Rusia i shpalli persona të padëshiruar 40 diplomatë gjermanë

Rusia shpalli 40 diplomatë gjermanë persona të padëshiruar në një veprim hakmarrës, mes pasojave të vazhdueshme diplomatike nga lufta dy-mujore në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Më 25 prill, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës Federale të Gjermanisë në Federatën Ruse, Geza Andreas von Geyr, u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse”, thuhet në një deklaratë të ministrisë në faqen e saj të internetit.

Ndaj Von Geyr-it “u shprehën protesta të ashpra në lidhje me vendimin e hapur jomiqësor të qeverisë gjermane të datës 4 prill 2022 për të shpallur persona të padëshiruar 40 punonjës të institucioneve diplomatike ruse në Gjermani”, thuhet në njoftim.

Ministria tha se masa gjermane ishte e motivuar “nga një deklaratë absolutisht e rreme se puna e këtyre punonjësve kishte për qëllim minimin e lirisë së Gjermanisë’ dhe ‘unitetit të shoqërisë gjermane’, si dhe insinuata në lidhje me atë që po ndodh në Ukrainë”.

“Ambasadorit gjerman iu dorëzua një notë që shpallte persona të padëshiruar 40 punonjës të institucioneve diplomatike gjermane në Rusi si një përgjigje simetrike ndaj vendimit të sipërpërmendur të qeverisë gjermane”, tha ministria.

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.

Të paktën 2.665 civilë e kanë humbur jetën ndërsa 3.053 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas vlerësimeve të OKB-së, por ka shqetësime se shifrat aktuale janë shumë më të larta.

Më shumë se 5 milionë ukrainas kanë ikur në vende tjera dhe më shumë se 7,7 milionë janë të zhvendosur brenda vendit, tha Agjencia e OKB-së për Refugjatët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button