Inercioni

Pas një kohe të gjatë kur për shkak të izolimit lidhur me Covid-19 nuk organizoheshin evenimente publike, dje isha në një pritje të organizuar me rastin e Ditës së Mbretit të Holandës. Ishte aq e çuditshme të takohesh me shumë njerëz në një ditë me diell dhe të vazhdosh të komunikosh si dikur, si në kohën para Koronës. Gati se kishim harruar komunikimin në publik dhe takimin me shumë njerëz në të njëjtën kohë. Ishte e çuditshme ndjenja sikur po thyenim ndonjë rregull të izolimit, sikur duhet edhe më tej të jemi me maska dhe ti shohim vetëm sytë e njëri tjetrit, sikur duhet edhe më tej të komunikojmë online.
Korona ka lënë shumë pasoja dhe ka krijuar shprehi të reja dhe do të na duhet kohë për tu mësuar në një realitet të ri dhe më të lirë. Sepse njeriu është i tillë, e do lirinë, por di të jetojë edhe i ngujuar. Pasi ka jetuar i ngujuar për një kohë të gjatë, i duhet kohë për t’u mësuar sërish me lirinë.

Dje, në atë ditë të bukur dhe të ngrohtë prilli, mu kujtua 27 prilli i vitit 2017. Ishte pikërisht ajo ditë pesë vite më parë kur isha në Shkup duke pritur të vijë ora për të shkuar pikërisht në të njëjtën pritje të organizuar nga Ambasada e Holandës, pritje vjetore kjo që organizohet çdo vit në të njëjtën ditë. Por atë ditë kjo ngjarje e bukur nuk u mbajt sepse vendi sapo nuk u gremis në luftë civile. E mbaj mend pikërisht momentin e qetësisë para furtunës. Ishte edhe ajo një ditë e ngrohtë me diell, dhe në orën 18:00 filloi ngjarja kriminale në Kuvend që më pas do të ndiqej dhe dënohej si ‘Cenim terrorist i rendit kushtetues’.

Turma e organizuar hyri me dhunë në kuvend dhe sulmoi parlamentarët e shumicës së re të cilët sapo kishin zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit. Turma u ndihmua nga brenda dhe jashtë, nga struktura të ndryshme kriminale që kishin depërtuar edhe në organet më të larta shtetërore. Nuk ishte ky një krim i zakonshëm i turmës së dalë jashtë kontrollit. Ishte një akt i planifikuar deri në detaje që kishte për qëllim pengimin e transferit të qetë të pushtetit dhe vazhdimin e gjendjes së robëruar të shtetit. Sepse liria dhe robëria lidhen ngushtë me inercionin. Sa më e vështirë të jetë robëria, aq më shumë përpjekje duhet për t’u çliruar.

Sot rrallë e kujtojmë atë që ndodhi me 27 prill të vitit 2017. Sikur u përmbyll ajo temë, sikur e lamë pas vetes. Po ashtu, askush më nuk flet për faljet e presidentit Ivanov që u dhanë edhe ato në prill të vitit 2016 e të cilat sot e kësaj dite prodhojnë probleme juridike që ndonjëherë ngjajnë si të pazgjidhshme. Mendoj që këto ngjarje duhen kujtuar dhe analizuar në vazhdimësi për shkak se në ato ditë të caktuara ndodhën akte të qarta me qëllim që proceset demokratike dhe juridike të vendit të pamundësohen dhe që vendi të vazhdojë t’i shërbejë partisë dhe jo qytetarëve. Ishin këto sulme mbi demokracinë nga të cilat duhen nxjerrë mësime.

Shumë njerëz thonë që asgjë nuk ka ndryshuar në këtë shtet dhe gjithçka vazhdon si më parë. Dua ti rikujtoj ata që mendojnë kështu se kemi jetuar në kohë kur presidenti ka falur pa asnjë arsyetim njerëz të kyçur në korrupsion të lartë dhe kur kreu i shteti ka organizuar sulm terrorist në Kuvend me qëllim që një parti e caktuar ta mbajë pushtetin me dhunë. Duket e çuditshme, por ky ishte realiteti në të cilin jetonim deri para pesë vitesh.

Ai realitet i kaluar, mund të bëhet realitet përsëri. Sepse sjellja e të inkuadruarve në këto ngjarje kriminale nuk është se ka ndryshuar dhe as që ka pasur ndonjë proces katarzë dhe pendimi. Po të kenë mundësinë, ata që e krijuan realitetin e viteve 2016-2017, të njëjtin do ta krijojnë përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button