Dita 64: Shpërthime në Kiev pas takimit të Zelenskyt me shefin e OKB-së

Rusia goditi kryeqytetin ukrainas të Kievit menjëherë pas një takimi midis Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres të enjten në mbrëmje. Rusia është pezulluar nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara. Ky vendim është marrë me shumicë votash të Asamblesë së Përgjithshme të organizatës. 40 shtete votuan për pezullimin e anëtarësimit të Rusisë, 11 shtete anëtare kundërshtuan, ndërsa India, Izraeli, Indonezia dhe Zvicra abstenuan. Sipas kryetares së Agjencisë Shtetërore për Zhvillimin e Turizmit Mariana Oleskiv, ky vendim do të pezullojë zhvillimin e industrisë së turizmit të Rusisë, komuniteti botëror, i cili përcakton tendencat turistike nuk do të ndajë më me agresorin pasurinë dhe arritjet e tyre, transmeton Portalb.mk.

23:35 – Shpërthime në Kiev pas takimit të Zelenskyt me shefin e OKB-së

Rusia goditi kryeqytetin ukrainas të Kievit menjëherë pas një takimi midis Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres të enjten në mbrëmje.

Të paktën një person u vra dhe disa u plagosën, duke përfshirë disa të cilët u bllokuan nën rrënoja, sipas zyrtarëve të shpëtimit.

Kryebashkiaku, Vitali Klitschko tha se distrikti në pjesën veriperëndimore të qytetit u godit dy herë, duke shkaktuar zjarre në të paktën dy ndërtesa të larta.

Shpërthimet, të cilat dërguan shtëllunga tymi të zi në ajër, erdhën menjëherë pasi të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë shtypi në të cilën Guterres dënoi mizoritë e kryera në qytete si Buça, ku u gjetën prova të vrasjeve masive të civilëve pasi Rusia u tërhoq.

Autoritetet thanë se shefi i OKB-së dhe ekipi i tij ishin të sigurtë.

Kjo u pa si një nga sulmet më të guximshme në Kiev që kur forcat ruse u tërhoqën nga kryeqyteti javë më parë.

Shpërthimet erdhën ndërsa banorët po kthehen gjithnjë e më shumë në qytet.

Kafenetë dhe bizneset e tjera janë rihapur dhe një numër në rritje njerëzish kanë dalë jashtë dhe kanë shijuar motin pranveror.

22:45 – OKB voton më 11 maj për zëvendësimin e Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë më 11 maj për një vend që do të zëvendësojë Rusinë në organin kryesor të të drejtave të njeriut pas pezullimit të saj mbi akuzat për shkelje të tmerrshme nga ushtarët rusë në Ukrainë.
Zëdhënësja e asamblesë, Paulina Kubiak tha të enjten se Republika Çeke ishte kandidati i vetëm për vendin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut prej 47 anëtarësh.
Vendet në këshillin me bazë në Gjenevë janë të ndara midis grupeve rajonale dhe një zëvendësim për Rusinë duhet të vijë nga një vend i Evropës Lindore.
Pasi Asambleja e Përgjithshme pezulloi Rusinë, zëvendësambasadori i saj, Genadi Kuzmin u tha anëtarëve të OKB-së se Rusia u tërhoq nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut përpara votimit.
Zëdhënësi i Këshillit, Rolando Gomez tha se duke u tërhequr, Rusia shmangu privimin e statusit të vëzhguesit në organin e të drejtave.
Që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka humbur vendin e saj në organe të shumta të OKB-së, duke përfshirë bordet ekzekutive të UN Ëomen dhe agjencinë e OKB-së për fëmijë UNICEF, Komitetin për Organizatat Joqeveritare dhe Forumin e Përhershëm për Çështjet Indigjene.
Rusia u pezullua gjithashtu këtë javë nga Organizata Botërore e Turizmit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, po i kërkon Kongresit amerikan të enjten (28 prill) kompentenca të reja për të kapur dhe ripërdorur asetet e oligarkëve rusë, për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.

Biden do të kërkojë miliarda dollarë në shpenzime shtesë të SHBA-së të destinuara për furnizimin e ushtrisë së Ukrainës, forcimin e ekonomisë së saj dhe mbështetjen e miliona refugjatëve që u larguan nga pushtimi rus dy muaj më parë.

Ai gjithashtu do të kërkojë kompentenca të reja nga Kongresi për të forcuar sanksionet e SHBA-së kundër qeverisë ruse dhe atyre që përfitojnë prej saj, tha Shtëpia e Bardhë.

Bideni po u kërkon ligjvënësve që të bëjnë vepër penale për një person që “me vetëdije ose qëllim të zotërojë të ardhura të përfituara drejtpërdrejt nga marrëdhëniet korruptive me qeverinë ruse”… dhe të zgjerojë përkufizimin e “shantazhit” sipas ligjit të SHBA-së për të përfshirë përpjekjet për t’iu shmangur sanksioneve.

Bideni do t’i kërkojë gjithashtu Kongresit të lejojë që qeveria federale të përdorë të ardhurat nga shitja e aseteve të sekuestruara të oligarkëve rusë të sanksionuar për të ndihmuar popullin e Ukrainës.

Në një fjalim virtual drejtuar drejtuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje që të ardhurat nga pronat e sanksionuara dhe rezervat e Bankës Qendrore të përdoren për të kompensuar Ukrainën për humbjet e saj.

Ai tha se asetet e ngrira ruse “duhet të përdoren për të rindërtuar Ukrainën pas luftës, si dhe për të paguar për humbjet e shkaktuara kombeve të tjera”.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen tha në atë kohë se do të nevojiteshin veprime të Kongresit për të autorizuar veprime të tilla.

Lufta ka shkaktuar tashmë më shumë se 60 miliardë dollarë dëme në ndërtesa dhe infrastrukturë në Ukrainë, tha javën e kaluar presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

FMN-ja në parashikimin e saj të fundit të perspektivës së ekonomisë botërore tha se ekonomia e Ukrainës do të tkurret me 35 për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt ndërsa që nga ajo kohë, shumë shtete perëndimore kanë sanksionuar Rusinë, në përpjekje për ta ndalur pushtimin.

13:19 – Shefi i OKB-së: Lufta në Ukrainë, “absurditet” i shekullit 21

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka quajtur luftën në Ukrainë një “absurditet të shekullit 21”, pas vizitës që ka kryer në qytezën Borodjanka afër Kievit, ku janë gjetur shenja të torturës, pas largimit të trupave ruse nga ai rajon më herët gjatë këtij muaji.

“Imagjinoj familjen time në njërën prej këtyre shtëpive që tani është e shkatërruar dhe e zezë. Shoh mbesat e mia duke ikur në panik. Lufta është absurditet në shekullin 21. Lufta është djallëzore. Nuk ka mundësi që një luftë të pranohet në shekullin 21”, ka thënë Guterres nga Ukraina më 28 prill.

Largimi i forcave ruse nga rajoni afër Kievit ka shpërfaqur të dhëna për vrasje brutale, torturë, varreza masive dhe shënjestrim të civilëve në luftime.

Disa vende, por edhe Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale që të kryejë hetime për të vërtetuar nëse janë kryer krime lufte.

“Mbështes plotësisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe i bëj thirrje Federatës Ruse që të pranojë dhe të bashkëpunojë me këtë Gjykatë. Mirëpo kur flasim për krime lufte, ne nuk duhet të harrojmë që krimi më i madh është vetë lufta”, ka thënë ai.

Pavarësisht të dhënave, Rusia ka hedhur poshtë akuzat se është duke shënjestruar civilët, prej kur ka nisur luftën e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

12:58 – Zelensky të martën me një video-mesazh do t’ju drejtohet deputetëve shqiptar

Zelenski pranoi t’u drejtohej deputetëve shqiptarë me një videomesazh dhe Kuvendi i Shqipërisë po përgatitet për fjalimin e tij, të martën në orën 10:00.

Burime për Top Channel nga Kuvendi thanë se Zelensky ka pranuar t’i drejtohet parlamentit të Shqipërisë me një fjalim.

Javët e shkuara presideni i Ukrainës Volodimir Zelensky ka dhënë disa mesazhe në disa parlamente evropiane.

Shqipëria, aleate e NATO-s është pozicionuar në krah të Ukrainës, duke dënuar agresionin rus dhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Rreth 400 refugjatë ukrainas kanë mbërritur deri më tani në vend, të cilëve u është dhënë mbrojtje e përkohshme sipas ligjit të plotë të azilit.

Me vendim të posaçëm të Qeverisë, shtetasit ukrainas kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Shqipëri pa leje qëndrimi për një periudhë njëvjeçare.

11:48 – Çfarë qëndron pas vendimit rus për t’i ndërprerë furnizimet me gaz?

Për shkak të urdhrit të Putinit që pagesat me rubla të prekin vetëm “shtetet jomiqësore”, ky vendim mund të shihet si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore që kanë larguar bankat ruse nga transaksionet ndërkombëtare financiare dhe kanë detyruar disa kompani perëndimore që t’i largojnë bizneset e tyre nga Rusia.

Motivet ekonomike për të kërkuar pagesa me rubla nuk janë të qarta sepse Gazpromi veçse duhet të shesë 80 për qind të fitimeve të saj të huaja për rubla, prandaj shtytja për rimëkëmbjen e monedhës kombëtare ruse do të ishte minimale. Një nga motivet e këtij vendimi mund të jetë politik: për t’i treguar publikut në Rusi se Putini mund të diktojë kushtet e eksporteve të gazit. Dhe duke kërkuar që pagesat të bëhen vetëm përmes Gazprombankës, kjo lëvizje mund të bëjë që kjo bankë të shënjestrohet nga sanksione të mëtejme.

Nëse Putini po kërkonte për një pretekst për të ndalur furnizimet me energji ruse për shtetet që mbështesin Ukrainën, ky vendim mund të shërbejë për këtë qëllim. Rusia ende po vazhdon të dërgojë gaz në Hungari – ku kryeministri populist, Vikor Orban është pajtuar me sistemin e ri të pagesave të propozuar nga Putini – përmes sistemit të njëjtë të gazsjellësit.

Simone Tagliapietra, ekspert i energjisë dhe bashkëpunëtor në organizatën Bruegel me seli në Bruksel, thotë se “duke lëvizur në këtë drejtim, Rusia po përdor fragmentimin e BE-së – është strategjia ‘përçaj dhe sundo’ – prandaj ne kemi nevojë për një përgjigje të koordinuar të BE-së”.

11:42 – Xhaferi në takim me homologun e tij ukrainas: Do të angazhohemi që këto vepra krimi të marrin emrin gjenocid

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot ka zhvilluar vizitë me kreun e Verkhovna Radës, përkatësisht homologun e tij ukrainas Rusllan Stefançuk. Xhaferi u shpreh se ndodhet atje, për të dhënë mbështetjen personale dhe institucionale për Verkhovna Radën dhe deputetët e Verkhovna Radës, mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas.

“Republika e Maqedonisë së Veriut u bashkëngjit pa rezervë ndaj të gjitha masave restriktive të ndërmarra nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse dhe do të vazhdojë edhe më tutje të bëjë këtë. Njëkohësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkëngjit nismës së anëtarëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për ndihmë financiare dhe luftarake të Ukrainës. Gjithsesi, do bashkëngjitemi edhe ndaj tentativave për ripërtëritjen e Ukrainës, pas përfundimit të kësaj lufte të pakuptimtë”, thuhet në deklaratën e Xhaferit.

Xhaferi ka deklaruar se sot kishin rastin që në vendndodhje ti shohin edhe veprat e krimit që i ka bërë Federata Ruse në truallin e Ukrainës dhe ndaj qytetarëve ukrainas dhe prandaj, pas kësaj vizite ai edhe personalisht edhe institucionalisht do të angazhohen që ato vepra krimi të marrin emrin përkatës, dhe asnjë emër tjetër përpos vepra gjenocidi.

11:25 – Në qytetin e pushtuar ukrainas Kherson nga 1 maji do të përdoret rubla

Në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, i cili kontrollohet nga forcat ruse, rubla do të përdoret nga 1 maji, njoftoi televizioni shtetëror rus RIA Novosti. Nënkryetari i administratës ushtarako-civile të rajonit Kiril Stremusov tha se tranzicioni do të zgjasë katër muaj dhe në atë periudhë do të përdoret rubla dhe hryvnia ukrainase. Valuta e vetme në rajon më pas do të jetë rubla.

“Nga 1 maji, ne po kalojmë në zonën e rublës”, tha Stremusov.

Kherson ishte qyteti i parë më i madh ukrainas që u pushtua nga rusët që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt. Që atëherë, protestat kundër pushtimit rus kanë qenë të shpeshta në qytet, me forcat ruse duke përdorur gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të shpërndarë protestuesit, njoftoi prokurori publik i Ukrainës.

“Falënderoj të gjithë ata që nuk u dorëzuan, që protestojnë dhe injorojnë pushtuesit”, tha presidenti Volodymyr Zelenski.

Kievi thotë se Rusia planifikon të mbajë referendum të rremë në rajon për të shpallur Khersonin Republikë Popullore, duke ndjekur shembullin e Donetskut dhe Luhanskut.

09:59 – Rusia u pezullua nga Agjencia e OKB-së për Turizëm Botëror

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror ka votuar për të pezulluar Rusinë për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë.

Pjesa më e madhe e 160 vendeve anëtare të Agjencisë kanë përkrahur vendimin, por nuk dihet numri i saktë.

Mocioni ka kërkuar dy të tretat e votave.

Para votimit për pezullim, Rusia ka bërë të ditur se po largohet nga agjencia.

“Statuset janë të qarta: promovimi i turizmit për paqe dhe respektim universal të të drejtave të njeriut. Vetëm vendet anëtare që respektojnë ato mund të jenë pjesë e Agjencisë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i këtij trupi, Zurab Pololikashvili.

“Veprimet do të kenë gjithmonë pasoja. Paqja është e drejtë themelore e njeriut. E garantuar për të gjithë. Pa përjashtime”, ka thënë mes tjerash ai.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se vendimi është i motivuar politikisht, prandaj Rusia e konsideron jolegjitim.

“Është vlerësuar që votimi është nxitur nga propaganda anti-ruse”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Agjencia për Turizëm Botëror, nuk do të ndikojë këtë sektor në Rusi.

“Sektori i turizmit, sidomos turizmi i brendshëm, do të vazhdojë të zhvillohet. Edhe mundësitë për turizëm të jashtëm janë të hapura, varësisht nga situata e konkurrencës dhe cilësia”, ka thënë ai.

08:46 – Putin paralajmëroi kundër ndërhyrjes së huaj në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për hakmarrje të shpejtë nëse shtetet e huaja ndërhyjnë në Ukrainë.

Rusia u ka thënë Shteteve të Bashkuara që të mos dërgojnë armë në Ukrainë, duke thënë se armët që po dërgon Perëndimi janë duke nxitur konfliktin.

Duke folur para ligjvënësve në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Perëndimi dëshiron të ndajë Rusinë në copëza të vogla dhe ka akuzuar atë se po e shtyn Ukrainën në konflikt me Rusinë.

“Nëse dikush dëshiron të ndërhyjë nga jashtë për ngjarjet që janë duke vazhduar, dhe të krijojë kërcënime strategjike, që janë të papranueshme për Rusinë, ata duhet ta dinë se sulmet tona hakmarrëse do të jenë të shpejta si rrufe”, ka thënë Putin sipas mediave shtetërore ruse.

“Ne kemi të gjitha mjetet për këtë gjë, mjete që askush nuk i ka tani. Ne nuk do të mburremi, ne do t’i përdorim ato nëse është e nevojshme. Dua që të gjithë ta dinë këtë gjë”.

Pushtimi rus në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Për pasojë janë shkatërruar qytete e qyteze dhe mbi pesë milionë njerëz janë detyruar të ikin nga shteti.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione dhe dërgim të armëve për Ukrainë për ta forcuar atë në luftën që ka rritur shqetësime se mund të zgjerohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button