Berisha: Rama, skemë për t’u bërë vetë president

Edhe pas emrit të ri të Presidentit, Sali Berisha thotë se fshihet një proces tipik i Cosa Nostras. Përpara gazetarëve zbuloi kandidatin e përzgjedhur, sipas tij, nga Edi Rama dhe skenarin që tha se fshihet pas emrit të mbyllur në zarf, transmeton Tv Klan.

“Sipas statistikave të Edi Ramës, 2/3 e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës. Po kërkohet kandidati që në prag të disfatës së tij elektorale të japë dorëheqjen dhe t’i lëshojë vendin Ramës, çka nuk do ndodhë kurrë. Dhe i them harroje këtë skemë, se në mënyrë absolute nuk pranohesh president republike, me skema mafioze”.

Opozita nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhje së presidentit, por Berisha tha prerazi se vota e demokratëve do jetë kundër çdo kandidati të propozuar nga Rama, qoftë ky edhe ish-bashkëpunëtor i tij.

“Nëse mazhoranca vendos që kandidatin, ose institucionin e Presidencës t’ia japë opozitës, atëherë është opozita ajo që negocion, përzgjedh, paraqet dy emra sipas rastit dhe vendoset. Por Edi Rama po bën të kundërtën. Të implikohesh në një proces me zarfe është njëlloj si një tender sekret”.

Pendesë nuk shprehu aspak për votën “pro” të dhënë për ndryshimet kushtetuese të 2008-s, që i hapin rrugë zgjedhjes së presidentit me shumicë të thjeshtë.

“Nuk do të isha dakord që mos dakordësia për zgjedhjen e presidentit të çojë vendin në zgjedhje”.

Ambasadoren amerikane e akuzoi për presion ndaj gjyqësorit pas regjistrimit të statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit.

“‘Guvernatorja’ bën takime për procesin gjyqësor i cili në mënyrë absolute nuk ka asnjë bazë ligjore. I bëj thirrje qeverisë së SHBA të ndalojë ndërhyrjet e saj, të përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri”.

Jo pak u mor me Edi Ramën, të cilit si mjek nuk ia kurseu as diagnozën e aq më pak kurën.

“Disiplina e dytë e veçantë që kam dashur më shumë ka qenë psikiatria. Kam mirëkuptim për shqetësimin madhor që ka Edi Rama, për koshmarin që e ka kapluar. Le të lexojë vetë më mirë, të gjejë rrugë të çlirimit prej tyre”.

Ripërsëriti se nuk i druhet asnjë hetimi nga ana e SPAK-ut lidhur me aferën e CEZ-it.

“Jo një, por 120 çështje të dërgojnë dhe siç kanë dështuar do të dështojnë në mënyrë ekzemplare.

Edi Ramës i kërkoi të heqë bordet e monitorimit të çmimeve, të cilat tha se qeveria po i përdor për të pasuruar klientët e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button