Tetovë, Këshilli komunal me një këshilltar më pak, dështoi seanca e dhjetë (VIDEO)

Dështoi seanca e dhjetë e Këshillit të Komunës së Tetovës pasi që nuk kishte shumicë për miratimin e rendit të ditës. Propozimi i këshilltarëve “Më mire për Tetovën” për informim rreth situatës në rrugën “Strasho Pinxhur” nuk u fut si pikë e parë në rend të ditës, prandaj ata të përkrahur nga këshilltarët e BDI-së, LSDM-së, Alternativës dhe një nga PDSH-ja nuk e votuan rendin e ditës. Në të, mes tjerash ishte dhe verifikimi i mandatit të një këshilltari nga partia Lëvizja Besa, shkruan Portalb.mk.

Në fillim të seancës këshilltarja Elmedina Abdullai, nga “Më mirë për Tetovën” kërkoi që si pikë e parë e seancës të shtohej diskutimi rreth gjendjes e rrugës “Strasho Pinxhur”, pasi e njëjta nuk ishte aspak në rend dite. Por, ky propozim nuk u votua nga shumica, dhe të njëjtit e futën si pikë të tetë të rendit të ditës.

Më pas, këshilltari nga BDI, Blerim Osmani kërkoi që si pikë diskutimi të shtohet informimi në lidhje me marrëveshjen mes komunës dhe një agjencie private për punësime. Në lidhje për këtë kërkesë, kryesuesi i këshillit, Besar Durmishi tha se pasi të përgatitet raporti tre-mujor për punësimet, do të diskutojnë këtë temë në këshill ku do të prezantohet raporti.

Megjithkëtë, seanca dështoi sepse kur u votua për rend të ditës, pozitës i mungoi një votë dhe nuk arriti ta miratojë atë.

Aktualisht, Këshillit të Komunës së Tetovës i mungon një këshilltar sepse Adnan Beadini seancën e kaluar u largua nga ky funksion për t’u bërë shef i sektorit të urbanizmit në Komunë. Ndërkaq, në vend të tij sot këshilli duhej t’i jepte mandatin këshilltarit Fejmi Ismaili. Sipas rregullores, Këshilli duhet të ketë 31 këshilltarë e tani ka 30.

Kryesuesi i këshillit, Besar Durmishi tha se kanë probleme përbrenda këshillit dhe se do të koordinohen në ditët në vijim si do veprohet. Ai pohoi se i kishin dokumentat për rishikim dhe diskutim rreth rrugës “Strasho Pinxhur”.

“Ne e kishim, ne e kishim te përgatitur (raportin). Patjetër që mbledhja do të mbahet. Do duhet të ulemi të koordinohemi, sepse kemi edhe probleme tjetra jashtë “Strasho Pinxhurit” që i kemi si këshill, dhe më pas ti bëjmë publike”, tha Durmishi. Ai tha se shumicën në Këshill, Lëvizja Besa do ta rikthejë kur të merr mandatin këshilltarit i partisë së tij.

Këshilltari i Më mirë për Tetovën, Hamdi Sulemani tha se pret vendim përfundimtar se si do të vazhdohet më tej.

“Duhet t’ia paralajmërojmë kryetarit të Komunës gabimet për procedurën rreth prerjes së drunjve pasi që nuk ka një program të kaluar nga këshilltarët komunal. Ka procedura ligjore. Drunjtë mund të priten kur do respektohen të gjitha rregulloret dhe dispozitat ligjore”, tha Sulemani.

Ndërkaq shtoi se nëse priten drunjtë tjerë të mbetur do e paraqesë Kasamin në prokurori.

Nga ana tjetër, këshilltari i BDI-së, Blerim Osmani tha se këshilli sipas tij, kështu ka filluar të funksionojë, me shkelje të rregulloreve dhe procedurave.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar dokumentacion, të respektohen rregullat, vazhdimisht janë shkelur. Ne e përkrahëm kërkesën e MMPT, të futet në rend dite gjithashtu kishim edhe kërkesë tjetër të na jepet informacion për marrëveshjen me agjencinë private për punësim të personave nga jashtë. Ajo nuk kaloi dhe erdhëm në përfundim deri te kjo se nuk patën kuorum për ta vazhduar rendin e ditës”, tha Osmani.

Seancën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë:

Por, ende mbetet e paqartë se në bazë të cilit elaborat u prenë drunjtë gjatë rikonstruimit të rrugës “Strasho Pinxhur” përgjatë kësaj rruge që shkaktoi edhe reagime të shumta te qytetarët. Portalb.mk e ka kërkuar të njëjtin raport nga Komuna, por nuk na kanë dhënë pasi thanë se i njëjti do prezantohej sot në seancë.

Pasi që sot nuk u prezantua redaksia jonë sërish kërkon nga Komuna këtë raport.

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë se kryetari i komunës, Bilall Kasami njoftoi se drunjtë do të zëvendësohen me fidane të reja. Punimet në këtë rrugë u ndaluan dy herë. Ata filluan në periudhën parazgjedhore, por pas zgjedhjeve lokale 2021 me të ardhur në krye të komunës, Kasami ndërpreu punimet me arsyetimin se projekti i asfaltimit nuk i plotësonte kriteret. Më pas, një ditë pasi filluan punimet u ndërprenë për një javë shkaku i prerjes së drunjve, që më pas të rifillojnë dje (26 prill).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button