Lavrov: Rreziqet e luftës bërthamore janë të ‘konsiderueshme’

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka thënë botës që të mos nënvlerësojë rreziqet e konsiderueshme të një konflikti bërthamor, transmeton REL.

Ai po ashtu ka thënë se furnizimi i Ukrainës me armë nga NATO-ja “në thelb” nënkupton se aleanca e Perëndimit është e përfshirë në luftë me Rusinë, në mënyrë të tërthortë.

I intervistuar nga televizioni shtetëror rus, Lavrov është pyetur për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale është e krahasueshme me Krizën Kubane të Raketave më 1962.

“Rreziqet tani janë të konsiderueshme”, ka thënë Lavrov sipas transkriptit të intervistës, që është publikuar në faqen e Ministrisë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Nuk do të dëshiroja të vlerësoja këto rreziqe në mënyrë artificiale. Shumë do ta dëshironin këtë gjë. Rreziku është serioz, real. Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se i ka parë deklaratat frikësuese të Rusisë si shenjë dobësie.

Rusia ka humbur “shpresën e fundit për të frikësuar botën nga mbështetja e Ukrainës”, ka thënë Kuleba në Twitter pas intervistës së Lavrovit.

“Kjo vetëm nënkupton se Moska e vëren humbjen”.

Gjatë vizitës në Kiev të dielën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kanë premtuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë të hënën se ka shfrytëzuar një deklarim urgjent për të miratuar një shitje potenciale të municionit për Ukrainën në vlerë të 165 milionë dollarëve.

Austin u ka thënë më pas gazetarëve se Uashingtoni dëshiron të shohë “Rusinë të dobësuar në shkallën kur nuk mund të bëjë gjërat që i ka bërë për të pushtuar Ukrainën”, duke shtuar se Kievi mund ta fitojë luftën nëse ka mbështetjen e duhur.

Pentagoni ka thënë se në paketë do të përfshihen artileri, tanke dhe lansuese të granatave.

Ambasadori rus në Uashington u ka thënë Shteteve të Bashkuara që të ndalin dërgesat, duke paralajmëruar se armët e Perëndimit janë duke rritur konfliktin.

“NATO, në thelb, është e përfshirë në luftë me Rusinë në mënyrë të tërthortë. Lufta nënkupton luftë”, ka thënë Lavrov.

Pushtimi dymujor rus në Ukrainë, njëherësh sulmi më i madh në një shtet evropian prej vitit 1945, ka lënë mijëra njerëz të vrarë dhe të plagosur, ka shkatërruar qytete e qyteza dhe ka detyruar mbi 5 milionë njerëz të ikin nga shteti.

Moska e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe për ta mbrojtur nga fashistët.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se ky është arsyetim i rremë për një luftë të paprovokuar dhe të nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara pritet të mbledhin më shumë se 40 shtete këtë javë për të diskutuar për mbrojtje dhe luftën në Ukrainë, duke pasur në fokus armatimin e Kievit, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Vazhdon lufta në jug dhe lindje të Ukrainës

Rusia nuk kontrollon qytetet më të mëdha të Ukrainës.

Forcat e saj janë detyruar të largohen nga Kievi, pas përballjes me rezistencë të ashpër.

“Është e qartë që çdo ditë – sidomos sot, kur ka nisur muaji i tretë i rezistencës tonë – që secili në Ukrainë është i shqetësuar për paqen, se kur do të përfundojë e gjithë kjo”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mbrëmjen e së hënës.

“Nuk ka përgjigje të thjeshtë tani për tani”.

Pasi ka dështuar të marrë kontrollin e Kievit, Moska ka nisur javën e kaluar sulme masive me qëllim të kontrollimit të provincave lindore ukrainase, të njohura si Donbas.

Moska dëshiron të fitojë kontrollin e këtij rajoni për ta lidhur me rajonin e Krimesë, të cilin e ka aneksuar më 2014.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë të martën se ofensiva ruse ka vazhduar në rajonin e Harkivit dhe forcat ruse janë duke tentuar të avancojnë drejt Zavodit.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se raketat e saj kanë shkatërruar gjashtë objekte hekurudhore që janë shfrytëzuar për të dërguar armë të huaja në Ukrainë.

Udhëheqësi i kompanisë shtetërore të hekurudhave në Ukrainë, ka thënë se një punëtor është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse me raketa në pesë stacione hekurudhore.

Forcat ukrainase janë përgjigjur po ashtu me sulme dhe kanë lënë të vdekur mbi 200 ushtarë rusë, ka thënë komanda ushtarake ukrainase.

Pesë tanke janë shkatërruar, bashkë me tetë mjete të armatosura, është thënë në deklaratë.

Ushtria britanike ka thënë në përditësimin e saj më 26 prill se Rusia është duke tentuar të rrethojë pozicionet e fortifikuara ukrainase në lindje të shtetit.

Forcat ruse kanë vazhduar të hënën që të bombardojë fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku gjenden rreth 1,000 ushtarë dhe civilë që janë strehuar për t’iu ikur sulmeve.

Moska ka thënë se do të hapë korridore humanitare për të mundësuar largimin e civilëve nga fabrika, mirëpo Kievi ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button