Sasitë e para të lindanit të rrezikshëm nga OHIS-i do të eksportohen në maj (FOTO)

Sasitë e para të lindanit, të nxjerra nga deponia e vogël në OHIS, do të eksportohen në fillim të majit. Pastrimi i mbeturinave të rrezikshme, njoftoi sot Ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini, po shkon më shpejt se sa pritej, kështu që në vend të një viti duhet të përfundojë deri në fund të vitit. Nga mesi i marsit, kur filluan gërmimet në deponinë e vogël, janë pastruar dhe paketuar rreth 450 tonelata mbetje HCH dhe rreth 150 tonelata tokë e kontaminuar. Një numër i madh fuçish të specializuara tashmë janë depozituar dhe ruhen në oborrin e OHIS-it. Këto ditë do të ngarkohen në shtatë kontejnerë dhe do të dërgohen për asgjësim në Francë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ndërkohë, sipas Ministrisë, kanë ndryshuar supozimet për sasitë e mbetjeve të rrezikshme të fshehura në deponinë e vogël. Sipas vlerësimeve fillestare se ka rreth 1600 tonelata mbetje HCH me koncentrim të lartë dhe rreth 4.000 tonelata tokë, si dhe rreth 1.000 tonelata beton, situata në terren tregon se ndoshta ka prej 2500 deri në 3.000 tonelata pesticide të rrezikshme dhe shumë më pak tokë, rreth 3.000 tonelata.

“Punët po zhvillohen më shpejt se sa prisnim dhe besojmë se pastrimi mund të përfundojë deri në fund të vitit dhe jo të zgjasë 12 muaj. Në të njëjtën kohë, po punohet për ndryshime në Ligjin për Mjedisin Jetësor, me të cilin do të bëhet një listë e të gjitha pikave të nxehta në vend, në bazë të të cilave shteti ose pronarët e vendit do të detyrohen të bëjnë një plan rehabilitimi. Kjo duhet të nënkuptojë një mundësi për të zgjidhur lokacionet si Jegunovci, Llojani dhe të tjera,” theksoi Nuredini.

Ministria e Mjedisit informoi sot se eksporti i mbetjeve të rrezikshme do të bëhet në mënyrë të njëpasnjëshme, pasi inceneratori në Francë ka një kapacitet të caktuar mujor të sasive që mund t’i pranojë dhe t’i përpunojë.

Aleksandar Mickovski nga Zyra e POPS informon se matjet e para të ajrit në afërsi të tendës nën të cilën po bëhet gërmimi tregojnë se nuk ka rritje të koncentrimit të lindanit në krahasim me matjet e bëra para fillimit të punimeve.

“Të gjitha aktivitetet bëhen për të garantuar sigurinë maksimale të mjedisit, punonjësve dhe qytetarëve që jetojnë aty pranë. Presioni jashtë çadrës është më i lartë në mënyrë që të gjitha shkarkimet e krijuara gjatë gërmimit të mos mund të shpëtojnë. Këtë e vërteton edhe monitorimi i cilësisë së ajrit të ambientit, i cili kryhet në tri vende që ndodhen rreth deponisë së vogël”, tha Mickovski.

Ai informoi se në disa pika të deponisë janë gjetur sasi të caktuara të zhivës me përqendrime të ndryshme që do të asgjësohen sipas standardeve.

Suksesi i pastrimit të deponisë së vogël do të jetë vendimtar për vazhdimin e punimeve në deponinë e madh, që ndodhet ngjit me atë të voglën. Aty ka sa pesëfishi i sasisë së lindanit të depozituara nën një grumbull dheu, për të cilin do të duhen të paktën 45 milionë euro për t’u pastruar. Ministria informon se është krijuar një fond shumë partnerësh për mobilizimin e mjeteve për vazhdimin e këtyre aktiviteteve.

“Pasi të pastrohet deponia dhe të zhvendoset pishina, do të merren mostra mjedisore për të përcaktuar se sa e ndotur është toka dhe nëse përqendrimet e lindanit janë të sigurta për të mbetur. Nëse janë më të larta, do të bëhet bio-remediacion ose fito-remediacion”, informoi Mickovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button