Tetovë, Kasami tha se Komuna ka gabuar me shpalljen, nuk ka ndërtim të parkingjeve të reja, premtimi i tij mbetet i parealizuar

Para se të vinte në krye të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi se jo më shumë se për gjashtë muaj do të ndërtohen diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku. Por kjo deri tani nuk ka ndodhur. Kasami me 4 maj i bën gjashtë muaj nga marrja e detyrës, ndërsa Komuna e Tetovës vetëm së fundmi, konkretisht më 15 prill ka hapur shpallje publike për ndërtim të parkingjeve të mbyllura. Për këtë, Kasami tha se nuk bëhet fjalë për ndërtim të parkingjeve të reja por për rikonstruim të parkingjeve ekzistuese, dhe se emërtimi i gabuar në këtë shpallje është lëshim teknik i komunës, shkruan Portalb.mk.

Premtimi i Kasamit se për gjashtë muaj do të krijohen shtatë parkingje me konstruksion çeliku, është i parealizuar.

“Në Tetovë ne kemi paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj me çka do të dyfishohen dhe në disa raste do të trefishohet kapaciteti i parkingjeve aktuale.  Sigurisht kemi paraparë edhe ndërtimin e tre garazheve në kate me partneritet privat-publik. Buxhetit të Komunës së Tetovës zgjidhja njëherë e përgjithmonë e çështjes së parkimit të veturave nuk do t’i kushtojë më shumë se 1 milion euro, në ndërtimin e shtatë parkingjeve të cilat garantoj qytetarët e Tetovës se do të ndërtohen jo më gjatë se gjashtë muaj”, tha Bilall Kasami me 14 tetor 2021 në Debatpërnime.

I pyetur nga Portalb.mk se përse nuk janë ndërtuar, Bilall Kasami u arsyetua se për t’u realizuar diçka e tillë duhen hapësira të cilat komuna aktualisht nuk i ka.

“Për të ndërtuar parkingje me konstruksion çeliku na duhen hapësira. Ne si shumë gjëra tjera nuk e kemi imagjinuar këtë situatë në të cilën gjendemi, që Komuna e Tetovës ka parkingje por nuk ka hapësira në pronësi të Komunës me plan urbanistik për parking që ne të vazhdojmë procedurën e ndërtimit të parkingjeve me konstruksion çeliku. Edhe ato lokacione të cilat kanë qenë”, tha Kasami.

Ai shtoi se ka probleme ligjore dhe administrative dhe se nuk është mungesë interesi për të punuar.

“Komuna paraprakisht ka bërë një procedurë për parkingun pas Arbit (aktualisht restoranti Grand) por ai parking nuk është në pronësi të komunës. Ai parking është i bllokut banesor, ka pasur refuzim. Komuna i ka bërë të gjitha procedurat kur ka ardhur në realizim nuk ka mund ta realizojë sepse nuk është prona jote që të mund të realizosh parking. Janë probleme administrative, ligjore por nuk është mosinteresim nga ana jonë. Nëse gjejmë ndonjë alternativë, lokacion ku mund të ndërtojmë ne nga nesër do nisim procedurat për ndërtim”, tha Kasami.

Në shpalljen e hapur më 15 prill shkruhet se është për ndërtim të parkingjeve të mbyllura, ofertat për të cilën pranohen deri me 12 maj.

Foto nga shpallja

Por, në fakt bëhet fjalë për gabim të Komunës. Kasami i pyetur nga Portalb.mk se ku do të ndërtohen këto parkingje, theksoi se kjo është lëshim teknik i administratës dhe se nuk bëhet fjalë për ndërtim të parkingjeve por për rikonstruim të hapësirave të cilat në bazë zë kushteve që i lejon plani urbanistik duhet të jenë parkingje.

“Ju i patë në disa zona ku i kanë uzurpuar individët e caktuar, bëhet prerja e atyre hekrave dhe lirimi. Domethënë nuk bëhet fjalë për ndërtim klasik të ndonjë ndërtese por bëhet fjalë për hapje të parkingjeve edhe zonale edhe të mbyllura”, tha Kasami.

Ndërkaq për atë se a do të kemi ndërtim të parkingjeve të reja së shpejti, përgjigja e Kasamit është kjo:

“Për momentin duhet studim fizibiliteti të cilin ne jemi në gjetje të kompanisë dhe procedurave që pastaj këshilli komunal të vendos në ndërtimin, a do të shkojë me partneritet publik-privat apo do gjejë komuna mjete që t’i ndërtojë”.

Cili është plani i Komunës për këtë vit për parkingjet?

Sipas planit të shpalosur më 11 janar, Komuna e Tetovës planifikon deri në fund të vitit të shtojë numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate.

Numri i planifikuar i parkingjeve zonale është 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890.

Gjithsej deri në fund të vitit Kasami deklaroi se priten të krijohen 3,730 vende të reja parkimi.

Sipas planit të Komunës e tërë kjo do të realizohet në pesë faza, edhe atë e para janar-mars, e dyta prill-qershor, e treta korrik-shtator, e katërta tetor-dhjetor dhe e pesta janar-dhjetor. Planin e plotë e gjeni KËTU.

Megjithatë, që nga faza e parë ka vonesa dhe ndonëse u premtuan 425 vende parkimi shtesë për periudhën nga janari deri në mars të këtij viti, Komuna e Tetovës nuk arriti t’i realizojë as gjysmat.  Sipas planit parashiheshin 195 parkingje shtesë zonale dhe 230 të mbyllura por u shtuan vetëm 72 vende parkimi zonale dhe kjo zonë vetëm se ishte parking, por pa pagesë.

Sa i përket parkingjeve në kate, Kasami me 11 janar të këtij viti tha se “janë në shqyrtim të mundësisë së ndërtimit të tyre me partneritet privat-publik”.

Kasami para se të vijë në krye të Komunës premtoi parkim pa pagesë deri sa të gjejë vende parkimi për çdo veturë në Tetovë, por kjo zgjati shumë pak, vetëm dy javë.

Parkimi zonal në Tetovë, foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk
Parkimi zonal në Tetovë, foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk

Çfarë thuhet në programin zgjedhor të Kasamit për parkingjet e reja?

programin zgjedhor me të cilin Kasami garoi në zgjedhjet lokale ku edhe mori besimin e qytetarëve, te pjesa e urbanizmit, premtohet ndërtimi i parkingjeve në zonën qendrore, së paku dy parkingje në kate dhe në zona tjera me sistem monitorimi.

Parkingu në kate vitin e kaluar dështoi

Në fund të mandatit të ish-kryetares Teuta Arifi, u ndërmor një inciativë për parking në kate. Por, dështoi pasi kishte mospëlqim të banorëve, në lagjen ku pritej të ndërtohet ky parking në kate, gjegjësisht pas restorantit Tivoli. Arsyeja e mos fillimit të punëve për ndërtimin e këtij parkingu ishin dy peticionet e banorëve të kësaj lagjeje.

Sipas banorëve, edhe pse ky parking pritej të ndërtohet në oborrin e tyre, askush nga autoritetet komunale nuk i kishte informuar ata paraprakisht ndërsa procedura ka rrjedhur në mënyrë jo-transparente. Sipas tyre, kishte shkelje të disa neneve të ligjit për ndërtim si dhe të ligjit për ambient jetësor.

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë që kompania e cila e fitoi tenderin për ndërtimin e këtij parkingu në kate ishte Eurovia, dhe parashihej që të ketë 180 hapësira parkimi.

Gjithashtu, polemika të shumta ka pasur nga qytetarët në lidhje me vlerën e këtij projekti, ky parking njëkatësh taksapaguesve tetovarë ju ka kushtuar gjithsej 820.000 euro, që i bie për një vend-parkim, është paguar 4.555 euro.

Vendi ku pritej të ndërtohet parkingu në kate
Vendi ku pritej të ndërtohet parkingu në kate

Ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro sipas të dhënave të fundit ndara me publikun nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, në të kaluarën vazhdimisht ka punuar në humbje. Në krye të kësaj ndërmarrje aktualisht është Igor Dodevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button