Planetariumi në QKR – një vend ku mund të shihni “qiellin e kthjellët të natës” dhe të mësoni më shumë për yjet, planetët dhe gjithësinë

Më 1 mars, pas një pauze dyvjeçare, Planetariumi në Qendrën Kulturore Rinore (QKR) rifilloi me punë. Atje mund të shkojë kushdo që dëshiron të mësojë më shumë për yjet, planetët dhe gjithë galaktikën, por edhe të shohë se si duket qielli i kthjellët natën pa ndotje nga drita, si askund tjetër në vendin tonë, njofton Meta.mk.

Në një dhomë të vogël në katin e parë në njërin nga objektet e QKR-së, që para pandemisë mblidhte edhe deri në 80 persona, ligjëratat për galaktikën tonë i mbajnë Monika Peshevska dhe Radan Mitroviq. Me ndihmën e një projektori që ka disa funksione, por edhe me diturinë e tyre, për të cilën thonë se është vegla më e madhe dhe më e rëndësishme që posedojnë, ata i njoftojnë të pranishmit me gjithçka që mund të shihet në qiellin mbi Shkup natën.

Peshevska është mësuese e diplomuar e fizikës, ndërsa pjesë e Planetariumit në QKR, së bashku me kolegun e saj, u bë në vitin 2019. Qielli i kthjellët, pa ndotje nga ndriçimi, thotë ajo, në kryeqytet mund të shihet vetëm në këtë Planetarium.

“Bukuria e Planetariumit është se mbi të gjitha ofron qiell të kthjellët. Qielli që nuk ka ndotje nga ndriçimi, nuk ka re dhe ndoshta bukuria është se ka kush t’i udhëzojë të pranishmit në ç’drejtim të shikojnë, cilave gjëra t’u kushtojnë vëmendje. Në këtë Planetarium theksi më i madh vihet tek yjet”, thotë Peshevska për “Meta.mk”.

Monika Peshevska dhe Radan Mitroviq, ligjërues në Planetarium/foto: Meta.mk

Mitroviq, i cili me astronomi merret prej shumë vitesh dhe është anëtar i Shoqatës Astronomike të Shkupit, thotë se Planetariumi është një mjet jashtëzakonisht i mirë mësimor për t’u treguar njerëzve se si duket një qiell i lashtë i pastër, i cili sot mund të shihet vetëm nga disa lokacione në botë, ku nuk ka qytetërime në një rreze prej disa qindra kilometrash.

“Tashmë mund të shihet vetëm në vende të shkreta, ku nuk ka qytetërime në një rreth prej 200-300 kilometra. Ashtu që, qiell të këtillë vështirë se mund të shihet jashtë. Këtu i njoftojmë njerëzit se çfarë janë yjet, çfarë është galaktika, çfarë janë planetët”, sqaron Mitroviq.

Në Maqedoni, qielli i kthjellët pa dritë mund të shihet vetëm nga disa lokacione, ndërsa më së miri shihet në pjesën lindore, në disa lokacione në Kriva Pallankë dhe Berovë, ndërsa qiell i tillë i kthjellët i natës mund të “haset” edhe në pjesë të tjera të vendit – në Mariovë e ndoshta edhe në Pelister, thonë bashkëbiseduesit tanë.

Sipas tyre, projektori në Planetariumin e QKR-së është rreth pesëdhjetë vjeç dhe daton nga koha kur ish-Jugosllavia bleu katër makina të tilla, të cilat, përveç në Shkup, kanë përfunduar edhe në Zagreb, Beograd dhe Novi Sad. Edhe pse gati pesë dekada i vjetër, projektori funksionon ende jashtëzakonisht mirë, edhe sot, dhe ofron një sërë operacionesh që u lejojnë të pranishmëve të gërmojnë më thellë në yje dhe hapësirë.

“Më së miri shihen yjet, sikurse figurat fiktive që quhen yjësi, por gjithashtu mund të shkohet edhe në pjesën shkencore ku me ndihmën e sistemeve të koordinatave mund të punohet edhe  më tej, më profesionalisht, më thellë për të përcaktuar koordinatat e yjeve në sisteme të ndryshme të koordinatave. Planetët shihen, por pamja është pikërisht ashtu siç shihen në qiell. Me ndihmën e kësaj pajisjeje, mund t’i shohim saktësisht siç do t’i shihnim në qiellin e vërtetë mbi Shkupin”, tha Peshevska.

Projektori me ndihmën e të cilit prezantohet qielli i errët mbi Shkup / foto: Meta.mk

Por, për të parë qiellin kristal të pastër në Planetarium, çdo vizitor duhet të ndjekë disa rregulla, duke përfshirë rregullin për të mos e aktivizuar celularin gjatë ligjëratës, sepse drita e ekranit do të pengoj që të shihen të gjitha yjet dhe planetët. Mitroviq thotë se duhen disa minuta “errësim” në atë dhomë, ashtu që syri i njeriut të përshtatet dhe t’i vërejë të gjitha pikat e ndritshme në Planetarium.

“Nëse do t’i kisha fikur dritat tani, nuk do të mund të shihnit shumë yje, sepse syri juaj duhet të përshtatet. Mund të duhen 10-15 minuta që irisi i syrit tuaj të zgjerohet, që ju të mund t’i shihni të gjitha mrekullitë që gjenden lartë. Por, në çastin kur t’ju hapet bebëza, atje lartë ndodhin mrekullitë e mëdha” tha Mitroviq.

Interesimi për të vizituar Planetariumin pas rihapjes është i madh. Këtu vijnë grupe të organizuara fëmijësh dhe të rriturish që duan të mësojnë më shumë për universin.

Peshevska dhe Mitroviq thonë se sipas përvojave të tyre, të rinjtë janë kureshtarë dhe më së shumti interesohen për vrimat e zeza, Diellin dhe Shpërthimin e Madh, ndërsa pyetja më e zakonshme që ata bëjnë është “Përse Plutoni nuk është planet?”.

“Sepse nuk duhet të jetë. Nuk e plotëson kushtin e tretë të përkufizimit të planetëve, i cili thotë se duhet të ketë një orbitë të qartë të pastruar”, tha Mitroviq.

Peshevska thotë se ligjëratat e tyre përbëhen nga përmbajtje të përzgjedhura me kujdes, të cilat e nxisin kureshtjen e të rinjve në mënyrë që ata të vazhdojnë kërkimet pasi të largohen nga Planetariumi.

“Ndoshta mjeti ynë më i madh është njohuria jonë, niveli i informacioneve që ne posedojmë, që kur fëmijët bëjnë pyetje duhet t’ua prezantoni atyre në një mënyrë të përshtatshme për t’u lënë hapësirë ​​që ata të vazhdojnë kërkimin. Ju u tregoni atyre, por u lini hapësirë ​​që t’i bëni më kureshtarë për atë çështje, të studiojnë më tej atë që kanë dëshiruar ta zbulojnë”, tha Peshevska.

Me ndihmën e projektorit, Monika dhe Radan i njohin të rinjtë me yjet / foto: Meta.mk

Ajo sqaron se dallimi kryesor mes planetariumit dhe observatorit është në funksionin e tyre – i pari ka funksion edukativ, ndërsa observatori ka funksion kërkimor-shkencor.

“Dallimi është se planetariumi është një lloj teatri në të cilin kemi makinën e duhur dhe kupolë të mbyllur. Pra, këtu me ndihmën e asaj makine ne e projektojmë një qiell me yje, ndërsa në observator keni një kupolë që hapet, atje keni teleskopë që vëzhgojnë në kohë reale dhe vëzhgojnë yje të vërtetë”, shpjegon Peshevska.

Si një adhuruese e astronomisë, Monika më së shumti magjepset nga lidhshmëria midis matematikës dhe gjithësisë.

“Për mua më magjepsëse është se si njerëzit vetëm me njohuri matematikore, duke zgjidhur ekuacione të caktuara në matematikë dhe duke vendosur kushte, marrin informacione për trupa realë në hapësirë. Është shumë bukur që njeriu vetëm me ndihmën e mendjes së tij mund të zbulojë se çfarë po ndodh në qendër të një ylli të caktuar, si evoluon ai yll, si ndryshon, mund të parashikojë disa gjëra, çfarë do të ndodhë pas një mijë apo njëqind mijë vitesh”, thotë Peshevska.

Radanin, nga ana tjetër, e përmbushin teleskopët dhe vëzhgimet e qiellit.

“Një teleskop, një qiell i pastër nate dhe unë – kjo më së shumti më mbush me energji”, thotë Mitroviq.

Ata shpresojnë që në një të ardhmen e afërt Planetariumi do të pranojë pajisje dhe mjete më moderne për projeksione, ndërsa më shumë për trupat qiellorë këta entuziastë mund t’ju tregojnë në ligjëratat e hapura në Planetarium në QKR, të cilat mbahen çdo të premte dhe të shtunë duke filluar nga ora 18: 00 dhe 20:00.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button