RMV, 30 vjetori i pavarësisë monetare: Banka Popullore filloi me analizat për mundësinë e futjes së denarit digjital

Sipas shembullit të Bankës qendrore evropiane, Banka Popullore, filloi me aktivitetet fillestare për të shqyrtuar mundësinë dhe nevojën për futjen e denarit digjital, tha guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në ceremoninë e shënimit të 30 vjetorit të pavarësisë monetare, transmeton Portalb.mk. 

“Nëse analizat tregojnë se është e nevojshme futja e duhur e denarit digjital, gjatë festimeve të radhës të ditës së pavarësisë monetare, shpresoj se do të flasim për denarin digjital si mjet zyrtar pagese në vend”, tha guvernatorja.

Në fjalën e saj, ajo theksoi se Banka Popullore ka arritur rezultate të domethënës në vitet e fundit, duke shtuar se në fillim të vitit 2019, si vendi i tetëmbëdhjetë në botë, është arritur standardi më i lartë statistikor ndërkombëtar i FMN-së.

Vitin e kaluar nga ana tjetër, shtoi ajo, Komisioni Evropian vendosi se rregullimi dhe mbikëqyrja bankare që e zbaton Banka Popullore është ekuivalente me atë evropiane, dhe me këtë, banka është përfshirë në listën e vetëm 26 vendeve në botë që i përmbushin këto standarde.

Për sa i përket transparencës, siç theksoi guvernatorja, Banka Popullore është banka e dytë qendrore në botë, për të cilën FMN ka bërë vlerësim sipas Kodit të fundit dhe u shpreh e kënaqur për shkallën e lartë të transparencës.

“Çdo jubile i rëndësishëm historik, në një masë të caktuar, na vë në udhëkryq dhe duke iu referuar asaj që tashmë është arritur, duhet të marrim një vendim ose të konfirmojmë se në cilën rrugë do të vazhdojmë. Ndaj, më duhet të theksoj se sido që të zhvillohet procesi i integrimit evropian të vendit, standardet evropiane do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi ynë për familjen evropiane të bankave qendrore. Ndërsa atëherë kur kapitulli evropian i historisë sonë të përfundojë dhe denari të mbetet simboli ynë historik i stabilitetit, besoj se do të vërtetohet edhe një herë se si bankë qendrore kemi ecur në rrugën e duhur”, tha guvernatorja Angelovska-Bezhoska.

Në fjalën e saj, guvernatorja e Bankës Popullore theksoi se stabiliteti i denarit është i garantuar dhe është vendimtar për stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë në vend.

Ndryshe 30 vjetori i pavarësisë monetare të Maqedonisë u shënua nga Presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i financave Fatmir Besimi, guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska-Bezoska dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve shtetërore në Akademinë Formale.

Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski tha se me politikat e vendosjes së kursit stabil të denarit, banka qendrore në atë kohë luajti një rol të madh në forcimin e themeleve të pavarësisë dhe shtetësisë sonë, u stabilizua inflacioni, sistemi bankar filloi të rimëkëmbej dhe një sasi e konsiderueshme rezervash valutore u formua si një aspekt kyç i likuiditetit valutor të vendit.

Duke iu referuar të tashmes, Pendarovski theksoi se besimi në valutën tonë, për fat të keq, në vazhdimësi po cenohet nga faktorë që po bëhen më të vështirë për t’u kontrolluar.

“Flas për kërcënime hibride, ndër të cilat më i rrezikshmi është dezinformimi që është i përhapur dhe shfaqet gjithnjë e më intensivisht në rrjetet sociale. Jemi dëshmitarë, sidomos në vitin e fundit, që Banka Popullore u vu në shënjestër të lajmeve të rreme të shumta me të vetmin qëllim që të krijojë panik te qytetarët, pasiguri dhe mosbesim në sistem. Megjithatë, duhet të konkludojmë se banka jonë qendrore deri më tani i ka luftuar me sukses ato beteja dhe ka reaguar në kohën e duhur ndaj të gjitha lajmeve që përhapin të pavërteta”, tha Pendarovski.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se integrimi ynë në sistemin financiar evropian ka përmirësuar mundësitë për financimin e institucioneve tona në tregun e jashtëm dhe të brendshëm të kapitalit. Komisioni Evropian vlerësoi se rregulloret bankare dhe mbikëqyrja e ushtruar nga Banka Popullore janë në përputhje me standardet e BE-së.

Këtë e vërteton, theksoi Kovaçevski, kapaciteti institucional i bankës, e cila me instrument monetar të përshtatshëm e ruan stabilitetin e denarit.

“Politika e kujdesshme monetare, si dhe koordinimi i mirë me politikat e tjera makroekonomike, kanë çuar në një rritje të vazhdueshme të rezervave valutore. Rezervat valutore sot janë në një nivel historikisht të lartë dhe forcojnë drejtpërdrejt stabilitetin e kursit të këmbimit. Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ishte faktor i rëndësishëm në përballjen me krizën e atëhershme financiare globale dhe komunikimi i vazhdueshëm me Qeverinë për harmonizimin e koordinuar të politikave qeveritare për përballimin e rreziqeve të krizës aktuale po jep rezultate”, tha kryeministri.

Tridhjetë vjet më parë, më 26 prill 1992, u hodhën themelet e pavarësisë monetare. Para qytetarëve ishin prezantuar kartëmonedhat e valutës së re të Maqedonisë – denarit, i cili u bë valutë që zëvendësoi dinarin e atëhershëm jugosllav, dhe Banka Popullore filloi të funksionojë si bankë qendrore e pavarur. Me këtë u rrumbullakësua pavarësia e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button