Papa Françesku hoqi dorë nga takimi me patriarkun ortodoks rus

Papa Françesku ka thënë se ka hequr dorë nga planet për t’u takuar në qershor me Patriarkun Ortodoks rus Kirill, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin i cili ka mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë. Ati i Shenjtë, i cili ka kritikuar disa herë në mënyrë të nënkuptuar Rusinë dhe presidetin rus për luftën, i tha në një intervistë gazetës argjentinase La Nacion se i vinte keq që plani duhej “pezulluar” sepse diplomatët e Vatikanit e kishin këshilluar se një takim i tillë “mund të shkaktonte shumë konfuzion në këtë moment”, shkruan Zëri i Amerikës.

Në Moskë, agjencia e lajmeve RIA citoi Mitropolitin Hilarion, një zyrtar i lartë i Kishës Ortodokse Ruse, të thoshte se takimi u shty sepse “ngjarjet e dy muajve të fundit” do të kishin krijuar shumë vështirësi në përgatitjen e tij.

Agjencia Reuters njoftoi më 11 prill se Vatikani po shqyrtonte mundësinë e zgjatjes me një ditë të udhëtimit të Papës në Liban planifikuar më 12-13 qershor, në mënyrë që ai të mund të takohej me Kirillin më 14 qershor në Jerusalem.

Kirill, 75 vjeç, ka dhënë bekimin e tij të plotë për pushtimin rus të Ukrainës që kur filloi më 24 shkurt, një pozicion që ka shkaktuar ndasi në Kishën Ortodokse në mbarë botën dhe ka shkaktuar një rebelim të brendshëm që teologët dhe akademikët thonë se është i paprecedentë.

Papa Françesku, 85 vjeç, ka përdorur shprehje si agresioni i pajustifikuar dhe ndërhyrje në komentet e tij publike për luftën dhe ka kritikuar mizoritë kundër civilëve.

I pyetur në intervistë pse ai kurrë nuk e ka përmendur Rusinë apo presidentin Putin direkt, Françesku u citua të ketë thënë: “Një papë nuk përmend kurrë e emër një kryetar shteti, aq më pak një vend që është mbi kreun të shtetit të tij.”

Presidenti Putin, një anëtar i Kishës Ortodokse Ruse, i ka përshkruar veprimet e Moskës si një “operacion special ushtarak” në Ukrainë që synon çmilitarizimin dhe “denazifikimin” e vendit. Moska ka mohuar të ketë vënë në shënjestër civilët.

Françesku ka hedhur poshtë në mënyrë specifike terminologjinë ruse, duke e quajtur atë një luftë që ka shkaktuar “lumenj gjaku”.

Papa tha në fillim të këtij muaji se ai po konsideronte mundësinë e një udhëtimi në Kiev, duke u thënë gazetarëve gjatë një fluturimi për në Maltë më 2 prill se një gjë e tillë ishte “në tryezë”. Ai është ftuar nga udhëheqës politikë dhe fetarë ukrainas.

I pyetur në intervistën me gazetën argjentinase pse nuk e ka bërë ende udhëtimin, ai tha:

“Unë nuk mund të bëj asgjë që do të rrezikonte objektivat më të larta, të cilat janë fundi i luftës, një armëpushim ose të paktën një korridor humanitar. Çfarë vlere do të kishte që Papa të shkonte në Kiev nëse lufta vazhdon të nesërmen ?”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button