Zelensky falënderoi SHBA-në për mbështetjen “e paprecedentë”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi SHBA-në për, siç tha, mbështetjen “e paprecedentë” për Ukrainën.

Sipas një deklarate të publikuar në ueb-faqen e Presidencës ukrainase, Zelensky i bëri komentet gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, të cilët qëndruan në Kiev të dielën vonë.

“Ne e vlerësojmë ndihmën e paprecedentë të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën. Unë do të doja të falënderoja presidentin [amerikan Joe] Biden personalisht dhe në emër të të gjithë popullit ukrainas për udhëheqjen e tij në mbështetje të Ukrainës”, tha Zelensky, transmeton REL.

Gjatë qëndrimit në Kiev, Blinken dhe Austin premtuan më shumë se 700 milionë dollarë ndihmë ushtarake, direkte dhe jodirekte, për Ukrainën, e cila ndodhet nën pushtimin rus qysh më 24 shkurt.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka ndarë tashmë disa miliarda dollarë për këtë vend.

Zyrtarët amerikanë përsëritën se ndihma nuk nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në Ukrainë.

Kreu i Pentagonit, Austin, tha se beson se Ukraina mund ta fitojë luftën “nëse i ka pajisjet e duhura”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button