Osmani: Vendimet në nivel të BE-së javëve të ardhshme do të jenë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e Ballkanit 

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mori pjesë në Forumin për raportet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit (EU meets Balkans), të organizuar nga ALDE -Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, Këshilli Atlantik i Bullgarisë dhe Forumi Liberal Evropian që është bashkëfinancuar nga Parlamenti Evropian, në të cilin marrin pjesë politikanë, zyrtarë të lartë të BE-së  si dhe  ekspertë nga rajoni, transmeton Portalb.mk.

Ministri Osmani u drejtua në panelin e titulluar “Përfitime nga integrimi”, në të cilin, në moderimin e ish Përfaqësueses së Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Frederica Mogherini, paraqitje patën edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, Zëvendësministrat e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Turqisë dhe Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei.

Në paraqitjen e tij, Ministri Osmani iu referua momentumit aktual gjeopolitik në Evropë dhe efektit të tij me pasoja më të gjëra për Ballkanin në aspekt të sigurisë, stabilitetit dhe gjendjes ekonomike, si edhe në dritën e proceseve eurointegruese të shteteve të rajonit.

“Në javët e ardhshme, vendimet e sjella në nivel të BE-së do të jenë të një rëndësie thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tij në BE. Çdo shtyrje e mëtejme në këtë rrugë mund të ketë pasoja serioze rajonale”, potencoi ministri Osmani.

Osmani theksoi se integrimi evropian do të thotë ballafaqim më të mirë me sfidat  përbashkëta dhe më e rëndësishmja, vulosje e përkatësisë në familjen e botës së lirë, demokratike dhe progresive.

“Përfitimet nga integrimi në BE janë të shumëfishta dhe i jetojmë gati 20 vjet, por ato duhet të vazhdojnë ,të kultivohen dhe të sillen në nivel më të lartë – fillimin e negociatave të anëtarësimit, që rrjedhimisht do të ketë  efekt më të madh transformues dhe mobilizues”, tha Osmani.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button