Qyteti i Shkupit nuk tregon se pse “Ylberin” e vlerësoi me 70.000 denarë e “Zllatno sllavejçen” me 1 milion

Qyteti i Shkupit nuk jep sqarime të detajuara se pse festivalit për fëmijë “Zllatno sllavejçe” i ka dhënë 1 milion denarë, ndërkaq “Ylberit” vetëm 70.000 denarë, si pjesë e programit për financimin e aktiviteteve kulturore për vitin 2022, pavarësisht se të dy festivalet janë të po të njëjtit karakter dhe kanë afërisht fond të njëjtë të këngëve, njofton Portalb.mk.

Qyteti i Shkupit nuk tregon se cilat kritere nuk i ka plotësuar “Ylberi”, në krahasim me “Zllatno sllavejçen” që i janë ndarë mjete financiare shumë më të ulëta. Në përgjigjen që ka dërguar, Qyteti i Shkupit tregon për kriteret e përgjithshme që duhet të plotësojnë programet, por nuk përgjigjet për pyetjen konkrete.

“Programet dhe projektet, manifestimet dhe aktivitetet duhet të sigurojnë zhvillim, stimulim dhe prezantim të vlerave shoqërore për të rinjtë dhe arritje për përmirësimin e jetës së të rinjve në nivel të qytetit të Shkupit”, thuhet në përgjigjen e Qytetit, dhe më pas duke i radhitur kriteret të cilat duhet të plotësohen për të ndarë mjete financiare për një projekt të caktuar.

Portalb.mk, dërgoi pyetje plotësuese deri te Qyteti i Shkupit për të na dhënë përgjigje direkte për rastin në fjalë, por prej atje, pavarësisht premtimit, deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.

Rikujtojmë se kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar se do të ketë qytet të hapur dhe 100% transparent.

“Shkupi patjetër duhet të jetë qytet, dyert e të cilit nuk janë të mbyllura për shkupjanët. Qytet i hapur nënkupton të ketë 100% transparencë dhe zero tolerancë për korrupsion. Shkupi patjetër të jetë qytet modern evropian. Do të ketë administratë të motivuar që do t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve në kohë. Me zyrë të hapur për qytetarët e cila do të punojë 24 orë çdo ditë, shërbimet në qytet do të jenë shërbime të servis i vërtetë i qytetarëve 24, si në pjesën e shërbimeve nga qyteti, ashtu edhe në pjesën e zgjidhjes së shpejtë të problemeve konkrete në terren. Nuk do të ketë asnjë tolerancë për korrupsion dhe nepotizëm në Shkup, a si kryetare do të vendos ombucman për transparencë dhe veting të obligueshëm për drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe udhëheqësit e sektorëve. Për të gjitha vendimet në vazhdimësi do të bashkëpunojmë me komunitetet urbane dhe lokale, komunat, organizatat joqeveritare, iniciativat qytetare dhe drejtpërdrejtë çdo ditë me qytetarët”, ka deklaruar Arsovska më 15 tetor – dy ditë përpara rrethit të parë të zgjedhjeve lokale

Organizatorët e këtij festivali paraprakisht janë shprehur të indinjuar dhe të befasuar nga fondi i akorduar. Drejtori i festivalit “Ylberi”, Adem Ymeri, thotë se edhe ky edicion do të zhvillohet, pavarësisht tendencave bojkotuese dhe trajtimit diskriminues me të cilat po përballen prej disa vitesh nga institucionet.

“Çdo vit, Qyteti i Shkupit vjen duke i zvogëluar fondet që ndan për të mbështetur festivalin. Por situata bëhet më e pakuptueshme kur për një ngjarje të njëjtë – Festivalin “Zllatno Sllavejçe” jep 1 milion denarë dhe them “bravo”, shumë mirë kanë vepruar, por për Ylberin, kush mendon? Ka dikush në atë komision, Qytetin e Shkupit… këshilltarë që duhet të mendojë se ia vlen të mbështetet edhe ky projekt për fëmijët shqiptarë, që këtë vit ka një numër dhe interesim shumë më të madh të fëmijëve nga vendi. Cilat janë kriteret që dy ngjarje të vlerësohen në një mënyrë kaq të ndryshme, kur bëhet fjalë për dy festivale që kanë – të themi një fond këngësh të barabartë (rreth 700)”, thotë Ymeri.

Ai thotë se nuk është vetëm Qyteti i Shkupit. Indiferentë dhe dorështrënguar janë treguar edhe në Komunën e Çairit, nga ku jeton edhe pjesa më e madhe e fëmijëve që marrin pjesë në këtë festival, por edhe Ministria e Kulturës. “Kjo e fundit vijon të reduktojë po ashtu mbështetjen financiare – nga 500 mijë në 349 e 249 mijë denarë për këtë vit. Komuna e Çairit dy vjet (2019 dhe 2020) nuk ndau asnjë denar me përjashtim të vitit të kaluar. Për edicionin e sivjetshëm organizatorët janë në pritje”, shtoi Ymeri.

Kostoja e Programit për financimin e institucioneve dhe aktiviteteve në sferën e kulturës të Qytetit të Shkupit për këtë vit është gjithsej 13 milionë e 300 mijë denarë. Sfera e arteve muzikore është më e financuara e këtij programi me afër 6.5 milionë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button