunduar dhe mbetet vetëm të njoftohen autoritetet në Maqedonisë përmes formës gjyqësore. Duke pasur parasysh se edhe familjet e viktimave kanë të drejtë të njihen me materialet e hetimit”, deklaroi në janar, Serafov, zëvendësi i kryeprokurorit në Bullgari.

Në aksidentin e autobusit në autostradën “Struma” në Bullgari, që ndodhi më 23 nëntor të vitit 2021, jetën e humbën 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata ktheheshin nga udhëtimi turistik nga Stambolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button