Në rajonin e Pollogut nuk ka asnjë strehimore, gratë viktima të dhunës përkujdesen në qytete të tjera

“Dhuna ndaj grave kuptohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi ndaj grave, si dhe i referohet të gjitha akteve të dhunës me bazë gjinore që shkaktojnë ose ka të ngjarë të çojnë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike, duke përfshirë kërcënime për akte të tilla”, thuhet në nenin tre të Konventës të Këshillit të Evropës për Parandalim dhe Luftë Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur edhe si Konventa e Stambollit (2011), të cilën Maqedonia e nënshkroi më 8 korrik 2011, ndërsa hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 2018, njofton Meta.mk.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë është ende në një nivel të lartë, pavarësisht miratimit të Ligjit për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (2021), neneve të forta në Ligjin për Mbrojtjen Sociale dhe Konventën e Stambollit. Në një periudhë kur mijëra foto të grave dhe vajzave të ndryshme shfaqen dhe shpërndahen publikisht në të gjithë territorin, pa lejen e tyre (Dhoma Publike – Telegram), kurse i gjithë procesi zgjat me vite, as dhuna fizike dhe as ajo seksuale nuk përjashtohen nga mënyra e sotme moderne e jetesës.

Përveç kritikave të paraqitura në Raportin Vjetor të prezantuar nga Amnesty International për vendin, praninë e dhunës ndaj grave e konfirmojnë edhe institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

“Më shpesh kemi raportime nga gra – viktima të dhunës në familje se sa prej burrave, kurse më së shpeshti ato janë të moshës prej 30 deri në 45 vjeç, por ka edhe vajza e gra më të reja, si dhe më të vjetra që raportojnë forma të ndryshme ngacmimesh”, thanë për “Meta.mk” nga Institucioni Publik Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale (IPQNPS) në Tetovë.

Thonë se për momentin bashkëpunimi ndërinstitucional me institucionet tjera kompetente – policinë, gjykatën dhe prokurorinë – funksionon mirë.

“Ne punojmë 24/7 me shërbime kujdestare dhe linja të hapura. Kemi raportime në çdo moment, policia thërret një nëpunës dhe fillon procesi i dhënies ndihmë për viktimën. Në momentin e intervenimit kërkohet mënyrë dhe zgjidhje që viktima të mbrohet. Viktima ka nevojë për përkujdesje dhe të strehohet në një vend ku do të ndihet e sigurt menjëherë, po atë ditë kur raportohet rasti. Viktimat të cilat raportojnë dhunë në Qendrën për punë sociale në Tetovë, të shoqëruara nga një punëtor social dhe pasi ofrimit të ndihmës juridike, dërgohen në Shkup në qendrën për kujdes të menjëhershëm ose në qendër intervenimi ku kanë të drejtë të qëndrojnë deri në tri ditë”, sqarojnë nga Qendra.

Gjatë atyre tre ditëve, punonjësi sociale në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe qendrat për përkujdesje në vend punon për të gjetur zgjidhjeje për strehim të sigurt të viktimës në ndonjë qendër përkujdesjeje – strehimore për strehim afatgjatë, e më së shumti deri në 6 muaj, kurse gjatë asaj periudhe nëpërmjet këshillimit të viktimës bëhet aftësimi dhe kualifikimi i saj që të bëhet person i pavarur financiarisht.

“Kemi raste kur viktima nuk dëshiron të vendoset në strehimore, gjë për të cilën ajo sigurisht ka të drejtë. Fillimisht duhet të transferohet në kryeqytet dhe më pas në një nga qendrat e pakta në Maqedoni, që do të thotë se duhet të ndryshojë mjedisin e saj të jetesës, nëse ka fëmijë, fëmija duhet të lërë shkollën…dhe me arsye të justifikuara merret vendim që përkohësisht të qëndrojë te të afërmit, ndërsa në rastin më të keq të kthehet te dhunuesi. I gjithë procesi do të ishte shumë më i lehtë për të gjithë, përfshirë edhe viktimat edhe ata që punojnë në ndonjë rast, nëse në Tetovë ose së paku në rajonin e Pollogut hapet një qendër për përkujdesje të viktimave të dhunës në familje”, theksojnë nga IPQNPS.

Në qendra të tilla viktima akomodohen për përkujdesje, edukohen, këshillohen dhe u ofrohet asistencë psikologjike dhe ligjore falas. Këto qendra janë jashtëzakonisht të rëndësishme në shoqërinë tonë, veçanërisht sepse synojnë të ndihmojnë në procesin e pavarësimit të një personi të caktuar që ka kaluar nëpër trauma.

Përveç Qendrës për Strehim, në vitin 2020, Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje krijoi shërbimin e parë social për riintegrimin e grave viktima të dhunës në familje, të cilat kanë ikur nga mjedisi i dhunshëm – Shtëpia për Strehim të Hapur. Ky shërbim është pjesë e modelit të riintegrimit dhe rehabilitimit të grave viktima të dhunës në familje, përkatësisht viktimat aty pranojnë këshillim dhe mbështetje për ushtrimin e të drejtave sociale, këshillim të vazhdueshëm individual dhe grupor me psikolog / psikoterapist, këshillim ligjor dhe mentorim dhe asistencë gjatë punësimit. Aty mund të strehohen gra viktima të dhunës në familje, të cilat janë në rrezik të mbeten pa strehë për një periudhë prej 6 deri në 24 muaj, ku ato dhe fëmijët e tyre kanë akses në dhoma gjumi të veçanta dhe ambiente të përbashkëta si kuzhina, dhoma e ngrënies dhe dhoma e ditës.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përveç rajonit të Shkupit, strehimore të tjera të mëdha për viktima të dhunës me bazë gjinore dhe në familje ka edhe në rajonin jugperëndimor – Ohër, lindor – Koçani, juglindor – Strumicë, rajoni i Vardarit – Veles dhe Sveti Nikollë, në rajonin e Pellagonisë në Manastir. Qeveria e RMV-së e ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Konventës së Isntsbullit për periudhën 2018-2023, por pavarësisht kësaj rajoni i Pollogut është i vetmi në të cilin ende nuk ka qendër të hapur.

Në të gjithë rajonin e Pollogut nuk ka asnjë qendër të vetme për përkujdesje apo së paku një qendër intervenimi, edhe pse siç thonë nga IPQNPS Tetovë për këtë po negociohet publikisht tashmë një kohë të gjatë.

Problemi i vërtetë qëndron në kapacitetin e vogël të strehimoreve ekzistuese. Ato që janë të hapura dhe në funksion janë të mbipopulluara me viktima nga qytete të tjera, duke përfshirë edhe ato që jetojnë në luginën e Pollogut, ku nuk ka strehimore nga të cilat mund të përfitojnë qytetet e tjera të vendit.

Përkatësisht, sipas nenit 140 të Ligjit për mbrojtje sociale, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, së paku një herë në vit, shpall thirrje publike për sigurimin e shërbimeve sociale nga komunat. Me këtë, njësitë komunale e kanë për detyrë të formojnë këshill komunal për mbrojtje sociale (neni 141) i cili do të përgatisë planin social që përmban hartëzimin e problemeve sociale dhe grupeve e rrezikuara në komunë, e pastaj kryetari i komunës (neni 142) në bazë të planit social, bën një program vjetor për mbrojtje sociale, që miratohet nga Këshilli i Komunës.

Plan programi i përgatitur kështu duhet të përcaktojë nevojën për një qendër përkujdesjeje për të cilën apelohet edhe në Qendrën për Punë  Sociale që të dorëzohet në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale si propozim.

Në përgjigjen, që “Meta.mk” e ka pranuar nga Komuna e Tetovës, thuhet se këshill i tillë komunal nuk është formuar ende dhe për këto shkaqe çështja, për krijimin e programit planifikues dhe kërkesës për mjete për ndërtimin e strehimores që në bazë të propozimit të Ministrisë së Punës e merr përsipër t’i sigurojë ato, ende vendnumëron.

Deri vonë, rajoni i Pollogut nuk kishte as qendër këshilluese për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe në bazë gjinore.

Krahas nevojës për një qendër përkujdesjeje, deri vonë në rajonin e Pollogut kishte nevojë për këshillimore të specializuar psikologjike për gratë viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore që nuk ka pas kurrë më parë. Qendra e parë këshillimore e këtij lloji, në kuadër të Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, është hapur vetëm në dhjetor të vitit të kaluar dhe është projekt i financuar nga Ambasada Norvegjeze dhe donacione të tjera të jashtme.

Edhe pse është zyrë e re, ajo e ka stafin e plotë. Punonjës social dhe ligjor dhe psikologu punojnë me viktimat që raportojnë në linjat e tyre dhe përveç ndihmës psikologjike dhe ligjore, ofrojnë shërbime këshillimi për karrierë dhe bashkëpunojnë me IPQNPS dhe policinë. Sikurse nga Qendra për Punë Sociale e theksojnë rëndësinë e vendosjes së një qendre për përkujdesje në nivel të rajonit të Pollogut.

“Sipas standardeve minimale për 50 mijë banorë duhet të ketë qendër këshillimore për gratë viktima të dhunës në familje, për 100 mijë banorë duhet të ketë një qendër strehimi dhe për 150 mijë banorë një qendër ndërhyrjeje në krizë. Kjo është qendra e parë këshillimore në tërë rajonin e Pollogut që ka 300 mijë banorë, kurse po ashtu është dëshpëruese që në fakt nuk përkrahet nga vetëqeverisja lokale”, thonë nga këshillimorja.

Duke u nisur nga të dhënat që i ka në dispozicion Rrjeti Kombëtar Kkundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, në Tetovë ka një numër të madh të grave dhe vajzave që raportojnë forma të dhunës, ngacmimeve dhe përndjekjeve dhe ato janë të moshave të ndryshme, ku viktima më e re është 13 vjeçe, kurse më e moshuara 60 vjeçe.

“Është vërtet shqetësues fakti që Komuna na refuzoi kur kërkuam financim me arsyetimin se në dy vitet e ardhshme kjo qendër këshillimi nuk do të ketë mundësi të financohet sepse donacionet e huaja mundësojnë mbështetje deri në korrik të vitit 2022. Ajo që kemi dëshmuar deri tani e  ushqen nevojën e madhe për një organ të tillë civil jo vetëm për qytetin e Tetovës por edhe për ato në mjediset rurale të zonës”, thonë nga këshillimorja.

“Janë gra të cilat kanë vuajtur prej vitesh dhunë të të gjitha llojeve. Raportimi na ana e grave është një procedurë e madhe dhe këtu është fakti që ato nuk i dinë të drejtat e tyre, kanë nevojë për udhëzime sapo të bëjnë hapin më të madh – raportimin”, shtojnë ata.

Hapja e qendrës së këshillimit nuk u përcoll me reklama apo fushata, por theksojnë se përkundër promovimit të vogël, tashmë kanë regjistruar një numër të madh rastesh.

“Dhuna ekziston në Tetovë dhe do të vazhdojë të rritet. Sa më shumë të mësohet për këtë qendër këshillimi, do të ketë aq më shumë aplikime për ndihmë, çka do të thotë se nevoja për një qendër strehimi rritet me rritjen e numrit. Përveç se i mbushim strehimoret në qytete të tjera, e madhe është nevoja edhe për një qendër për ndërhyrje në kriza. Nëse e vendosim veten në pozitën e një viktime, e cila ia ka dalë të arratiset në mes të natës dhe kërkon ndihmë, nuk do të ishte gjëja më e lehtë për ne të merrnim përgjigje se do të transportoheshim diku tjetër, në një qytet tjetër, me njerëz të huaj”, konstatojnë nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës në Familje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button