Rënie e re e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë

Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM) renditet në pozitën 1964 në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë për vitin akademik 2022/23, listë e cila publikohet çdo vit nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR), raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

UKIM ka shënuar rënie prej njëzet vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte në pozitën e 1944-të dhe një rënie prej 47 vendesh krahasuar me vitin paraprak (vendi 1917). Në vetëm tre vjet, UKIM ka rënë për 148 vende në këtë renditje botërore.

Megjithatë, UKIM këtë vit është i vetmi universitet nga Maqedonia që u gjend në listën CWUR. Sipas performancës akademike, janë renditur gjithsej 19.788 institucione të arsimit të lartë në mbarë botën, nga të cilat janë veçuar 2.000 më të mirët.

Nga shtetet fqinje, Serbia edhe këtë vit ka 4 përfaqësues në listë, ndër të cilët më së larti është renditur Universiteti i Beogradit, në pozitën e 348-të, njësoj si vitin e kaluar. Dy universitete renditen në Bullgari dhe 12 në Greqi. Këtë vit në listë nuk ka asnjë institucion të arsimit të lartë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Tre universitetet më të mirë në botë sipas listës CWUR janë Harvard, MIT dhe Stanford, të gjithë nga Shtetet e Bashkuara.

Ndryshe, kjo listë një muaj më parë në opinionin maqedonas u prezantua në mënyrë të rreme si lista e Shangait. VMRO-DPMNE opozitare në një konferencë për media komentoi rënien e universitetit më të madh maqedonas në listën CWUR, duke pretenduar se është lista e Shangait. Dezinformata, pa kontrolluar vërtetësinë e deklaratës, u përhap më pas nga media të shumta vendase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button