DOSJE: Pesë vjet nga dita e përgjakshme e 27 prillit në RMV, detaje si ndodhi kjo ngjarje e dhunshme

Sot, bëhen pesë vjet nga terrori i 27-prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), kur një turmë huliganësh u futën në objektin e shtëpisë legjislative dhe rrahën deputetë e gazetarë, shkruan Portalb.mk.

Si erdhi deri te sulmi i përgjakshëm?

Më 9 janar të vitit 2017, presidenti Gjorge Ivanov, ia dha mandatin për formimin e qeverisë liderit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski që të formojë qeveri, pasi që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016-të kishte fituar 51 mandate, gjegjësisht 2 më shumë se LSDM-ja. Në këtë rast, VMRO-DPMNE-ja do të duhej që të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë me BDI-në e bllokut shqiptar e cila i kishte marrë 9-të mandate.

Gruevski - Ivanov
Gruevski – Ivanov

Pas më shumë se tre javë negociata, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk arritën marrëveshje për formim të Qeverisë. Në këtë rast, sipas Kushtetutës, duhej t’i jepet mundësi LSDM-së që ajo ta marrë mandatin dhe t’i fillojë bisedimet, megjithatë prej këtu nis “loja” e cila përfundoi tragjikisht.

Ahmeti - Zaev
Ahmeti – Zaev

Por, presidenti i atëhershëm Ivanov i vendosi disa kushte liderit të opozitës, Zoran Zaev që ai t’ia nënshkruajë mandatin, megjithatë edhe pas plotësimit të të njëjtave, Ivanov vazhdimisht gjente arsye për të mos e dhënë. Sipas tij, Zaevit nuk mundet t’i jepej mandati pasi që i njëjti e ka pranuar “Platformën e Tiranës” (Deklaratën e përbashkët e partive politike shqiptare) dhe me këtë do të vendoset dygjuhësi në Maqedoni. Presioni i brendshëm dhe i ndërkombëtarëve vazhdimisht rritej, ndërkaq presidenti Ivanov vazhdimisht përsëriste të njëjtat gjëra – nuk e jap mandatin.

Derisa opinioni i gjerë merrej me çështjen e mandatit, në Shkup dhe mbarë Maqedoninë nën organizimin dhe udhëheqjen eksponentëve të VMRO-DPMNE-së mbaheshin protesta me përmbajtje nacionaliste, albanofobe dhe anti-evropiane.

Protesta "Tvrdokorni"
Protesta “Tvrdokorni”

Në këtë periudhë është paraqitur dhe organizata e ashtuquajtur qytetare “Tvrdokorni” e cila më vonë u shndërrua në iniciativë “Për Maqedoni të përbashkët”, pjesëtarët e së cilës nëpër rrugët e Shkupit dhe Maqedonisë kërkonin “Maqedoni të pastër etnike”.

Në ndërkohë, edhe pse mandatin nuk e kishte në duar Zaevi, ai filloi bisedimet me partitë shqiptare, ndërkaq më 4 mars të vitit 2017, BDI e pranoi ofertën e LSDM-së për koalicion qeveritar.

27 prill, dita e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, u përgjak

Pas arritjes së marrëveshjes, partnerët e rinj, bashkë me partitë opozitare shqiptare, pavarësisht se ende presidenti Ivanov, ende nuk ia kishte dhënë mandatin Zoran Zaevit, vendosën që më 27 prill ta zgjedhin kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferin nën një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë Kuvendit.

Derisa kryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë (e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja) dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit. Me turmën kanë udhëhequr persona me maska, por edhe të armatosur.

Foto nga 27 prilli
Foto nga 27 prilli

Disa nga deputetet e VMRO-DPMNE-së i kanë hapur portat dhe i kanë drejtuar protestuesit e dhunshëm që të shkojnë drejtë vendit ku gjendeshin Talat Xhaferi, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe pjesëtarë të tjerë të shumicës parlamentare.

Me këtë rast, policia fare nuk ka reaguar, duke i lejuar që dhunuesit lirshëm të futën në Kuvend dhe të demolojnë gjithçka që shohin përpara.

Protestuesit rrahën deputetë, gazetarë dhe punonjës të Kuvendit. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili është rrahur brutalisht nga dhunuesit.

sobranie-osvoeno
Dhuna në Kuvend, 27 prill

Pos tij, të sulmuar kanë qenë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, por edhe deputetë tjerë.

27 prill Kuvend
27 prill Kuvend

Skandaloze gjithashtu ishte fakti që në atë natë, brenda Kuvendit është fotografuar edhe një agjent i Shërbimit Sekret të Serbisë, Goran Zivlajeviq.

Radmilla Sheqerinska e sulmuar
Radmilla Sheqerinska e sulmuar

Gjatë kohës sa ka zgjatur dhuna në Kuvend, agjentë nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, kanë tentuar që t’i fshijnë të gjitha video-incizimet nga kamerat e Kuvendit, me qëllim që të mos lihen gjurmë. Ndonëse agjentët kanë arritur që t’i fshijnë, megjithatë të njëjtat janë regjistruar edhe një një server tjetër, për këtë arsye ky plan ka dështuar.

Kuvend 27 prill

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ka bërë thirrje për qetësi dhe i ftoi të gjithë liderët në kabinetin tij që t’i shohin të gjitha opsionet për gjetjen e zgjidhjes, pas ngjarjeve në Kuvend.

Gruevski – Xhaferi – Ivanov – Zaev – Ahmeti

Sulmin e dënuan, të gjitha partitë në vend, madje edhe vet VMRO-DPMNE-ja, e cila ishte nxitëse e protestave. Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së, për rrahjen e deputetëve të shumicës parlamentare dhe gazetarëve e bëri fajtor Zoran Zaevin e LSDM-së. Sulmin e përgjakshëm e dënuan të gjitha partitë shqiptare.

Për sulmet në Kuvend, reagime kanë arritur nga katër anët e botës dhe për të kanë shkruar mediat më prestigjioze.

Pas kësaj ngjarje, Ivanov, më 17 maj, përfundimisht ia dha mandatin kryeministrit Zaev, i cili më pas formoi Qeverinë me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët.

Zaev dhe Ivanov
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe kryeministri, Zoran Zaev

Akuza, dënime me burg për dhunën dhe amnisti

Prokuroria filloi me mbledhjen e materialeve, ndërkaq më 27 mars 2018-të ngriti akuzë kundër 30 personave.

“28 persona akuzohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, ndërkaq dy ngarkohen për ndihmë për të njëjtën vepër penale. Për sulmin në Kuvend”, tha në konferencë për shtyp kryeprokurori Lubomir Joveski.

Të akuzuarit:

  • Kërsto Mukoski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Sasho Vasilevski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Goran Gjoshevski – Levi, shef i sigurimit të deputetit të VMRO-DPMNE-së dhe ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski
  • Oliver Popovski, ish shef në Ministrinë e Punëve të Brendshme
  • Oliver Radullov, ish agjent i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim
  • Elena Docevska Bozhinovska, ish e punësuar në Kuvend
  • Ivan Cvetanovski, ish i punësuar në kabinetin e deputetit të VMRO-DPMNE-së dhe ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski
  • Boris Damovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Bogdan Ilievski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Vllado Jovanovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Igor Durullovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Stefan Mlladenoski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mihaill Mlladenosi, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Zaharie Simovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mlladen Dodevski, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Jane Çento, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Sasho Markovski, ish agjent në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim
  • Munir Pepiq, zyrtar policor
  • Abdulfeta Alimi, sigurim i Kuvendit
  • Luben Arnaudov, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Lupço Dimovski, në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Johan Tarçullovski, në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Mitko Çavkov, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ish ministër i Punëve të Brendshme dhe ish shef i Shtabit Operativ të MPB-së
  • Mitko Peshov, udhëhqës i njësitit special të Policisë
  • Dushko Llazarov, epror policor për operacione speciale
  • Aleksandar Vasilevski – Ninxha, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Nikolla Mitrevski – Kolo, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Dejan Davidovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Mitre Pitropovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Dhe dy ndihmës tjerë.

Sipas akuzës, të akuzuarit e kanë rrezikuar jetën e deputetëve, gazetarëve dhe të punësuarve të cilët në ato momente kanë qenë brenda Kuvendit.

“Organizatorët e protestave “Për Maqedoni të përbashkët” i kanë ftuar qytetarët e mbledhur përpara Kuvendit të Maqedonisë dhe me fjalime ndezëse e kanë nxitur mosdurimin tek ata. Gjithashtu, njëri nga deputetët e organizuar ka realizuar edhe bisedë telefonike me tani personin e akuzuar i cili ka pritur përpara derës me çka, sipas akuzës, është konstatuar koordinimi me telefon. Gjithashtu, pesë deputetët e akuzuar bashkë me të akuzuarit e tjerë nga sigurimi i Kuvendit i kanë hapur dyert e Kuvendit dhe me atë kanë mundësuar që të hyjnë protestuesit dhe personat me maska të cilët kanë qenë përpara Kuvendit. Po kësaj, personat e akuzuar nga sigurimi i kanë drejtuar turmën deri në sallën plenare dhe në atë të konferencave për shtyp”, thanë nga Prokuroria.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe vepruan me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e një qeverie nga shumica parlamentare e siguruar tashmë.

Foto nga aktgjykimi i rastit 27-prilli, foto: Borçe PopovskiFoto nga aktgjykimi i rastit 27-prilli, foto: Borçe Popovski

Derisa gjykimi vazhdonte më 18 dhjetor 2018-të në Kuvend u votua Ligji i Amnistisë, sipas të cilit disa prej të akuzuarve, në mesin e të cilëve dhe deputetë nga opozitarja VMRO-DPMNE u amnistuan nga akuza.

Sipas këtij ligji nuk mund të amnistohen:

  • Organizatorët dhe ata që e kanë përgatitur sulmin në Kuvend për të cilët ka dyshime të bazuara;
  • Personat që kanë ushtruar dhunë fizike;
  • Peronat me maska;
  • Personat që kanë mbajtur armë dhe materie eksplozive;
  • Persona zyrtar që nuk kanë realizuar obligimet e tyre të punës.

Me këtë ligj u amnistuan: Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllad Jovanovski, Stefan Mlladenovski, Mihail Mlladenovski, Zharie Simovski, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski, Ilija Sllaveski dhe Mitre Pitropovski. Në lidhje me amnistinë lexo më shumë: KËTU

Disa prej deputetëve që u amnistuan të VMRO-DPMNE-së, në kundërshtim me qëndrimin e partisë së tyre më 19 tetor 2018, i votuan ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut. Për këtë, menjëherë, kryesia i përjashtoi nga partia.

Të akuzuarit që nuk u amnistuan, në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare kanë theksuar se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për atë që e kanë bërë, por se nuk janë fajtor për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, ashtu siç i ngarkon Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Pjesa më e madhe tyre nuk kanë dhënë mbrojtje, por pas më shumë se një orë kanë dhënë fjalë përfundimtare. Ata thanë se paraprakisht deputetët e akuzuar, të cilët u amnistuan, u kanë sugjeruar që mos të japin mbrojtje pasi që do të amnistohen.

Më 15 mars të vitit 2019-të, Gjykata i dënoi disa prej të akuzuarve me gjithsej 211 vjet burg.

Të dënuarit:

  • Mitko Çavkov: 18 vjet burg
  • Mitko Peshov: 15 vjet burg
  • Dushko  Llazarov: 15 vjet burg
  • Goran Gjoshevski – Levi: 15 vjet burg
  • Jane Çento: 15 vjet burg
  • Vllatko Trajkovski: 15 vjet burg
  • Munir Pepiq: 15 vjet burg
  • Nikolla Mitrevski – Kolo: 15 vjet burg
  • Vilijam Mihajllovski: 14 vjet burg
  • Oliver Popovski: 13 vjet burg
  • Gorançe Angellovski: 12 vjet burg
  • Igor Jug: 12 vjet burg
  • Mlladen Dodevski: 12 vjet burg
  • Oliver Radullov: 10 vjet burg
  • Aleksandar Vasilevski – Ninxha: 8 vjet burg
  • Abdulfetah Alimi: 7 vjet burg

Të akuzuarit u obliguan që t’i paguajnë harxhimet gjyqësore në vlerë prej 18 mijë euro.

Igor Durllovski është liruar nga akuza dhe harxhimet gjyqësore janë në llogari të shtetit.

Organizatorët, të dënuar dhe të arratisur

Më 20 shkurt të vitit 2019, Prokuroria Themelore Publike (PTHP) për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka njoftuar se është duke përndjekur pesë persona të cilët dyshohen se janë organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në mesin e të akuzuarve janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski dhe ish drejtori i Policisë Sekrete, Vlladimir Atanasov dhe ish agjenti Nikolla Boshkovski. Pas një gjykimi prej një vit e gjysmë, më 26 korrik, Gjykata Penale e Shkupit i ka shpallur fajtorë të akuzuarit.

  • Trajko Veljanovski (ish kryetar i Kuvendit) – 6 vjet e 6 muaj
  • Mile Janakieski (ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve) – 6 vjet e 3 muaj
  • Spiro Ristoski (ish ministri i Arsimit dhe Shkencës) – 6 vjet e 3 muaj
  • Vlladimir Atanasov (ish drejtor i Policisë Sekrete) – 6 vjet burg

Për Gruevskin dhe Boshkovskin u ndalua procedura pasi që ata janë në arrati, gjegjësisht njëri në Hungari e tjetri në Greqi.

Gjykatësi Ilija Trpkov, gjatë shqiptimit të aktgjykimit tha se shteti nuk mbrohet me rrahje të deputetëve, gjegjësisht sipas tij shteti nuk ndërtohet dhe mbrohet me dhunë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button