Dita 61: Blinken dhe Austin në Ukrainë, premtuan ndihmë të reja ushtarake

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, premtuan më shumë se 700 milionë dollarë ndihmë ushtarake, direkte dhe jodirekte, për Ukrainën. Zotimi u bë gjatë vizitës së tyre në Kiev – të parës së këtij niveli amerikan qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

18:50 – Rusia u zotua për hapje të korridorit humanitar në Mariupol

Rusia ka premtuar sërish se do të hapë korridorin humanitar për civilët e bllokuar në një fabrikë çeliku në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë.

Ushtria ruse është planifikuar të ndalë armiqësitë prej orës 14:00 më 25 prill, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes.

Civilët më pas do të mund të largohen nga zona industriale përmes korridorit humanitar.

Qeveria ukrainase i ka bërë thirrje Rusisë të sigurojë largimin e grave dhe fëmijëve nga bunkerët e fabrikës Azovstal.

Sipas informacioneve nga Kievi, rreth 1,000 civilë besohet se janë në atë fabrikë, transmeton REL.

Luftëtarët ukrainas që janë të fshehur aty kanë kërkuar që të bëhet gjithçka për të garantuar sigurinë e civilëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës.

Perëndimi ka dënuar ashpër këtë vendim dhe ka vënë sanksione të pashembullta ndaj Moskës.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

18:29 – Ukraina kërkoi pajisje për centralet bërthamore

Ukraina i kërkoi Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) një listë të pajisjeve, që janë të nevojshme për funksionimin e sigurt të objekteve të saj bërthamore, gjatë luftës.

Sipas njoftimit të postuar në ueb-faqen e ANEB-it, lista përmend në mënyrë specifike instrumente matëse të rrezatimit, materiale mbrojtëse, sisteme të energjisë elektrike dhe gjeneratorë me naftë.

ANEB ka dërguar pajisje në Ukrainë muajin e kaluar, thuhet në njoftim, ndërsa pjesa tjetër pritet të dorëzohet kur drejtori i përgjithshëm i agjencisë të vizitojë termocentralin bërthamor të Çernobilit, këtë javë.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Forcat e saj kanë marrë fillimisht kontrollin e dy termocentraleve bërthamore në Ukrainë – Zaporizhjas dhe Çernobilit – por më pas ato janë kthyer sërish nën kontrollin forcave ukrainase.

Në fillim të marsit, bombardimet e ushtrisë ruse kanë goditur centralin bërthamor të Zaporizhjas, i cili është më i madhi në Evropë.

Siguria e njësisë, megjithatë, nuk është dëmtuar dhe nivelet e rrezatimit kanë mbetur normale.

Atëbotë, ANEB ka thënë se ka vendosur qendrat për incidente dhe emergjenca në gatishmëri të lartë.

16:00 – Blinken: Rusia tashmë ka dështuar në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, thanë të hënën pas një vizite nën vellon e fshehtësisë në Kiev, se presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy, është i përkushtuar për të fituar luftën e vendit të tij kundër Rusisë dhe se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë atë të përmbushë këtë qëllim.

“Mendësia e tij është se ukrainasit duan të fitojnë dhe ne kemi mendësinë që duam t’i ndihmojmë ata të fitojnë,” u tha sekretari Austin gazetarëve në Poloni, një ditë pas takimit tre-orësh kokë më kokë me presidentin Zelenskyy në Ukrainë, transmeton Zëri i Amerikës.

Sekretari Austin tha se natyra e luftës në Ukrainë ka ndryshuar tani që Rusia është tërhequr nga rajonet e pyllëzuara veriore për t’u përqendruar në qendrën industriale lindore të Donbasit. Për shkak se natyra e luftës ka evoluuar, po kështu ka ndodhur edhe me nevojat ushtarake të Ukrainës, dhe presidenti Zelenskyy tani është i përqendruar në më shumë tanke, artileri dhe municione të tjera.

“Hapi i parë për të fituar është të besosh se mund të fitosh”, tha sekretari Austin. “Ne besojmë se ata mund të fitojnë, nëse kanë pajisjet e duhura, mbështetjen e duhur dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur… për të siguruar që kjo do të sigurohet”.

Udhëtimi i sekretarëve Blinken dhe Austin është vizita e nivelit më të lartë amerikan në kryeqytetin e Ukrainës që nga agresioni i Rusisë në fund të shkurtit.

Ata u thanë presidentit Zelenskyy dhe këshilltarëve të tij se SHBA-ja do të sigurojë më shumë se 300 milionë dollarë financime të huaja ushtarake dhe kanë miratuar një shitje municionesh prej 165 milionë dollarësh.

“Ne patëm mundësinë për të demonstruar drejtpërdrejt mbështetjen tonë të fortë e të vazhdueshme për qeverinë dhe popullin ukrainas”, tha sekretari Blinken. “Ky ishte, për gjykimin tonë, moment i rëndësishëm për të qenë atje, për të zhvilluar biseda ballë për ballë në hollësi”.

Sekretari Blinken tha se takimi me ukrainasit zgjati për tre orë dhe u bisedua për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë ndihmën që i nevojitet vendit në javët në vijim.

“Strategjia që kemi vendosur, mbështetja masive për Ukrainën, trysnia masive kundër Rusisë, solidariteti me më shumë se 30 vende të përfshira në këto përpjekje, po jep rezultate reale”, tha sekterai Blinken.

“Kur bëhet fjalë për qëllimet e luftës së Rusisë, Rusia po dështon. Ukraina po ia del mbanë. Rusia kishte qëllimi kryesor ta nënshtrojë plotësisht Ukrainën, t’i heqë sovranitetin, t’i heqë pavarësinë. Kjo ka dështuar”.

I pyetur për atë që Shtetet e Bashkuara e shohin si sukses, sekretari Austin tha se “ne duam të shohim Ukrainën të mbetet një vend sovran, një vend demokratik i aftë për të mbrojtur territorin e saj sovran, ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar deri në atë masë sa të mos mund të bëjë gjëra të tilla si agresioni mbi Ukrainën”.

TË dy zyrtarët thanë gjithashtu thanë se presidenti Joe Biden së shpejti do të emërojë zonjën Bridget Brink për të qenë ambasadore në Ukrainë dhe se diplomatët amerikanë që u larguan nga Ukraina para luftës, do të fillojnë të kthehen në vend javën që vjen. Ambasada amerikane në në Kiev do të qëndrojë e mbyllur tani për tani.

Zonja Brink, një diplomate e karrierës shërben që nga viti 2019 si ambasadore në Sllovaki. Ajo ka kryer më parë detyra në Serbi, Qipro, Gjeorgji dhe Uzbekistan, si dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Emërimi kërkon konfirmimin nga Senati amerikan.

Gazetarëve që udhëtuan me sekretarët Austin dhe Blinken në Poloni, iu ndalua të raportonin për udhëtimin derisa ai përfundoi, nuk u lejuan t’i shoqëronin ata në udhëtimin e tyre tokësor në Ukrainë dhe iu ndalua të tregonin se ku në Poloninë juglindore ata u takuan me anëtarët e kabinetit pas kthimit të tyre. Zyrtarët në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon përmendën shqetësimet e sigurisë.

Sekretarët Austin dhe Blinken njoftuan gjithsej 713 milionë dollarë financime të huaja ushtarake për Ukrainën dhe 15 vende aleate dhe partnere. Prej tyre rreth 322 milionë dollarë janë caktuar për Kievin. Pjesa e mbetur do të ndahet midis anëtarëve të NATO-s dhe vendeve të tjera që i kanë ofruar Ukrainës furnizime thelbësore ushtarake që nga fillimi i luftës me Rusinë, thanë zyrtarët.

Një financim i tillë është i ndryshëm nga ndihma e mëparshme ushtarake e SHBA-së për Ukrainën. Këto janë para të gatshme që vendet mund t’i përdorin për të blerë furnizime që mund të jenë të nevojshme.

Paratë e reja, së bashku me shitjen 165 milionë dollarësh të municione jo të prodhuara në SHBA, që janë në përputhje me armët e epokës sovjetike që përdorin ukrainasit, e sjellin në 3.7 miliardë dollarë shumën totale të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën që nga fillimi i agresionit, thanë zyrtarët.

Presidenti Biden e ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për gjenocid për shkak të shkatërrimeve dhe vdekjeve të shkaktuara në Ukrainë. Vetëm të enjten, presidenti Biden tha se do të ofronte një paketë të re prej 800 milionë dollarësh ndihmë ushtarake për Ukrainën, që përfshin artileri të rëndë dhe dronë.

Kongresi miratoi muajin e kaluar 6.5 miliardë dollarë për ndihmë ushtarake si pjesë e shpenzimeve prej 13.6 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe aleatët, në përgjigje ndaj agresionit rus.

Nga Polonia, sekretari Blinken planifikon të kthehet në Uashington ndërsa sekretari Austin do të shkojë në Ramstein të Gjermanisë, për një takim të martën me ministrat e mbrojtjes së NATO-s dhe vendeve të tjera donatore.

11:30 – Dita 61: Blinken dhe Austin në Ukrainë, premtuan ndihmë të reja ushtarake

Rreth gjysma e parave do të shkojnë në Ukrainë, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet midis anëtarëve të NATO-s dhe aleatëve të tjerë rajonalë.

Përveç kësaj, SHBA-ja do t’i shesë Kievit municion në vlerë prej 165 milionë dollarësh.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka ndarë tashmë disa miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke përfshirë edhe 800 milionë dollarë të tjerë më 21 prill, njofton REL.

Zyrtarët amerikanë përsëritën se ndihma nuk nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në Ukrainë.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë: nuk do të ketë trupa amerikane që luftojnë në Ukrainë”, tha një zyrtar i mbrojtjes për mediat amerikane.

Blinken, duke folur për gazetarët pranë kufirit polako-ukrainas, tha se ai dhe Austin udhëtuan me tren nga Polonia në Ukrainë.

Ai tha se vizita në Kiev ishte një mundësi për të demonstruar drejtpërdrejt “mbështetjen tonë të vazhdueshme për Qeverinë ukrainase”.

Austin, nga ana tjetër, tha se vizita në Kiev ishte “shumë produktive”.

Ai tha se beson se Ukraina mund ta fitojë luftën “nëse i ka pajisjet e duhura”.

Dy zyrtarët amerikanë takuan edhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, dhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrsky.

Udhëtimi i tyre u shfrytëzua edhe si mundësi për të njoftuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të fillojë të rihapet këtë javë.

Dy zyrtarët amerikanë përmendën edhe emrin e diplomates amerikane, Bridget Brink, si ambasadore të re të SHBA-së.

Brink, e cila aktualisht është ambasadore në Sllovaki, do të plotësojë pozitën në Kiev, e cila ka mbetur boshe qysh në fillim të vitit 2020, kur president i SHBA-së ka qenë Donald Trump. Mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit Joe Biden do ta emërojë atë zyrtarisht gjatë ditës së hënë.

Ambasada amerikane në Kiev është mbyllur pas shpërthimit të luftës, ndërsa një zyrë e përkohshme e saj është zhvendosur në Poloninë fqinje.

Në një tjetër zhvillim, gazeta britanike, Financial Times, raportoi më 24 prill se presidenti rus, Vladimir Putin, duket i vendosur që të pushtojë sa më shumë territor ukrainas, duke hequr dorë nga bisedimet për paqe.

Financial Times tha se thirret në tre persona të informuar mirë për bisedat e presidentit rus.

Putin u ka thënë njerëzve të përfshirë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit se ai nuk sheh asnjë perspektivë për zgjidhje, raportoi gazeta.

Në terren, forcat ruse janë duke vazhduar sulmet në lindje, duke përfshirë qytetin e rrethuar të Mariupolit, tha ushtria ukrainase.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se rusët kanë qëlluar mbi pozicionet ukrainase përgjatë gjithë linjës së kontaktit.

Ai po ashtu tha se ushtria ruse ka intensifikuar operacionet e saj sulmuese në drejtim të qyteteve: Siverodonjeck, Kurahiv dhe Popasna.

Autoritetet ukrainase vënë numrin e viktimave në luftë në dhjetëra mijëra, edhe pse këto shifra nuk mund të verifikohen ende në mënyrë të pavarur.

Numri i të zhvendosurve nga Ukraina, ndërkaq, ka kaluar pesë milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button