Në Kuvendin e Shqipërisë u paraqit kërkesa për dënim të gjenocidit serb në Kosovë

Deputeti Tritan Shehu, anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme, ka dorëzuar kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë, përmes të cilës kërkon që të dënohet gjenocidi serb ndaj popullit të Kosovës, raporton Koha.net.

Kërkesa është bërë në përkujtim të 27 prillit 1999, ku në Mejë të Gjakovës, ndodhi masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë. U vranë 377 shqiptarë, kryesisht burra që u ndanë nga kolonat e të zhvendosurve që ishin nisur drejt Shqipërisë.

Deputeti Shehu u shpreh se në seancën e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë duhet të mbahet një minutë heshtje në përkujtim të viktimave.

“Dorëzova një kërkesë në protokollin e Kuvendit. Sot është dita e përvjetorit të masakrës, në Kosovë, ku u masakruan burra dhe gra nga ushtria serbe. Për këtë arsye mendoj se kemi të bëjmë me një gjenocid ndaj popullsisë së Kosovës. Fatkeqësisht qeveria e Serbisë nuk ka kërkuar falje asnjëherë për këtë krim dhe për këtë gjenocid. Unë sot i kam kërkuar kryetares kuvendit, zonjës Nikolla që të mbahet 1 minutë heshtje për respekt të viktimave në Mejë dhe të dënojmë gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës”, tha deputeti i Partisë Demokratike.

Sipas tij, do të merren hapa të tjerë që Kuvendi edhe zyrtarisht të dënojë gjenocidin e Serbisë.

Kërkesë të tillë pati bërë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Si ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, Osmani gjatë fjalimi të saj në Kuvendin e Shqipërisë më 17 dhjetor 2020, u bëri thirrje deputetëve të Shqipërisë që edhe Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si ai i Kosovës, të dënojë gjenocidin serb në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button