Në Karposh pas orës 1 të mesnatës fiken dritat, komuna kursen për shkak faturave të larta

Qytetarët e Komunës së Karposhit tanimë dhjetëra ditë ankohen për rrugët dhe hapësirat publike të errëta dhe për shkak të shkyçjes së ndriçimit publik. Kryetari i Komunës, Stevço Jakimovski sot konfirmoi se po zbaton masa kursimi, për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, njofton Portalb.mk.

Edhe pse rrugët nëpër Karposh janë në errësirë, Jakimovski thotë se komuna ka në dispozicion dy mundësi – njëra të kursehet rrymë, a tjetra të rritet çmimi për ndriçim publik të cilat nëpërmjet EVN-së arrijnë te qytetarët në këtë komunë. Jakimovski është i gatshëm të shpallë referendum në të cilin qytetarët do të miratojnë vendim përfundimtar se si të kalohet problemi.

Siç thotë ai, komuna ka furnizuar 173 kohëmatës të cilët e fikin ndriçimin publik, për të cilin është paguar tre herë e gjysmë më shumë në krahasim me vitet e kaluara.

“Në vitin 2021 dhe 2020 për ndriçim publik kemi harxhuar 13 milionë denarë për tërë vitin dhe harxhimet e tyre historike janë parashikuara edhe për vitin 2022. Por, për fat të keq, vetëm në tre muajt e parë të vitit kemi harxhuar 13 milionë denarë energji elektrike. Faturat që kanë qenë 2 milionë denarë, tani janë 7 milionë denarë. Ato janë 5 milionë denarë shtesë çdo muaj, gjegjësisht 80.000 euro”, deklaroi Jakimovski.

Ai paralajmëron se nëse qytetarët tani paguajnë nga 150 denarë në rrymë-matës për ndriçim publik, në të ardhmen, faturat do të kushtonin në rreth 500 denarë në muaj vetëm për atë harxhim.

Jakimovski thotë se me fikjen e ndriçimit publik prej orës 1 deri në orën 5 të mëngjesit, ata si komunë do të kursejnë 30% nga faturat, gjegjësisht 2 milion denarë nga 7 milionë.

Ai vlerëson se fikja e ndriçimit publik në Karposh është masë e përkohshme që të munden vitin e ardhshëm të sigurojnë rreth 5 milionë euro për qytetarët, gjatë së cilës Jakimovski premton edhe ndërtim të elektranës fotovoltaike prej 1 megavat që të kompensohet çmimi i rrymës elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button