GRAFITOLOGJI POST-SOCIALISTE

Mënyra moderne dhe urbane e të jetuarit ka gjeneruar një formë artistike alternative – artin urban, grafitin (lat. graphire, shkruaj me gjilpërë; greq. grapheion, shkruaj), një subkulturë që i thyen kornizat e tradicionales dhe shfaq një zë tjetërfare të artbëries. Vlerësimet për grafitin si formë komunikimi, e cila daton që nga kohët parake, prehistorike (Sheepers, 2004) shkojnë nga njëri skaj te tjetri. Grafitin, që kombinon artin e rrugës dhe bojatisjen me sprej, disa e emërtojnë si kundërkulturë ose bllokim kulturor (culture jamming), dekulturizim; për shkak të pranisë së panatyrshme në hapësirat publike e konsiderojnë si një formë vandalizmi, krimi të dënueshëm. Disa të tjerë e kanë cilësuar si shtyp të nëntokës, madje edhe si një formë kaligrafie dhe arti figurativ, si zhanër të shprehjes artistike që meriton të shfaqet nëpër galeri dhe ekspozita.

Teoria dhe vëzhgimet thonë se arti urban përbën një stil të veçantë artit që ndërlidhet me qytetin dhe jetën në të, që ekzekutohet nga artistë që jetojnë në qytet ose që kanë pasion për jetën qytetare. Kjo formë e artit, e cilësuar si shkarravinë me shkronja, simbole dhe imazhe të zeza nëpër metrotë dhe pronat private të New York-ut të viteve 1960-të (MacDonald, 2001: 2), një dekadë më vonë u shfaq si pjesë e lëvizjes hip-hop në kombinim me vallëzimin e quajtur breakdance, me DJ-izmin dhe MC-ingun. Në vitet 1980-të të gjitha këto trajta filluan të performojnë në mënyrë simultane si shprehje e kulturës hip-hop. Grafitti, lëvizja me gjenezë në kulturën rinore afro-amerikane e afro-karibiane u bë pjesë e lagjeve amerikane zezake dhe hispanike me ekonomi të dobët, u ndërthur me jazzin dhe bluzin, duke u përhapur në rajonet (sub)urbane të klasës së mesme. (Rahn, 2002: 2)

Ndonëse i shfaqur në nivel të lagjes, ku përfaqësues të kulturave të ndryshme jetojnë së bashku, sot përbën një formë ndërkombëtare artistike që përdoret në forma të ndryshme, kështu që artistët urbanë udhëtojnë nga qyteti në qytet dhe kanë kontakte sociale me njerëzit në të katër anët e botës. Ky lloj i kulturës në kohërat moderne është ndër më të popullarizuarit te mosha adoleshente, që shpesh shfaqet si “renegate sociale dhe estetike” (Velikonja, 2020: 39). Kultura e grafitit ndërlidhet edhe me klishetë kundër-luftë, ato anarkiste, feministe, antikonsumeriste, antiglobaliste etj.

Libri Grafitet politike post-socialiste në Ballkan dhe në Europën Qendrore, i studiuesit dhe profesorit të mirënjohur slloven të studimeve kulturore Mitja Velikonja, është një tekst që doemos duhet lexuar nga çdokush që merret me kulturat vizuale, me peizazhet linguistike dhe semiotike, me vizibilitetin e shndërrimit politik në Europën Juglindore dhe atë të Mesme, me manifestimet ideologjike në ish-Jugosllavi (Kersten-Pejanić, 2020). Autori, kaherë i interesuar për prodhimin kulturor margjinal, kreativitetin radikal, grupet e diskriminuara dhe praktikat emancipuese (YMC, 2020), shpalos këtu dialektikën mes grafiteve, kryesisht subkulturore dhe kundër-qeveritare, si dhe atë të zhvillimeve politike në shtetet post-socialiste, si Sllovenia, Bosnja, Kroacia, Serbia, Maqedonia e Veriut etj. Velikonja, që zotëron një arkiv prej 25,000 grafitesh (YMC, 2020), në fakt krijon një qasje të re kërkimore, prodhon termin grafitologji, një shkencë e re ndërdisiplinore, që merret me studimin e asaj që e thonë muret (what walls say) në hapësirat urbane dhe përtej. Në këtë drejtim, që grafitet e shpërfillura të aktualizohen, është dashur të ndodhë një kthesë shoqërore dhe kulturore (Velikonja, 2020), e cila njerëzve që “kishin sy, por s’i vërenin”, u mundësoi t’i shohin shënimet e këtij kundër-arti interesant ose “provokimi të butë”.

Ky punim terreni me qasje holistike dhe të angazhuar, që përqendrohet te grafitet politike, provon se këto porosi murore, si medium politik subverziv, që shprehur me fjalët e antropologut James C. Scott janë “armë e të dobtëve”, paraqesin imazh të revoltës dhe të transgresivitetit human. Dy pjesët dhe njëmbëdhjetë kapitujt e këtij libri rrahin segmente interesante të grafitologjisë: termi grafiti dhe grafiti politik, format-manifestimet e grafitit si “subversion i toleruar” ose “pushtet i rrugëve”, mënyrat tipike në të cilat prodhohet dhe pranohet grafiti, metodat për investigimin e grafiteve, tetë raste studimore, interpretime të storjeve nga muret e lokacioneve të ndryshme të Jugosllavisë dhe post-Jugosllavisë, pretendimet revizioniste dhe nacionaliste të figurave historike në interpretimin ideologjik të natyrës (mali Trigllav), nacionalizmi dhe fjalimet e urrejtjes, garbo-nacionalizmi, ballkanofobia, ksenofobia dhe “tjetrizimi” i refugjatëve, diada grafitet-tifozeria etj. Brenda kapakëve të kësaj vepre gjenden edhe elemente të pjesëmarrjes së autorit në ngjarje të ndryshme të grafitit, intervista me autorë grafitesh, gjetje nga ueb-faqet dhe mediat sociale, madje edhe të dhëna lidhur me kontekstin shqiptar (Kosovë, Shqipëri). Kjo vepër, që është fryt i një punë 20-vjeçare, ku analizohen 2000 shembuj të grafiteve, ngjitëseve, shablloneve dhe posterave, do t’iu ndihmojë që edhe ju dalëngadalë të filloni të interesoheni se çfarë thonë muret në hapësirat e juaja urbane. Është kjo një nxitje e veçantë për sociologët, politologët dhe kulturologët tanë, që ta vënë nën llupë këtë problematikë, siç shprehet vetë autori, këto “bomba kohe” – ndërhyrje pamore që herë poetizohen e herë politizohen.

Kjo vepër e pasuron literaturën shkencore në gjuhën shqipe me një tekst dhe temë pak të vërejtur dhe pak të përpunuar ndër ne dhe ka mundësi të “prodhojë” grafologjistë kulturorë dhe artikuj shkencorë, teza diplomash e më sipër, që do ta shtjellojnë këtë subjekt interesant, këto impulse të kreativitetit disident me pasqyrime të rëndësishme shoqërore, të cilave s’ka arritur t’ua humbë peshën dhe kuptimin as epoka digjitale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button