Parqet kombëtare kanë potencial të madh për eko-turizëm

Shëtitje apo çiklizëm në natyrë, ushqim i shëndetshëm i prodhuar nga prodhuesit vendas në mënyrë ekologjike, ajër dhe ujë i pastër dhe shumë pyll e gjelbërim. Mundësitë për turizëm ekologjik në vend janë të mëdha ashtu që katër parqet kombëtare me pasurinë e tyre natyrore dhe biodiversitetin janë potencial real për zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ruajtja e mjedisit jetësor nga njëra anë dhe përmirësimi i mirëqenies së popullsisë vendase nga ana tjetër është drejtimi i duhur që mund t’u sjellë atyre pavarësi dhe qëndrueshmëri më të madhe. Mikpritja tradicionale maqedonase, nga ana tjetër, është vetëm plotësim i mundësive të jashtëzakonshme.

Për Jovan Bozhinoskin, specialist i turizmit dhe kryetar i klubit të bjeshkatarëve “Luboten”, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm nuk nënkupton vetëm shmangie të ndikimit negativ në mjedis, por edhe nxitje të zhvillimit ekonomik lokal, i cili duhet ta orientojë popullatën vendase të mendojë dhe të punojë në drejtim të mbrojtjes së vlerave natyrore dhe tradicionale.

“Eko-turizmi është mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që jetojnë në zonat e mbrojtura ose afër tyre. Biznesi dhe ekologjia padyshim duhet të plotësojnë njëra-tjetrën, sepse pa mjedis të mbrojtur në mënyrë të mirëfilltë, nuk do të ketë zhvillim të biznesit apo turizmit në ato rajone. Po ashtu, pa zhvillimin e duhur të turizmit nuk do të kemi mbrojtje të mjedisit jetësor”, tha Bozhinoski.

Ai vë në pah se turizmi masiv nuk është i përshtatshëm për zona të mbrojtura, por për këtë janë të gjitha llojet e turizmit aventuresk. Të gjithë ata që duan të punojnë në interes të natyrës dhe zhvillimit të duhur të këtyre rajoneve duhet të udhëhiqen dhe orientohen drejt tij.

Njëri prej tyre është Dragisha Jovovski, i cili prej pesë vitesh menaxhon hostelin “Kitka” në fshatin Vratnicë. Ndodhet mu në kufirin e parkut të ri kombëtar, rrëzë majës së Lubotenit. Jovovski thotë se Sharri ka potencial të pakufizuar për eko-biznese të qëndrueshme që mund të tërheqin të rinjtë, të qëndrojnë në fshatra dhe të jetojnë e punojnë në bashkëjetesë me natyrën.

“E gjithë oferta turistike që kemi ka të bëjë me përjetimin e bukurive të Malit Sharr. Të ftuarit, të cilët janë kryesisht nga jashtë, bëjnë shëtitje ose biçikletë në shtigje të krijuara tashmë dhe ne u ofrojmë udhërrëfyes ose harta. Unë e kam edhe kopshtin tim, ku prodhoj perime dhe fruta, kam edhe një koshere bletësh, kështu që mysafirët mund të shijojnë ushqime organike shtëpiake dhe çaj mali me mjaltë”, thotë Jovovski.

Foto: Hosteli Kitka
Foto: Hosteli Kitka

Nocioni i zakonshëm i pushimeve është aktivitet tashmë i parë dhe i përjetuar, i cili gjithnjë e më shumë lë hapësirë ​​për të shijuar kontaktin me natyrën. Jovovski thotë se ka vendosur jo vetëm t’i mirëpresë mysafirët, por edhe të jetojë përgjithmonë në Vratnicë.

“Kur filluam pesë vjet më parë kishim vetëm tre dhoma për mysafirë. U befasuam nga kërkesa e madhe, pamë potencialin dhe e përshtatëm të gjithë shtëpinë, e cila ka qenë në familje prej brezash, për këtë qëllim. Tani ka shtatë dhoma, tre tualete dhe dy kuzhina. Për momentin jam duke rregulluar një pjesë të oborrit për parkimin e automjeteve për kamping, sepse shumë nga mysafirët udhëtojnë kështu”, tha Jovovski.

Mbledhja e barishteve për mëlmesa, kërpudhave apo frutave të malit, prodhimi i djathit në mënyrë tradicionale, bletaria dhe shumë aktivitete të tjera mund të jenë pikënisja e biznesit në këtë rajon. Të gjitha këto biznese të qëndrueshme, përfshirë turizmin, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në vetë-qëndrueshmërinë e parqeve kombëtare.

Mirëpo, prioritet kryesor i parqeve, përveç zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, duhet të jetë mbrojtja e biodiversitetit, përmes hulumtimeve shkencore dhe menaxhimit të pyjeve dhe kullotave si pjesë e veçantë”, vlerëson eksperti i turizmit Bozhinoski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button