DEBAT: Narrativat pro-ruse në media shërbejnë për të krijuar dyshime për orientimin euroatlantik të vendit

“Kemi indikacione se disa nga strukturat partiake janë krijuar me pjesëmarrjen ruse, sidomos në periudhën kur regjimi i Gruevskit filloi të lëkundet, pra kur ishte e qartë se më nuk mund të qëndronte. Duke filluar nga viti 2015, pas publikimit të bombave dhe pas ngjarjeve në Kumanovë, që përkojnë me vizitën e Presidentit të atëhershëm të vendit tonë në Kremlin, në një ngjarje që u bojkotua nga NATO, në kremtimin e Ditës së Fitores mbi fashizmin, më 9 maj, për shkak të luftës kundër Ukrainës që sapo kishte filluar ”, tha Filip Stojanovski, Drejtor i Partneritetit dhe Zhvillimit të Burimeve në Fondacionin Metamorfozis, në panelin e sotëm të organizuar nga CIVIL me titull “Dezinformatat dhe propaganda mediatike: Ndikimi i narrativave pro-ruse mbi orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Stojanovski shtoi se është shumë e rëndësishme të thuhet se ky problem është shumë kompleks, dhe pjesërisht buron nga lëndueshmëria e shoqërisë sonë ndaj dezinformatave, e cila është një situatë që konstatohet edhe jashtë kontekstit të situatës aktuale gjeopolitike dhe luftës kundër Ukrainës.

“Prej më herët e kemi një situatë në të cilën një sërë arsyesh, duke filluar nga cilësia e sistemit arsimor, karakteristikat e hapësirës mediatike, strukturat e brendshme për propagandë dhe manipulime, të cilat janë krijuar me dhe pa pjesëmarrjen ruse”, tha Stojanovski.

Në panel ishte i pranishëm edhe këshilltari i qeverisë për reforma në media, Zoran Bojarovski, i cili theksoi se një nga gjërat paralele që po zhvillohen, krahas luftës brutale dhe të paprovokuar në Ukrainë, janë sulmet e forta hibride që ndodhin në hapësirën kibernetike dhe në hapësirën reale në internet.

Bojarovski sqaroi se kjo është veçanërisht e rëndësishme të theksohet për shkak se sipas të gjitha të dhënave, sot një numër i madh i qytetarëve janë shfrytëzues të internetit dhe një target grup veçanërisht i përshtatshëm i këtyre sulmeve me dezinformata janë të rinjtë.

“Ky lloj e bën atë një grup objektiv veçanërisht të përshtatshëm për të ushtruar ndikim. Kurse ndikimi po bëhet si me mjetet konvencionale të luftës, me të njëjtin intensitet po bëhen edhe këto kërcënime hibride në hapësirën kibernetike apo në internet, dhe, natyrisht, synimi është demotivimi, ngritja e dyshimeve për vlerat, në raport ndaj Federatës Ruse dhe vlerave që ajo respekton dhe vlerëson dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet që janë ose anëtare të Bashkimit Evropian, ose të aleancës së NATO-s, ose vendet që aspirojnë të jenë anëtarë të këtyre aleancave që vlerësojnë Vlerat e Evropës Perëndimore në maksimum”, tha Bojarovski.

Sipas profesoreshës Vesna Poposka nga Universiteti “Vizion” – Gostivar, propaganda si qëllim, nuk zgjedh sektorë dhe përhapet gjithandej. Ajo theksoi se absolutisht të gjithë janë përgjegjës për veprimet e tyre, veçanërisht në komunitetin akademik.

“Në komunitetin akademik është shumë me rëndësi t’i kthehemi integritetit akademik, përtej asaj që flitet si parakusht në titull, në përputhje me ligjin për arsimin dhe ligjit për kërkimin shkencor dhe fatkeqësisht shkenca u keqpërdor rëndë në të njëjtën periudhë. për të cilën flet Bojarovski, kemi pasur plenum dhe kundër-plenum. Kishim edhe protagonistë të gjuhës së urrejtjes të cilët e promovuan veten si aktivistë të të drejtave të njeriut, por kjo është diçka që nuk mund të parandalohet”, tha Poposka.

Profesoresha shtoi se tentativat për të parandaluar, për të kriminalizuar dezinformatat hapin një fushë tjetër të ndjeshme, sepse dezinformatat nuk ekzistojnë si vepër penale në Kodin Penal.

“Është praktikisht shumë e vështirë të arrihet ekuilibër midis nevojës për siguri dhe mbrojtje nga dezinformata dhe asaj që është vendosur si standard në përputhje me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në pjesën e lirisë së fjalës. Prandaj, ne si komunitet akademik kemi një përgjegjësi serioze, edhe shoqëria civile ka përgjegjësi serioze, ashtu siç ka edhe Qeveria, në kontekst të asaj se me kë bashkëpunon dhe këndvështrimet e kujt i propagandon. Mediat kanë përgjegjësi edhe kujt i japin hapësirë, sepse ndonjëherë në kërkim të sensacionalizmit ftojnë mysafirë që nuk gëzojnë integritet akademik, por gëzojnë disa tituj të arritur në mënyra të ndryshme dhe për këtë arsye përgjegjësia është e ndarë”, porositi Poposka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button