Eurokomesari Varhej në Shkup, zyrtarët e RMV-së kërkojnë zhbllokimin e procesit eurointegrues

Komisioneri i BE-së Oliver Varhej sot në Shkup, ka mbajtur takime me kreun shtetëror të Maqedonisë së Veriut, në ta cilat është diskutuar për çështje të rëndësishme rajonale, situatën e sigurisë, si dhe perspektivën evropiane të vendit tonë, transmeton Portalb.mk.

Varhej, fillimisht u takua me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili ishte shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe pjesëtarë tjerë qeveritarë.

Në takim u bisedua për çështjet aktuale lidhur me sfidat e luftës në Ukrainë dhe perspektivat evropiane të rajonit.

“Bashkërisht u konstatua se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit është nevojë e vendeve në kuadër rajonal, por edhe e vetë Bashkimit Evropian. Gjithashtu ekziston pajtueshmëri se tani është momenti për zhbllokimin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që në të kundërtën mund të mbetet një çështje e hapur për një kohë të gjatë, ndërsa kjo nuk është në favor të asnjërës palë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Oliver Varhejl me Dimitar Kovaçevskin dhe Bojan Mariçiqin, foto: Facebook Bojan Mariçiq
Oliver Varhejl me Dimitar Kovaçevskin dhe Bojan Mariçiqin, foto: Facebook Bojan Mariçiq

Gjithashtu, kryeministri Kovaçevski theksoi se mbetet i përkushtuar ekskluzivisht në parimet e respektimit të vlerave evropiane dhe bisedimeve të bazuara në respekt dhe dinjitet, për të cilat janë pajtuar me kryeministrin Petkov gjatë vendosjes së dialogut dhe pret marrëdhënie mbi këtë bazë.

“Vendi ynë përmbushi detyrimet e tij dhe vazhdon të veprojë plotësisht në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, me të cilën edhe një herë tregoi se është një partner i denjë i vendeve evropiane dhe e meriton mbajtjen përfundimtare të konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në”, tha Kovaçevski.

Më pas, Varhej ka realizuar takim të ndarë me zëvendëskryeministrin, Bojan Mariçiq, në të cilin është diskutuar për perspektivën evropiane të RMV-së.

“Kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuar në mbajtjen e rezultateve pozitive në zbatimin e reformave, siç është konfirmuar në raportin e fundit të KE-së për vendin dhe askush nuk mundet ta mohojë atë. Tanimë është koha që të krijohet rrjedhë e re e agjendës tonë evropiane dhe t’i fillojmë bisedimet me Bashkimin Evropian”, deklaroi Mariçiq.

Varhej - Mariçiq
Varhej – Mariçiq

“Kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuar në mbajtjen e rezultateve pozitive në zbatimin e reformave, siç është konfirmuar në raportin e fundit të KE-së për vendin dhe askush nuk mundet ta mohojë atë. Tanimë është koha që të krijohet rrjedhë e re e agjendës tonë evropiane dhe t’i fillojmë bisedimet me Bashkimin Evropian”, deklaroi Mariçiq.

Në mbledhjen e përbashkët është konstatuar se integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit janë zgjidhja e e përhershme për sigurimin e paqes dhe sigurisë së përhershme edhe në Ballkan dhe Evropë dhe se duhet që të bëhet një hap përpara në eurointegrimet, në interes të të gjithëve. Eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhej e ka konfirmuar mbështetjen e procesit eurointegrues dhe theksoi se pritjet e tij janë që me Bullgarinë ta gjejmë zgjidhjen më të mirë, në interes të të dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Mariçiq, në mbledhje tha se është i përkushtuar në procesin eurointegrues, duke e informuar Varhejn për punën dhe prioritetet e Sekretariatit për Çështje Evropiane, por edhe për nevojën e mbylljes së çështjes me Bullgarinë dhe zhbllokimin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut.

“Anulimi i vazhdueshëm i marrjes së datës për fillim të bisedimeve, pasqyrohet në politikën e brendshme, e rrit euroskepticizmin, por edhe shqetësimin për stabilitetin gjeopolitik”, theksoi Mariçiq, duke shtuar se ne jemi partnerë të dëshmuar të BE-së dhe se besoj se me Bullgarinë do të gjendet zgjidhje evropiane, e cila do të jetë rezultat konkret dhe hap drejt anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Varhej u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në fokus të bisedimeve ishte dosja evropiane e vendit tonë, në prag të Këshillave të qershorit dhe pritshmëritë për hap të domosdoshëm në drejtim të fillimit të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht në këtë kohë.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se rrethanat e reja gjeopolitike kërkojnë konfirmim të politikës së zgjerimit si investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet, siguri dhe mirëqenie ekonomike të të gjithë kontinentit evropian.

Varhej - Osmani
Varhej – Osmani

“Maqedonia e Veriut deri më tani ka dëshmuar përkushtim jashtëzakonisht të lartë për progresin e vendit të rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, arritëm 100% nivel të harmonizimit të shtetit me Politikën e Përbashkët dhe të Sigurisë së Unionit. Është koha që edhe Bashkimi Evropian t’ia zgjat dorën vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të demonstrojë qartë se e ardhmja e rajonit është evropiane. Rajoni është gjithnjë e më shumë i lodhur nga pritja, gjë që dëmton kredibilitetin e Bashkimit Evropian” theksoi Osmani.

Në takim u bë fjalë edhe për përpjekjet për tejkalimin e dallimeve ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si prioritet për të zhbllokuar rrugën tonë drejt BE-së

Ndryshe, Varhej, sot qëndron në Shkup, ku me funksionarët e lartë shtetërorë do të diskutojë tema për çështje të rëndësishme rajonale, situatën e sigurisë, si dhe perspektivën evropiane të vendit tonë. Varhej në Shkup ka arritur nga Sofja, ku dje mori pjesë në një konferencë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin në BE, me temë “BE takohet me Ballkanin. Mësimi nga Ukraina: Zgjerimi evropian – mbrojtje nga lufta”.

Nesër, në vendin tonë do të mbërrijë ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet Evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor. Siç njoftoi Departamenti i Shtetit, Donfried do të takohet me zyrtarë të Maqedonisë së Veriut në Shkup, ku do të shprehë mbështetje të fortë për negociatat e anëtarësimit të vendit në BE dhe do të falënderojë për ndihmën për Ukrainën. Ajo do t’i bëjë thirrje Maqedonisë së Veriut, si anëtari më i ri i NATO-s, të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë për një sërë çështjesh rajonale, të sigurisë dhe të mbrojtjes për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin rajonal. Pjesë e turneut të Donfrid në Ballkanin Perëndimor janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova prej nga më 25 prill do ta fillojë vizitën në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button