Jusra Salihi: Punoni fortë për ëndrrat e juaja, sepse pa punë nuk ka sukses (VIDEO)

Gjuha e pikturimit të Jusra Salihit është unike, tërheqëse dhe me shumë gjallëri. Ajo është vetëm 14 vjet dhe me talentin që ka në pikturim, ka arritur të ketë ekspozita bashkë me artistë profesionistë. Jusra vjen nga fshati Sllatinë, Tetovë dhe është nxënëse e shkollës fillore “Eqrem Çabei”. Për Portalb.mk sot Jusra tregoi nismën e saj në fushën e artit.

Gjithçka nisi në klasën e gjashtë, kur kujdestari i saj bashkë me profesorin e artit figurativ vërejtën talentin që Jusra kishte në pikturim. Që në atë moment, ata u angazhuan që Jusra të ishte pjesë e ekspozitave dhe manifestimeve të ndryshme në shkollë me qëllim që të promovohej talenti i saj.

“Më pëlqen të pikturoj natyra. Aty e gjej inspirimin më të madh për të krijuar një vepër arti. Por, më vjen keq që veprat e të rinjve nuk vlerësohen aq shumë nga vendasit. Më kanë ofruar disa herë që të mi blejnë pikturat dhe në momentin që ju tregon çmimin, largohen.”  tha Jusra Salihi.

This slideshow requires JavaScript.

Ekspozita e saj e parë ka qenë që në moshë shumë të vogël, kur ajo kishte vetëm 11 vjet dhe u realizua në Galerinë e Arteve në Tetovë. Duke vazhduar kështu me ekspozitën tjetër për javën kulturore, ku Jusra ishte artistja më e vogël dhe gjithë të tjerët ishin artist profesionit mbi moshën 20 vjeç.

Jusra tani është në klasën e nëntë dhe është në atë periudhën ku duhet të vendos se ku do të vazhdojë në shkollë të mesme. Por, ndryshe nga moshatarët e saj, e ka shumë të lehtë këtë pjesë, ajo që shumë më herët e ka vendosur që do të vazhdojë në Gjimnazin e Arteve Figurative.

Mesazhi që Jusra përcolli për të gjithë artistët e rinj është që të punojnë fortë për ëndrrat e tyre, sepse pa punë nuk ka sukses.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button