Dita 63: Do të përgjigjemi shpejt ndaj atyre që përzihen në Ukrainë, paralajmëroi Putin

Gjiganti rus i energjisë Gazprom të mërkurën tha se kishte ndërprerë furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë për mospagimin e gazit në rubla, përgjigja më e ashpër e Kremlinit ndaj sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për konfliktin në Ukrainë. Njoftimi vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin kërkoi që vendet që konsiderohen “jomiqësore” ndaj Rusisë duhet të fillojnë të paguajnë për furnizimet me gaz nga vendi në rubla – diçka që Polonia dhe Bullgaria kanë refuzuar ta bëjnë. Kërkesa shihet si një përpjekje për të rritur rublën, e cila është goditur nga sanksionet perëndimore. Vende të tjera evropiane gjithashtu kanë refuzuar të paguajnë në rubla – por tani Polonia dhe Bullgaria janë dy të vetmet që Rusia ka njoftuar se po ndërpret furnizimet, transmeton Portalb.mk.

11:03 – Forcat ruse kanë shpërndarë protestën e ukrainasve në Herson 

Forcat ruse kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë një tubim pro Ukrainës në qytetin e pushtuar të Hersonit më 27 prill, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, një ditë pasi Rusia pretendoi se ushtria e saj kishte marrë kontrollin e rajonit të Hersonit.

Autoritetet lokale thonë se Rusia ka emëruar kryetarin e saj të qytetit të Hersonit më 26 prill pasi trupat morën kontrollin e selisë së administratës në këtë rajon që gjendet në jug të Ukrainës. Hersoni ishte një prej qyteteve të para që u sulmua pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njofton REL.

Disa herë janë mbajtur tubime kundër pushtimit rus në Herson dhe qytetarët u mblodhën sërish më 27 prill në qendër të qytetit.

“Gjatë një tubimi paqësor pro Ukrainës në Sheshin e Lirisë në qytetin e Hersonit, ushtarët rusë përdorën gaz lotsjellës dhe shok-bomba kundër popullatës civile”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Të paktën katër persona janë plagosur dhe kjo zyre tha se po hetonte këtë ngjarje. Ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga pala ruse për këtë ngjarje.

Më 26 prill, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë kishte thënë se ka marrë kontrollin e gjithë rajonit të Hersonit, që ka një rëndësi strategjike pasi gjendet në një zonë që do t’i jepte Rusisë një lidhje tokësore me zonat ku janë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe me rajonin e aneksuar të Krimesë.

Autoritetet lokale kanë thënë se mijëra persona janë larguar nga Hersoni për në territoret e kontrolluara nga Ukraina, por edhe në vende të tjera. Ky rajon po përballet me ndërprerje të rrymës dhe ujit dhe banorët po përballen me furnizime të pakta të ushqimeve dhe ilaçeve si dhe në këtë rajon po ka ndërprerje të shërbimeve telefonike.

16:42 – Do të përgjigjemi shpejt ndaj atyre që përzihen në Ukrainë, paralajmëroi Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se secili shtet që përzihet në Ukrainë, do të përballet me përgjigje të shpejtë nga shteti i tij, raportoi BBC-ja të mërkurën.

“Nëse dikush nga jashtë provon të intervenojë në Ukrainë, përgjigja jonë do të jetë e shpejtë si drita”, ka thënë Putin gjatë një fjalimi para ligjvënësve rusë të mërkurën.

“Ne kemi të gjitha mjetet për t’u përgjigjur me të cilat askush nuk mund të mburret. Dhe ne nuk do të mburremi me to, do t’i përdorim nëse është e nevojshme”, ka deklaruar Putin.

Udhëheqësi rus shtoi se të gjitha vendimet se çfarë do të përfshijë kjo përgjigje janë marrë tashmë, por nuk dha ndonjë detaj të mëtejshëm.

Rusia që nga 24 shkurti ka nisur pushtimin e Ukrainës. Perëndimi ka dënuar këtë agresion, ka sanksionuar Rusinë dhe ka ndihmuar Ukrainën në forma të ndryshme.

08:45 – Gazprom paralajmëroi pezullimin e dërgesave të gazit ndaj Bullgarise e Polonisë

Polonia dhe Bullgaria thonë se gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom i ka informuar ato se do të ndalojë furnizimin me gaz natyror duke filluar nga 27 prilli.

Kompania shtetërore e energjisë polake PGNiG tha në një deklaratë se Gazpromi e informoi lidhur me këtë Poloninë, më 26 prill.

Edhe Ministria e Energjisë e Bullgarisë tha se furnizuesi shtetëror bullgar Bulgargaz kishte marrë një njoftim të ngjashëm. Ministria tha se për momentin nuk do të ketë kufizime në konsumin e gazit në Bullgari, e cila nga importet e Gazpromit plotëson mbi 90 për qind të nevojave të saj për gaz.

Ministria bullgare shtoi se së bashku me kompanitë shtetërore të gazit ka ndërmarrë hapa për të gjetur marrëveshje alternative për furnizimin me gaz natyror.

Këto pezullimet janë të parat që kur presidenti rus Vladimir Putin tha muajin e kaluar se blerësit e huaj “jomiqësorë” do të duhet të paguajnë Gazpromin në rubla, në vend të dollarëve dhe eurove. Putin e tha këtë pasi vendet perëndimore vendosën sanksione kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Polonia ka refuzuar të paguajë në rubla, duke rënë dakord me vendet e tjera të BE-së që sipas kushteve të marrëveshjes së blerjes ata mund të vazhdojnë të paguajnë në euro ose dollarë.

Sipas Ministrisë Bullgare të Energjisë, Bullgaria ka përmbushur detyrimet e saj dhe ka bërë të gjitha pagesat sipas kontratës së saj për dërgesat nga Gazprom.

Andriy Yermak, një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, e përshkroi veprimin si “fillimi i shantazhit të Evropës me gaz”.

Ai tha se Rusia po përpiqet të shkatërrojë unitetin e aleatëve të Ukrainës dhe të dëshmoi se burimet e energjisë janë një armë.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të jetë e bashkuar dhe të vendosë një embargo ndaj burimeve energjetike, duke i privuar rusët nga armët e tyre energjetike”, tha Yermak, sipas Reuters.

Zyrtarët polakë thanë se vendi është gati të përballet me çdo ndërprerje të furnizimit me gaz përmes tubacionit Yamal.

Ministrja polake e klimës Anna Moskwa tha në Twitter se nuk do të ketë mungesë të gazit në shtëpitë polake si rezultat i lëvizjes së Gazpromit.

“Që nga dita e parë e luftës ne kemi deklaruar se jemi gati për pavarësi të plotë nga lëndët e para ruse”, tha ajo.

“Polonia ka rezervat e nevojshme të gazit dhe burimet e furnizimit për të mbrojtur sigurinë tonë”, shtoi ajo.

Objektet e depozitimit të gazit janë të mbushura 76 për qind, tha kryeministri Mateusz Morawiecki, duke shtuar se Polonia është gati të marrë gaz nga burime të tjera.

Gazprom nuk e konfirmoi ndërprerjen, por një drejtues i lartë i kompanisë u citua nga agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë se “Polonia duhet të paguajë për furnizimet me gaz sipas procedurës së re të pagesës”.

PGNiG tha se do të ndërmerrte hapa për të rivendosur rrjedhën e gazit sipas kontratës së tubacionit Yamal dhe se çdo ndërprerje e furnizimeve është një shkelje e kësaj kontrate. Ai shtoi se ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për shkeljen e kontratës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button