Të martën rifillojnë punët në “Strasho Pinxhur”- Tetovë, e paqartë përse u prenë drunjtë dhe në bazë të cilit elaborat

Vazhdimi i punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur” do të rifillojë ditën e martë, kështu bëri të ditur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Por, ende mbetet e paqartë se në bazë të cilit elaborat u prenë drunjtë përgjatë kësaj rruge, që shkaktoi edhe reagime të shumta te qytetarët. Komuna paraprakisht tha se kjo do të shqyrtohet në Seancën e radhës të këshillit Komunal, por në rendin e ditës kjo pikë nuk është e futur. “Më mirë për Tetovën” kërkon përgjegjësi për dënim e shkaktuar nga prerja e drunjve, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës pas nisjes së punimeve të rikonstruimit të rrugës “Strasho Pinxhur vendosi që përkohësisht t’i ndërpresë punimet në mënyrë që të sqarohet situata dhe më pas ky projekt të vazhdoj të realizohet ashtu si ishte planifikuar. E gjithë kjo erdhi si rezultat i reagimeve të qytetarëve për prerjen e drunjve përgjatë kësaj rruge, pasi shumë qytetarë nuk e mirëpritën këtë veprim të Komunës.

“Gjatë konsultimeve dhe takimit me qytetarët si dhe pronarët e lokaleve të kësaj rruge, prezantuam dokumentacionin dhe lejet e nevojshme për realizimin e këtij projekti, ku u dakorduam që prej ditës së Martë, të vazhdojnë punimet dhe njëherë e përgjithmonë kjo rrugë të kompletohet me të gjitha standardet e nevojshme dhe të marrë pamje ashtu siç i takon qendrës sonë, çarshisë sonë”, tha dje Bilall Kasami.

Në këtë takim të komunës me disa qytetarë, mediat nuk ishin të ftuara për të ndjekur nga afër takimin.

Nga ana tjetër, Hamdi Sulemani nga “Më mirë për Tetovën”, përsëri ritheksoi se ata nuk kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve siç edhe qëndronte në arsyetimin e Kasamit para disa ditëve kur edhe u ndërprenë punimet, por kanë kërkuar që të ndërpritet prerja e drunjve.

“Kryetari i Komunës vet i ndaloi punët dhe vet i filloi, që është shumë e logjikshme! Ne kërkuam të ndërpritet prerja e drunjve – (fidaneve te mira) dhe jo ndalesën e ndërtimit të rrugës. Gjenocidi ndaj AMBIENTIT duhet ndalur një herë e përgjithmonë dhe duhet mbajtur përgjegjësi për DËMIN e shkaktuar”, tha Hamdi Sulemani.

Nga ana tjetër, e paqartë vazhdon të mbetet se në bazë të cilit elaborat, dokumentacion apo procedure u dha urdhëri për prerjen e drunjve në rrugën “Strasho Pinxhur” në Tetovë. Komuna për Portalb.mk të enjten tha se në seancën e radhës të Këshillit Komunal do të ketë informata të detajuara për rastin në fjalë.

Seanca e Këshillit Komunal është caktuar përditën e mërkurë, por në rend të ditës nuk figuron një pikë e tillë.

Rikujtojmë që kryetari i komunës ,Bilall Kasami njoftoi se drunjtë do të zëvendësohen me fidane të reja, dhe se rruga do të bëhet me të gjitha standardet, duke përfshirë kanalizimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimin fekal dhe atmosferik, dhe për këtë sipas tij u desh të bëhej largimi i drunjve të vjetër dhe zëvendësimi me drunj të ri.

Ndryshe, punimet në rrugën “Strasho Pinxhur”, një nga rrugët kryesore dhe në mes të Tetovës filluan në periudhën parazgjedhore, por pas zgjedhjeve lokale 2021 me të ardhur në krye të komunës, Bilall Kasami ndërpreu punimet me arsyetimin se projekti i asfaltimit nuk i plotësonte kriteret. Të njëjtat filluan para dy ditëve, dhe dje u ndërprenë përsëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button