Drejtoria e librave amë prej sot në grevë, s’ka certifikata, kurorëzime apo regjistrim të të porsalindurve

Sindikata e Drejtorisë për Menaxhim me Librat Amë (DMLA) prej sot hyn në grevë, e cila do të jetë gjatë tërë orarit të punës, deri në plotësimin e kërkesave të rreth 500 të punësuarve. Qytetarët nuk do të mund të nxjerrin asnjë dokument nga  asnjë zyrë rajonale e DMLA-së, as me prani fizike as online. Këtu bien, certifikatat e lindjes, kurorëzimit, vdekjes, por edhe procedurat për regjistrim të porsalindurve, kurorëzimit apo regjistrim të personave të vdekur. Të vetmit që do të mund të kurorëzohen do të jenë ata qytetarë që tashmë kanë caktuar terminë, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Sindikatës, Toni Mollosheski për “Slloboden Peçat’ ka deklaruar se kërkesat e të punësuarve janë që t’u pranohen thirrjet atyre që punojnë në institucion 15 ose 20 vjet, ndërkaq marrin pagë pavarësisht që kanë thirrje më të lartë. Sipas Millosheskit, të gjithë të punësuarit në DMLA punojnë të njëjtën punë, edhe pse sipas ligjit nuk do të guxonte të ndodhte ashtu. Për shembull, edhe referenti më i ri edhe referenti i pavarur kanë të njëjtën përgjegjësi. Millosheski shtoi se përpara dy javëve, përfaqësuesit e sindikatave janë takuar me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe Financave dhe ua kanë përmendur kërkesat me ultimatum, se për dy javë vijon greva.

“Asnjë kërkesë nuk na është pranuar. Kërkojmë rritje lineare të rrogës. Ne si të punësuar i nënshtrohemi përgjegjësisë penale, kemi qasje deri te të gjitha të dhënat e qytetarëve. Për çdo dokument që nënshkruajmë ne personalisht jemi përgjegjës, vetë e mbajmë përgjegjësinë e punës. Çdo dokument që japim është i nënshkruar nga i punësuari dhe mund të shkojë në shtet tjetër. Nuk jemi si institucionet tjera ku i punësuari e përpunon dokumentin, a shefi nënshkruan. Kërkojmë që të nënshkruhet marrëveshje kolektive në nivel të punëdhënësit, pasi që tani punojmë nën marrëveshjen kolektive të tërë administratës. Kërkojmë që të ndryshohen thirrjet e të punësuarve, pasi që udhëhiqen si referentë më të rinj, a me atë marrin paga më të ulëta nga ajo që ligjërisht u takon. Kërkojmë rritje të pagës prej 30% nga marrëveshja kolektive”, deklaroi Millosheski.

I pyetur se cilat shërbime do të pamundësohen me grevën, ai tha se nuk do të mund të porositen dokumente as nëpërmjet portalit elektronik e as me prani fizike. Të punësuarit do të jenë të pranishëm në zyrat dhe njësitë rajonale, megjithatë nuk do të pranojnë palë.

“Mund të aplikohet në portalin elektronik të DMLA-së, por nuk do të miratohen kërkesat e as do të mund të merren certifikatat dhe dokumentet tjera që kërkohen. Greva do të fillojë nesër dhe do të zgjasë 24.7, deri në plotësimin e kërkesave tona, do të zgjasë tërë kohën e orarit të punës, në tërë shtetin, pasi kemi mbështetje nga të gjitha zyrat rajonale. Kërkesat tona nuk janë prej tani, por jemi të injoruar tre vite. Askush nuk na del në ndihmë”, deklaroi dje Millosheski.

Greva e DMLA-së do të nënkuptojë probleme të mëdha për qytetarët. Nuk do të mund të kryhet regjistrimi në shkolla pa certifikatë të lindjes. Nuk mund të nxjerrin dokumente personale, si pasaporta ose letërnjoftime, ata të cilët për herë të parë i nxjerrin. Nuk mund të regjistrohen të porsalindurit, nuk mund të regjistrohen personat e vdekur, nuk mund të kryhen kurorëzime përveç terminëve të caktuara. Por, Millosheski thotë se do të pranohen lëndë urgjente.

“për shembull, nëse i porsalinduri do të duhet të operohet jashtë vendit do t’ia nxjerrim dokumentin, por vetëm nëse ofron dëshmi nga mjeku për domosdoshmëri të tillë. Dhe nëse ndonjë person vdes jashtë vendit, a duhet të varroset në Maqedoni edhe për ato lëndë do të nxjerrim certifikata”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button