Macroni i prin garës së ngushtë kundër Le Penit

Fitorja në zgjedhjet e së dielës do ta bënte Macronin presidentin e parë francez në 20 vjetët e fundit që siguron mandatin e dytë presidencial. Krejt sondazhet e ditëve të fundit kanë treguar për fitoren e 44-vjeçarit proevropian, mirëpo margjina karshi rivales së tij është e paqartë. Sondazhet gjithashtu kanë treguar për numër të lartë të francezëve që ose do të dalin të votojnë ose do të qëndrojnë në shtëpi, duke shmangur daljen në votime, transmeton Koha.net.

Rundi i parë zgjedhor i 10 prillit eliminoi 10 kandidatët e tjerë presidencialë. Kush do të bëhet lider i ardhshëm i Francës do të varet krejtësisht nga njerëzit që kanë përkrahur kandidatët humbës.

Kjo do të jetë shumë e vështirë, sidomos për votuesit majtistë që nuk e pëlqejnë Macronin, por as nuk duan ta shohin Le Penin të rrokë në dorë pushtetin. Mandati i dytë i Macronit varet nga mobilizimi i tyre, teksa në ditët e fundit, presidenti aktual i ka lutur që ta votojnë.

“Mendoni për ato që thanë britanikët pak orë para Brexitit ose amerikanët para se të zgjidhej Trumpi: ‘Nuk do të dal, nuk kam arsye?’ Mund t’u them se ata u penduan të nesërmen”, ka thënë Macroni teksa ua ka tërhequr vërejtjen francezëve se skenar i njëjtë mund t’u ndodhë edhe atyre”.

“Prandaj nëse doni të shmangni të paimagjinueshmen… vendosni për veten”, ka përsëritur Macroni.

Dy rivalët kanë qenë të ashpër ndaj njëri-tjetrit në ditët e fundit të fushatës. Fort është diskutuar edhe debati televiziv që e mbajtën “sy më sy”.

Macroni ka argumentuar se kredia që partia e Le Pen e mori nga një bankë çeko-ruse në vitin 2014 e bën atë të papërshtatshme për t’u përballur me Rusinë në kohën e pushtimit të Ukrainës. Ai gjithashtu ka thënë se planet e saj për t’ua ndaluar grave myslimane mbajtjen e shamive në hapësirat publike, mund të nxisin luftën civile në shtetin që ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.

“Kur dikush ju shpjegon se islami është i barabartë me islamizmin, i barabartë me terrorizmin është i barabartë me një problem, kjo quhet qartë e djathtë ekstreme”, ka thënë Macroni të premten.

Në fjalimin e tij të fitores në vitin 2017, Macron kishte premtuar se do të “bënte gjithçka” gjatë mandatit të tij pesëvjeçar, në mënyrë që francezët “të mos kenë më asnjë arsye për të votuar për politikanët ekstremë”.

Pesë vjet më vonë, kjo sfidë nuk është përmbushur. Le Pen ka konsoliduar vendin e saj në skenën politike të Francës, rezultat i përpjekjes shumëvjeçare për të rishfaqur veten si më pak ekstreme.

Fushata e Le Pen këtë herë ka kërkuar të tërheqë votuesit që po luftojnë me rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë në mes të pasojave të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kandidatja 53-vjeçare ka thënë se ulja e kostos së jetesës do të ishte një përparësi kryesore nëse ajo zgjidhej si presidentja e parë grua e Francës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button